Në datën 16 Dhjetor në Universitetin Dokkyo në Saitama, Tokio, u zhvillua një prezantim nga Ambasada e Shqipërisë në Tokio.
Prezantimi me titull “Mirsevini në Shqipëri” u realizua në një nga auditoret kryesore të universitetit 130 vjeçar të Dokkyos, i njohur në Japoni si universiteti pionier i metodave ekologjike të përdorimit të energjisë dhe mjedisin më miqësor për natyrën, në prani të afro 200 studentëve të degëve të turizmit dhe shkencave ekonomike dhe politike. Prezantimi u moderua nga Prof. Yamane dhe studenti për master në turizëm z. Kakeru Hiroda, që ka vizituar Tiranën gjatë muajit tetor dhe që kishte përgatitur një qasje nxitëse për auditorin me nxitje për të vizituar Shqipërinë dhe për të punuar për promovimin e turizmit. Gjatë prezantimit patëm edhe lidhje përmes Skype-t me studentin shqiptar të vitit të fundit për master në gjuhën gjermane z. Ergys Luga, i cili prezantoi direkt qendrën e zbukuruar për festat e fundvitit të Tiranës. Në fund u shkëmbyen pyetje-përgjigje interesante mbi Shqipërinë.
Në kuadër të këtij prezantimi të realizuar nga Ambasadori Bujar Dida, u zhvilluan takime me Presidentin e universitetit Dokkyo, z. Inui Tadashi, profesor në Fakultetin e Ekonomisë, profesorin Kazuma Yamane që është edhe shkrimtar për teknologjitë e reja (autor i librit më të shitur të vitit “Udhëtimi i Hajabusës”, mbi bazën e të cilit u realizua edhe filmi për sondën japoneze që kreu udhëtimin në Mars, i cili mori kampione dhe u kthye) si edhe pjestarë të tjerë të trupit pedagogjik dhe studentë të këtij universiteti.
Me prezantimin e Shqipërisë në historinë, gjuhën dhe kulturën për studentët e këtij universiteti u hodhën edhe hapat e para për të zhvilluar bashkëpunimin ndëruniversitar.
Ambasada dhe Universiteti i Dokkyo-s do të mbeten në kontakt për të zhvilluar takime dhe bashkëpunime të tjera në të ardhmen.