Ministri në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj mori pjesë në punimet e sesionit të rradhës së Konferencës së Sigurisë së Mynihut, e cila prej disa vitesh përbën një arenë të rëndësishme dhe të pavarur të liderëve globale, për të zhvilluar diskutime informale, për sfidat më aktuale të sigurisë. Edicioni i 55-të i kësaj Konference, ishte një nga më të rëndësishmit e 10 vjeçarit të fundit, me pjesëmarrjen më të madhe të personaliteteve të larta në rang global, por edhe sepse 2019 do të jetë viti i provës për zhvillimet ndërkombëtare në fushën e sigurisë.
Në margjinat e këtij aktiviteti Ministri në detyrë Cakaj zhvilloi dhe një sërë takimesh dypalëshe me disa Ministra të Jashtëm evropianë, përfaqësues të BE-së, OSBE-së, NATO-s, si dhe personalitete të larta, të pranishëm në këtë konfrencë.