Fjala e Kryeministrit Edi Rama në takimin përkujtimor të 75-vjetorit të çlirimit të Atdheut:
Shumë të nderuar të pranishëm; Familjarë të dëshmorëve të luftës; Përfaqësues të organizatave të veteranëve dhe të organizatave që vijojnë të punojnë mbi baza vullnetare në nderim të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare! Ky 5 Maj ka një rëndësi të posaçme, sepse është 5 Maji i 75-vjetorit të çlirimit të vendit nga pushtuesit nazifashistë dhe dëshiroj t’ju informoj se nën drejtimin e zv/kryeministrit ka nisur puna për të përgatitur të gjithë kornizën e aktiviteteve në nderim të Luftës Antifashiste dhe në kremtim të 75-vjetorit të çlirimit të atdheut. Për ne, lufta nacionalçlirimtare ka qenë dhe mbetet një pikë e palëvizshme referimi dhe edhe unë jam krenar, si të gjithë ata që i përkasin familjes sonë politike, sepse Partia Socialiste është e vetmja forcë politike, e lindur pas rënies së regjimit diktatorial komunist, që asnjëherë nuk është lëkundur në detyrimin patriotik, atdhetar dhe kombëtar për nderimin e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare. Nga ana tjetër dua ta nënvizoj shumë qartë se për mua ka një vijë ndarëse midis luftës dhe historiografisë së pasluftës. Janë dy gjëra të ndryshme dhe do doja që asnjëherë të mos ngatërronim atë që buron nga gjaku i pastër i dëshmorëve të luftës antifashiste me atë që buron nga gjakderdhja e gjakut të pafajshëm të pasluftës për shkak të një regjimi diktatorial. Këto dy gjëra duhet të jenë të ndara dhe duhet të na ndihmojnë të qëndrojmë vijimësisht në anën e duhur të historisë, sepse ajo që bëri Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare ishte pikërisht vendosja e popullit shqiptar dhe e Shqipërisë në anën e duhur të historisë, jo me pushtuesit, por me çlirimtarët; jo me humbësit, por me fituesit. Ndërsa ajo që prodhoi paslufta nuk mund të thuhet se ishte ana e duhur e historisë. Ndërkohë që, çka rimarrim si amanet dhe si mesazh nga lufta antifashiste është çka e riktheu Shqipërinë në rrugën e ëndërruar nga idealistët si Qemal Stafa dhe si të gjithë ata që dhanë jetën për çlirimin e atdheut, rrugën e një Shqipërie të drejtë, e një Shqipërie europiane, e një Shqipërie ku ligji është i barabartë për të gjithë dhe ku shanset u jepen njësoj që të gjithëve. Më vjen shumë mirë që sot, ne jemi të gjithë sëbashku këtu, për ta rikonfirmuar në këtë moment shumë të rëndësishëm për vendin, qoftë përkatësinë tonë shpirtërore, morale dhe politike ndaj të gjithë atij frymëzimi që çoi në luftë dhe mbajti në anën e duhur të historisë një rini të tërë dhe një popull të tërë dhe njëkohësisht për të vlerësuar jo me fjalë të bukura, por me përpjekje dhe me vullnetin për të kapërcyer vështirësi të panumërta, amanetin e dëshmorëve të luftës. Ky amanet mishërohet në të gjitha domosdoshmëritë e neglizhuara rëndom, apo të lëna jashtë vëmendjes të shumë e shumë viteve të transformimeve demokratike, për të krijuar një sistem funksional demokratik, për të krijuar një sistem ku secili vlerësohet sipas meritës dhe shpërblehet sipas punës. Natyrisht është pak, por është e sigurt, që vlerësimi dhe shpërblimi për ata që janë më të moshuar, për brezin e tretë, për ata që kanë dhënë gjithçka kanë mundur dhe kanë marrë mbrapsht shumë më pak se ajo që kanë merituar, përballet me kufirin e pamundësive objektive. Por unë besoj se e lexoj si duhet amanetin e dëshmorëve të luftës, kur them se detyra jonë, misioni ynë është që të mos lejojmë që një tjetër gjeneratë fëmijësh, të lindur pas shembjes së regjimit komunist, të paguajë çmimin e moskryerjes si duhet e detyrave nga ana e qeverive njëra pas tjetrës, siç e paguan dhe po e paguajnë këtë çmim ata që lindën në vitin 1990. Do të kishim sot një situatë të ndryshme për atë gjeneratë, në rast se qeveritë e mëparshme do t’i kishin bërë si duhet detyrat, do t’i kishin marrë në sy sfidat, nuk do t’i kishin bishtnuar sfidave dhe nuk do të kishin vënë interesin politik dhe jetëgjatësinë në karrige mbi interesin kombëtar dhe domosdoshmërinë për t’iu siguruar një të ardhme të drejtë fëmijëve. Të sakrifikosh sot, do të thotë të mendosh për ata që sot janë fare të vegjël. Të mos e trajtosh sot, atë tërësi mundësish që ke, si një moment për të jetuar në kurrizin e fëmijëve, do të thotë që t’u japësh më shumë nesër! Ne jemi shumë të vetëdijshëm që pensionet janë të ulëta, patjetër që ne jemi shumë të vetëdijshëm që edhe shpërblimet përsa i takon asaj çka u tha këtu më parë do të ishin sigurisht të merituara, patjetër që ne jemi shumë të vetëdijshëm që edhe rrogat nuk janë ato që do donim të ishin dhe që njerëzit do duhet të kishin dhe patjetër shumë e shumë të tjera me radhë, të tjera si këto, por ka një zgjedhje të qartë dhe jo të lehtë për të bërë, midis marrjes borxh të së ardhmes për të jetuar pak më mirë në të tashmen, duke ua faturuar fëmijëve të gjitha kusuret, apo marrjes përsipër të një sakrifice më shumë sot, për të mos u lënë fëmijëve nesër, faturat që fëmijët e ’90-ës vazhdojnë të paguajnë sot si 20, 25 e 30-vjecarë. Kjo është e gjitha. Unë besoj se ne mund të flasim për amanetin e luftës dhe të dëshmorëve të luftës më shumë duke lexuar faktet dhe duke vlerësuar përpjekjet e bëra në një proces jashtëzakonisht të vështirë transformimesh, në një proces jashtëzakonisht të dhimbshëm reformash, me syrin te e ardhmja dhe jo me mendjen sa për të kaluar lumin e të tashmes. I them këto sepse kam bindjen që ne, Partia Socialiste, qeveria jonë kemi bërë dhe bëjmë çdo ditë zgjedhjen e duhur, duke mos u tunduar nga nevoja për të qetësuar dhe për t’i bërë të gjithë të lumtur sot, gjë e pamundur sidoqoftë, por duke vlerësuar domosdoshmërinë që nesër, fëmijët tanë të jetojnë në një Shqipëri që është shumë më pranë asaj që ëndërruan ata që ishin fare të rinj kur dolën në luftë dhe nuk u kthyen më në shtëpi. Reformat që ne kemi ndërmarrë nuk kanë qenë aspak të lehta. Ato nuk i sjellin frytet e tyre menjëherë, por jam i sigurt që ato kanë hedhur bazën mbi të cilën një Shqipëri ndryshe po ndërtohet ditë pas dite, pavarësisht të gjitha pakënaqësive, pavarësisht të gjitha nevojave legjitime për të pasur më shumë sot dhe pavarësisht të gjithë baltës dhe ziftit që hidhet çdo ditë. Për një koincidencë të bukur, sfida jonë për çeljen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian përkon me 75 vjetorin e çlirimit të vendit dhe unë e dëshiroj me gjithë zemër, që këtë përpjekje të gjatë dhe të vështirë, ku për fat të keq nuk kemi qenë të gjithë të bashkuar, por si askund tjetër në vendet që kanë synuar çeljen e negociatave dhe që sot janë në proces negocimi, apo janë anëtarë të Bashkimit Europian, një forcë e brendshme është përpjekur dhe përpiqet çdo ditë të pengojë çeljen e negociatave, duke e kthyer këtë aspiratë kombëtare e këtë objektiv kombëtar në një argument të politikës së ditës. Ne vjet morëm rekomandimin pozitiv nga Komisioni Europian për çeljen e negociatave, pa kushte e po vjet, Këshilli Europian vendosi që për arsye të brendshme të disa prej vendeve anëtare të Bashkimit Europian, kjo temë të adresohet në Këshillin Europian të qershorit që vjen. Ndërkohë, po vjet, Këshilli Europian dhe Komisioni Europian vendosën që, pavarësish se negociatat për anëtarësim të Shqipërisë në Bashkimin Europian nuk u çelën zyrtarisht, procesi i hulumtimit apo screening siç quhet, që nis me çeljen zyrtare të negociatave zakonisht, të fillojë e ka filluar që në vjeshtën e vitit të shkuar. Pra, de fakto, përtej të gjithë atyre që thuhen e që dërdëllisen lart e poshtë për të çakërdisur dynjanë, Shqipëria ka zhvilluar dhe zhvillon përditë një proces teknik, që është procesi që kanë zhvilluar të gjitha vendet pasi kanë hapur negociatat. Qershori është afër. Ne shpresojmë dhe besojmë që Komisioni Europian do të japi rekomandimin pozitiv, pa kushte përsëri, për çeljen zyrtare të negociatave, që do të thotë se në nivelin e vlerësimit të detyrave të shtëpisë, që bëhet nga Komisioni, ne të marrim atë që na takon, meritën për plotësimin e të gjithë detyrave të shtëpisë. Pastaj rekomandimi shkon në Këshillin Eurpian, i përbërë nga 28 vende anëtare, të cilat vlerësojnë rekomandimin në nivelin politik dhe vjet ishin shumica dërrmuese e vendeve që e pranuan rekomandimin dhe kërkuan hapjen e menjëhershme të negociatave, por disa prej tyre, për arsye të brendshëm politike, në realitetet e tyre elektorale kërkuan që kjo çështje të konsiderohet pas zgjedhjeve europiane që janë në fund të majit. Mjafton kjo për të kuptuar se ka një lidhje të drejtpërdrejtë, tanimë, midis asaj që një vend bën për të ecur në procesin e integrimit dhe asaj që vendet e tjera vendosin lidhur me këtë vend, në varësi të situatave të tyre të brendshme. Kush kërkon që këtë gjë, Shqipëria ta kapërcejë pa marrë parasysh se çfarë mendojnë dhe si gjykojnë qeveritë përkatëse të atyre vendeve nuk di çfarë flet. Me shumë rëndësi është të kuptohet se Shqipëria do të ishte kokulur në rast se Komisioni Europian, që nuk bën vlerësime të natyrës politike, por vlerëson si i ke bërë detyrat e shtëpisë, do të kishte rezerva. E sigurisht që ne do të bëjmë gjithçka që të marrim vendimin pozitiv edhe nga Këshilli Europian, mundësisht në qershor, por pa diskutim brenda këtij viti. Pse them pa diskutim brenda këtij viti dhe mundësisht në qershor? Sepse, faktikisht, qoftë dhe për një arsye procedurale, që lidhet me parlamentin gjerman ku duhet të trajtohet çështja, koha nga dalja e raportit më 25 maj tek mbledhja e Këshillit në 21 qershor është shumë e shkurtër dhe edhe në takimin e fundit që patëm në Berlin, ku këtu u tha, çfarë nuk u tha, por vetëm e vërteta nuk u tha, ne morëm mesazhin shumë pozitiv të vlerësimit nga ana e Gjermanisë të gjithçkaje kemi bërë dhe të gatishmërisë për ta konsideruar këtë çështje, duke kapërcyer afatin për shkak të procedurës. Sidoqoftë, thënë të gjitha këto, një gjë duhet të mbetet, gjithçka bëjmë ne, nuk i bëjmë se na i kërkon Brukseli, se na i kërkon Berlini, Parisi apo se e gjithë Europa. Të gjitha çfarë bëjmë, ne i bëjmë se na i kërkon e ardhmja e këtij vendi, sepse e kërkojnë fëmijët tanë. Ne nuk e bëjmë reformën në drejtësi, sepse e kërkon bota. Ne e bëjmë reformën në drejtësi, sepse është populli i këtij vendi që meriton të ketë një sistem drejtësie të drejtë, ku të gjithë të trajtohen si të barabartë para ligjit dhe se janë fëmijët tanë që nesër meritojnë të trashëgojnë një Shqipëri ku nuk është më mall drejtësia dhe ku e drejta nuk shitet e blihet nga gjykatës e prokurorë të korruptuar dhe ku cilido qoftë, nga qytetari i zakonshëm deri tek përfaqësuesi i rangut më të lartë, trajtohen në mënyrë të barabartë nga ligji dhe nga sistemi i drejtësisë. Kjo është për Shqipërinë, kjo është për fëmijët tanë. I gjithë procesi, të gjitha reformat, të gjitha përpjekjet, të gjitha çka bëjmë sot, janë përpjekje, reforma dhe punë në funksion të një Shqipërie më të mirë, në funksion të një Shqipërie të drejtë, në funksion të një Shqipërie ku të gjithë kanë vendin e tyre dhe ku secili merr atë që i takon sipas meritës. Është një bast shumë i vështirë që ne e kemi vënë dhe natyrisht, po të kthejmë kokën mbrapa e po të mendojmë si do ishte Shqipëria sot, nëse të gjitha reformat që ne kemi ndërmarrë, do ishin ndërmarrë shumë e shumë vite më parë, nëse shumë e shumë vite më parë do ishte vendosur vija e kuqe për të gjithë ata që vidhnin energjinë, për të gjithë ata që vidhnin pensionet, vidhnin ndihmën ekonomike e kështu me radhë, deri tek reforma në arsim, sot do të kishim një Shqipëri më të mirë. Sigurisht që nesër Shqipërinë do ta kemi shumë më të mirë se sot, pikërisht sepse për këtë po punojmë e po përpiqemi çdo ditë, të vetëdijshëm që jo gjithçka bëjmë sot i jep rezultatet sot për sot. Edhe diçka për një merak që u tha edhe këtu. Unë do ta bëja prapë, edhe një herë, njësoj, ceremoninë për Mit’had Frashërin, që të jemi të qartë. Jo sepse unë kam ndonjë dilemë. Nuk kam dilemë lidhur me kufirin që ndan qartësisht patriotët nga bashkëpunëtorët e nazizmit, por sepse unë nuk i besoj historisë së shkruar nga fitimtarët. Unë i besoj domosdoshmërisë që ne ta kapërcejmë atë histori, duke mos rënë kurrë në grackën e asnjë rehabilitimi të bashkëpunëtorëve të fashizmit e të nazizmit, si dhe duke mos lejuar atë që me të drejtë u tha këtu, që në emër të studimeve të krimeve të komunizmit të cenohet një fije floku cilitdo që mori armën për të luftuar nazistët dhe fashistët në Luftën Antifashiste Nacional Çlirimtare. Në këtë aspekt, qëndrimi im është shumë i qartë e i palëkundur. Çfarë ndodhi e si ndodhi në pikëpamje të luftës për çlirim deri në 29 nëntor të vitit 1944 nuk mund të jetë kurrë objekt i një instituti që paguhet nga taksat e shqiptarëve. Çfarë erdhi pas, ka qenë objekt i punës së atij instituti e i takon Kuvendit të Shqipërisë të bëjë të gjitha vlerësimet e nevojshme, në raport me ligjin, apo me shkeljen e ligjit, në raport me dobinë, apo me dëmin e shkaktuar nga një i tillë institut. Besoj që nuk ka nevojë të zgjatem në “pse”-në e të gjitha arsyeve që i kam dhënë shumë sinqerisht dhe shumë drejtpërdrejtë, lidhur me atë ceremoni, por më lejoni t’ju them vetëm një gjë, nuk e vlerësojmë si duhet luftën antifashiste, nuk e vlerësojmë si duhet gjakun e dëshmorëve, nëse i hyjmë në hak kujtdo që ka qenë në një pozicion të ndryshëm dhe ka synuar të njëjtën gjë, çlirimin e vendit nga okupatorët e huaj. Pastaj vija është e qartë, nuk ka asnjë ekuivok. Ne kurrë nuk kemi qenë, kurrë nuk jemi e kurrë nuk do të jemi si socialistë, të gatshëm të mbyllim sytë përpara asnjë vepre kolaboracionizmi dhe para asnjë kolaboracionisti që e ka kërkuar rrugën qorre dhe pikërisht sepse ka hyrë në rrugën qorre, nuk ka vend në nderimet tona. Por të vërtetat janë pak më komplekse, kur vjen puna në figura të caktuara e për çështje të caktuara dhe është mirë që sot ne t’i ndajmë ato me sa mundemi, që të mos ua trashëgojmë brezave të tjerë, asgjë nga e keqja që regjimi komunist futi në historinë e shkruar nga fitimtaret.