“Gli Sbarchi Albanesi in Italia nei Primi Anni Novanta” i autorit arbëresh Mario Calivà, botuar nga Besa editrice, mblodhi mè 29 prill 2024, në Ambasadën shqiptare në Romë, miq të mirë të Shqipërisë.
Pas mirëseardhjes drejtuar miqve dhe të ftuarve, Ambasadorja Anila Bitri Lani, u ndal në saktësinë dhe ndjeshmërinë e veçantë me të cilën autori arbëresh i është qasur “mbërritjes” së shqiptarëve në brigjet italiane.
Arsyetimi historik i autorit Mario Calivà mbart edhe ndjeshmëritë që burojnë nga rrënjët arbëreshe, atij populli që në kohë e rrethana të tjera, gjithashtu kapërceu detin në të njëjtin drejtim dhe u shndërrua në pasuri të vyer për Italinë, vendin ku mbërriti.
Ajo u ndal gjithashtu në llojin e veçante te marrëdhënieve të partneritetit strategjik që sot kanë arritur, mbajnë dhe kujdesin të dy vendet tona, Shqipëria dhe Italia.
Në vijim, u përshkrua me thellësi kuadri historik që solli ngjarjet e viteve ’90 në Shqipëri, nga Ambasadori Paolo Foresti, si dhe u vlerësuan arritjet e sotme në marrëdhëniet dypalëshe, nga Deputeti Arnaldo Lomuti, Kryetar i Grupit Ndërparlamentar të Miqësisë Itali – Shqipëri në Dhomën e Deputetëve.
Ndërsa Prof. Giovanni Greco nënvizoi vlerat bashkëjetesës së etnive dhe kulturave të ndryshme në përkatësinë e qytetarisë evropiane.
Përgëzime, suksese botimit dhe autorit të tij, i shkuan nga të gjithë të ftuarit, ndjekës të eventit dhe njohës në vetë të parë, të ndodhive të emigracionit, si Lorik Cana dhe dëshmitarë të tjerë.