Më datë 29.10.2014, Konsulli i Përgjithshëm në Bari, z. Ermal Dredha zhvilloi një takim me Drejtorin e Pergjithshëm te Policisë së Shtetit për Barin, Kuestorin Antonio De Iesu.
Ky takim u kërkua nga ana e Konsullatës, me qëllim prezantimin e Konsullit të Përgjithshëm, por edhe për të biseduar për çështje të ndryshme me rëndësi të bashkëpunimit dypalësh dhe sigurisë.
Kuestori i Barit siguroi mbështetjen e tij dhe të Policisë së Shtetit për një bashkëpunim më të ngushtë dhe të drejtpërdrejtë me Konsullatën shqiptare në Bari.
Në qendër të bisedës ishte çështja e grabitjeve në Bari, për të cilën Kuestori De Iesu informoi se autoritetet policore italiane janë në luftë të përditshme me këtë fenomen. Ai falenderoi Konsullin për iniciativën e ndërmarrë për të sensibilizuar sa më shumë qytetarët shqiptarë për të qenë të kujdesshëm ndaj vjedhjeve, si dhe garantoi angazhimin maksimal të autoriteteve të policise së Barit.
Kuestori De Iesu informoi gjithashtu per bashkëpunimin me autoritetet shqiptare në luftën kundër trafikut ndërkomëtar të lëndëve narkotike dhe qënieve njerëzore. U informua nga ana e Konsullit të Përgjithshëm lidhur me punën e shtetit shqiptar për asgjesimin e lëndëve narkotike dhe përpjekjet për parandalimin e trafikimit të tyre.
U la e hapur mundësia për një shkëmbim vizitash me homologët e tij shqiptarë, në Tiranë apo në Durrës, për të bashkëpunuar më ngushtë, sidomos në kuadër të luftës kundër trafiqeve.