Entela Gjika është diplomate shqiptare prej vitit 2002. Në shkurt 2019 është emëruar Drejtoreshë e Protokollit të Shtetit, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme të Republikës së Shqipërisë.
Gjatë karrierës së saj diplomatike ajo ka shërbyer brenda dhe jashtë vendit. Entela Gjika ka shërbyer në Ambasadën e Republikës së Shqipërisë në Mbretërinë e Bashkuar të Britanisë së Madhe dhe Irlandës së Veriut (2010-2016), në Misionin e Përhershëm të Republikës së Shqipërisë pranë Organizatave Ndërkombëtare në Vjenë (2006-2010), në Ambasadën e Republikës së Shqipërisë në Hungari (2005). Në Londër ka mbajtur edhe postin e së Ngarkuarës me Punë, nga tetori 2015 deri në gusht 2016.
Gjatë detyrës së saj në Vjenë, ndër të tjera, Entela Gjika ishte Përfaqësuese e Përhershme Alternative e Shqipërisë në Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike kur Shqipëria ishte anëtare e Bordit të Guvernatorëve të Agjencisë (2007-2009).
Në Ministrinë e Punëve të Jashtme, Entela Gjika ka shërbyer në poste të ndryshme, si Këshilltare e Ministrit të Punëve të Jashtme (2002 – 2003) si dhe në departamente dy dhe shumëpalëshe (Departamenti i Çështjeve Rajonale dhe Departamenti i OKB-së).
Para se t'i bashkohej Ministrisë së Punëve të Jashtme, Entela Gjika ishte Ndihmëse e Kryeministrit (1999 – 2001).
Gjatë studimeve universitare dhe më pas, Entela Gjika ka qenë gjithashtu aktive me shoqërinë civile dhe rrjetet rinore në Shqipëri për çështjet e të drejtave të njeriut si dhe mbi edukimin për të drejtat e njeriut dhe ka ndjekur rregullisht trajnime të organizuara nga Departamenti i Rinisë së Këshillit të Evropës në Strasburg (1998-1999).
Entela Gjika ka kryer përfunduar studimet universitare në degën Biologji dhe Kimi, Fakulteti i Shkencave të Natyrës, Universiteti i Tiranës (1996). Ajo ka një Master në Menaxhim dhe Studime të Politikave Publike nga Universiteti i Mançesterit, dhe është mbështetur nga Programi Global i Bursave të Qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar për studime pasuniversitare (2002)