Në Tiranë zhvillohet Konferenca e Ambasadorëve të Shqipërisë nëpër botë. Konferenca shërben për të reflektuar mbi sfidat dhe mundësitë e diplomacisë shqiptare, si dhe strategjitë tona mbi sigurinë, gjeopolitikën e rajonit, ekonominë, turizmin, kulturën, dhe prioritetin tonë kryesor: integrimin në Bashkimin Evropian.
Kjo konferencë vjen në një moment kyç - jo vetëm për shkak të angazhimeve gjithnjë e më të rëndësishme të diplomacisë shqiptare - por edhe ndërsa ndërmarrim hapa konkretë për një shërbim të jashtëm gjithnjë më modern e dinjitoz, përfshirë një Ligj të ri për shërbimin e jashtëm dhe ringritjen e Akademisë Diplomatike.