Në datën 5 Mars 2014 në mjediset e Universitetit të Nigatës, universitet 140 vjeçar në Japoninë perëndimore, zonë e rëndësishme industriale e Honshus, u zhvillua seminari mbi prezantimin e tregjeve të reja për firmat investitore japoneze. Me ftesë të Universitetit të Nigatës, Ambasador Dida prezantoi një material për klimën e investimeve dhe zhvillimin e biznesit në Shqipëri, e lidhur kjo edhe me pozicionin e rëndësishëm të vendit tonë në tregun e Ballkanit perëndimor, proceseve integruese dhe potencialit të tregut të përbashkët. Bazuar mbi të dhënat e fundit të përgatitura nga Drejtoria e Diplomacisë Publike dhe agjensia AIDA, si edhe në bashkëpunim me Qendrën e Kërkimeve Shkencore për Ekenominë të Universitetit të Nigatës me koordinator studiuesin shkencor z. Blendi Barolli, Ph.D pranë këtij Universiteti, të pranishmit u njohën me tendencat e zhvillimeve të tregut shqiptar, investimet direkte si edhe kërkesat që ka ky treg. Në bisedën e formatit pyetje-pvrgjigje ku përveç përfaqësuesve të kompanive u angazhuan në mënyrë dinamike dhe studentët pas universitarë, u shfaq interes për investimet e rekomanduara nga AIDA si edhe për sjelljen e produkteve japoneze në tregun Ballkanas. Në mbyllje të seminarit u zhvillua një takim i veçantë me profesorë të shkencave Ekonomike, ndërmjet të cilëve kishte edhe përfaqësues nga Universiteti i Tokios. Ambasada u angazhua që të dërgojë apo botojë në formë elektronike materiale informuese për klimën e investimeve dhe zhvillimin e biznesit në Shqipëri, ndërsa për pjesëmarrësit do të mirpresë dhe plotesojë informacionin e kërkuar prej tyre.