Këshilli Koordinues i Diasporës (KKD) në bashkëpunim me Këshillin Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë (KKAD), si dhe me Qendrën e Botimeve për Diasporën (QBD), organizuan Kuvendin e Punës, i cili u mbajt në datat 9 dhe 10 mars 2024, në Augsburg, Mynih të Gjermanisë.
Kuvendi me temën: “Ruajtja e gjuhës amtare te fëmijët e mërgatës shqiptare”, ishte një aktivitet që u zhvillua me qëllim sensibilizimin e mërgatës shqiptare rreth gjuhës dhe kulturës kombëtare dhe parashtrimin e nevojave konkrete për organizimin sa më të mirë të mësimit plotësues në diasporë.
Zëvëndësministrja e MEPJ znj. Artemis Malo, në fjalën e saj, bëri një panoramë të gjërë të punës së Ministrisë për Europën dhe Punët e Jashtme, në këtë drejtim, nënvizoi rolin e pazëvëndësueshëm që ka diaspora në avancimi e kauzës kombëtare dhe veçanërisht të mësueseve të gjuhës shqipe.
Në Kuvend morën pjesë përfaqësues nga Italia, Greqia, Zvicra, Turqia, Gjermania, Anglia, Suedia, Norvegjia, Finlanda, Franca, Danimarka, Amerika, Austria etj..