Ministri Bushati në takim me parlamentarët japonezë për të eksploruar rrugë të reja të lidhjeve mes dy vendeve.

Kryetari i Grupit Parlamentar të Miqësisë Shqipëri-Japoni dhe Sekretari i Përgjithshëm i tij, deputetët japonezë Hiroshi Hase e Minoru Kiuchi, të cilët po zhvillojnë një vizitë në Shqipëri, patën sot një takim shumë miqësor me Ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati. Bashkëbiseduesit u angazhuan në një diskutim të frytshëm mbi nxitjen e mëtejshme të marrëdhënieve dypalëshe. Deputetët japonezë u shprehën se së shpejti do të organizojnë një tur me kompani japoneze, si një mundësi e mirë dhe konkrete për të eksploruar potencialet e investimit në Shqipëri. Biseda më tej u përqendrua në rëndësinë që ka rritja e kontakteve mes dy popujve e sidomos të rinjve dhe shkëmbimet në këtë kontekst në fushën e arsimit dhe sportit. Njohja më e mirë e Shqipërisë do të jetë një nxitje edhe për rritjen e numrit të turistëve japonezë në vendin tonë. Për këtë do të ndikojë edhe angazhimi i deputetëve për përfshirjen e Shqipërisë në programet e mobilitet të studiuesve dhe studentëve, e cila u propozua nga ministri Bushati. Gjatë takimit, u konfirmua edhe gatishmëria e palës japoneze për të mirëpritur dhe asistuar atletët tanë gjatë Lojrave Olimpike Verore të njohura si Tokio 2020. Takimi ishte gjithashtu një mundësi e mirë për t’i shpjeguar deputetit Hase, i cili në këtë udhëtim shoqërohet edhe nga e bija e tij fotografe, mbi konkursin e MEPJ #ColoursofAlbania, që vijon deri më 30 shtator 2018. Ministri Bushati e ftoi atë të bëhet pjesë e këtij konkursi për të treguar një Shqipëri të parë nga sytë e një 20-vjeçareje japoneze. Më herët, gjatë vizitës së tij në Japoni, në qershor të këtij viti, Ministri Bushati pati ftuar deputetët japonezë për të vizituar Shqipërinë dhe eksploruar rrugë të reja të intensifikimit të lidhjeve dypalëshe. Kohët e fundit Japonia e ka rritur vëmendjen e saj ndaj vendeve të Ballkanit Perëndimor në kuadër të Nismës japoneze për Bashkëpunim me Ballkanin Perëndimor, e lançuar nga Kryeministri Abe gjatë turit të tij në Ballkan dhe Evropën Juglindore në janar të këtij viti.
 
Burimi: Ministria per Evropen dhe Punet e Jashtme

Adresa

Ambasada e Republikës së Shqipërisë
4F Hokkoku Shimbun Bldg.
6-4-8 Tsukiji, Chuo-ku.
Tokyo 104-0045

Tel / Fax

Tel. 03-3543-6861
Fax: 03-3543-6862
Nr. i emergjences: 03-3543-6861

E-MAIL

embassy.tokyo@mfa.gov.al

Orari zyrtar

E hënë – E Enjte 9.00 – 17.00
E premte 9.00 – 15.00