Më 9 mars 2016, Z. Genti Beqiri, i shoqëruar nga Z. Armand Shandro, Përfaqësues i Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Tokio dhe Z. Daniel Guce, Drejtor i SME-ve dhe Zhvillimit të Eksporteve të AIDA-s, kanë zhvilluar një takim me Znj. Makiko Fukatsu - Drejtuese e Departamentit Europian të Marrëdhënieve Ndërkombëtare të JICA dhe Znj. Hitomi Oka - Drejtuese e Departamentit të Zhvillimit të Sektorit Privat në JICA Tokyo. Në këtë takim Z. Beqiri shprehu mirënjohjen dhe falenderoi përfaqësuesit e JICA për mbështetjen e deritanishme, që ka konsistuar kryesisht në trajnimin e punonjësve të institucionit të AIDA-s si edhe në mbështetjen e projekteve të ndryshme me impakt pozitiv në ecurinë e punës së Agjencisë, siç është projekti “Aksesi i Biznesit në Financë”. Ky projekt i suksesshëm realizuar gjatë vitit 2014 nga AIDA në bashkëpunim JICA, në formën e asistencës për sipërmarrjet e reja të SME-ve, konsistoi në organizimin e një seri seminaresh në 9 rrethet kryesore të vendit me sipërmarrësit e SME-ve, kryesisht për të rinjtë që dëshirojnë të hapin biznese të reja në fusha të ndryshme të ekonomisë dhe të shërbimeve. Ndër të tjera Drejtori Ekzekutiv i AIDA-s, Z. Beqiri theksoi se Shqipëria ka një potencial të madh për zhvillimin ekonomik dhe bëri me dije se Agjencia që ai drejton ka në synimet e saj rritjen e bashkëpunimit të mëtejshëm ndërmjet AIDA dhe JICA në fushën e trajnimeve dhe projekteve kërkimore, me qëllim zhvillimin e marrëdhënieve ekonomike dhe tregtare ndërmjet Shqipërisë dhe Japonisë. Znj. Fukatsu, vleresoi bashkëpunimin e deritanishëm me AIDA-n dhe shprehu kënaqësinë për projektin e finalizuar ndërmjet dy institucioneve. Gjithashtu, ajo pohoi se JICA do të vijojë mbështetjen e saj ndaj agjencisë AIDA, duke u fokusuar në trajnimin e kapaciteteve brënda institucionit, me qëllim rritjen e cilësisë së shërbimeve të agjencisë.
http://www.ata.gov.al/beqiri-ne-japoni-zhvillim-te-marredhenieve-ekonomi...