Koncert i muzikes klasike Shqiperi-Kosove

Me rastin e 35 vjetorit të rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Shqipërisë dhe Japonisë dhe 7-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Japonisë dhe Republikës së Kosovës, më 18 Maj, 2016, në një nga sallat emblematike të muzikës klasike japoneze, Oji Hall në Ginza, Ambasada e Republikës së Shqipërisë dhe Ambasada e Kosovës në Tokio organizuan për herë të parë, “Koncertin e muzikes klasike Shqiperi-Kosovë”, tërësisht me artistë nga Shqipëria dhe Kosova, ku morën pjesë Prof. Dr Merita Tershana (pianiste), soprano e TKOB znj. Dorina Selimaji si dhe artistët nga Kosova, Prof. Lule Elezi dhe sopranoja Marigona Qerkezi. Në prezencën e parlamentarëve japonez, trupit diplomatik të akredituar, përfaqësuesve të insitucioneve qendrore e lokale, përfaqsuesve të Ministrisë së Punëve të Jashtme, komunitetit shqiptarë në Japoni si dhe 300 miqve të ftuar, artistet tona falën emocione të fuqishme falë performancës dinjitoze të kryeveprave të Moxartit, Rossinit, Chopin, Verdi dhe pjesëve operistike shqiptare “Dielli ka Prendu” të Prenk Jakovës dhe “Agimet shqiptare” të Avni Mulës. Në fjalën e hapjes, I Ngarkuari me Punë i Republikës së Shqipërisë ne Tokio, z. Armand Shandro i cilësoi marrëdheniet mes vendeve si “shume të mira” dhe shprehu “mirënjohje për ndihmën dhe mbështetjen që shteti japonez i ka ofruar Shqipërisë gjatë viteve” me pritshmërinë për forcimin e mëtejshëm të marrëdhenieve dypalëshe. Z. Shandro gjithashtu shtoi se “ky koncert shërben jo vetëm si një pasqyrë e talentit muzikor shqiptarë por dhe si nje ogur i mirë për ti hapur rrugë aktiviteteve të tjera kulturore”. Koncerti pasoi me një pritje të madhe në hollin e teatrit, ku të ftuarit patën mundësi të takojnë dhe të fotografohen me artistët, si dhe të shijojnë verërat shqiptare nga kantina e verës Cobo dhe ajo e Koosvës “Stone Castle”. Aktiviteti u përcoll nga mediat vendase, përfshi dhe gazetën “The Japan Times”. Reagimi i publikut ishte mjaft pozitiv dhe zgjoi interes për vendin dhe kulturën shqipëtare, deri më tani, pak të njohura në këtë anë të rruzullit. Impakti artistik qe aq i ndjeshëm sa që artistet u ftuan të këndojnë ditën e nesërme, 19 Maj, në hapjen e Konferencës Ndërkombëtare të Rrjetit të Grave, ku marrin pjesë 350 gra në karrierë nga 30 vende të botës. Ky projekt u realizua falë bashkëpunimit shumë të ngushtë disa mujorësh të stafit të dy ambasadave, kompanisë ajrore Turkish Airlines dhe kontributit shumë të cmuar dhe të palodhur të artistëve nga Shqipëria dhe Kosova, Prof. Dr Merita Tershana Dorina Selimaj, Prof. Lule Elezi dhe Marigona Qerkezi.

Adresa

Ambasada e Republikës së Shqipërisë
4F Hokkoku Shimbun Bldg.
6-4-8 Tsukiji, Chuo-ku.
Tokyo 104-0045

Tel / Fax

Tel. 03-3543-6861
Fax: 03-3543-6862
Nr. i emergjences: 03-3543-6861

E-MAIL

embassy.tokyo@mfa.gov.al

Orari zyrtar

E hënë – E Enjte 9.00 – 17.00
E premte 9.00 – 15.00