Shenjtërimi i Nënë Terezës

Nënë TEREZA (Agnes Gonxhe Bojaxhiu, 1910-1997). Misionare katolike e përkushtuar ndaj të varfërve, të sëmurëve dhe nevojtarëve. Lindi në Shkup më 26 gusht 1910 në një familje katolike shqiptare të vendosur atje nga Shkodra. Mësimet e para i mori në një shkollë të Shkupit dhe në moshën 18-vjeçare iu dorëzua urdhrit fetar katolik Loreto. U largua nga Shkupi në shtator 1928 dhe u bë murgeshë në Dublin të Irlandës. Në nëntor u vendos dhe shërbeu në Kalkutë (Indi), ku bëri betimin si motër e Loretos dhe mori emrin Tereza. Pasi kreu specializimin si anëtare e urdhrit Loreto, dha mësim në shkollën e këtij urdhri në Kalkutë dhe më 1937 u bë drejtoreshë e shkollës. Më 17.08.1948 u largua nga urdhri Loreto dhe veshi uniformën e saj të re të Sari-t (e bardhë me shirita blu) dhe filloi misionin për t’u shërbyer “më të varfërve të të varfërve me gjithë zemër dhe pa interes”; po atë vit mori dhe shtetësinë indiane. Në v. 1950, me miratimin e Selisë së Shenjtë, N.T. themeloi “Urdhrin e Bamirësisë” dhe filloi të kujdeset për të sëmurët nga gërbula (lebra). N.T. me mirësinë, humanizmin dhe përkushtimin e saj bëri për vete mijëra vajza dhe gra të gatshme për sakrifica të mëdha njerëzore, që përkujdeseshin edhe për të sëmurët me sëmundje ngjitëse të rënda. Në shkurt 1953, së bashku me 26 misionare të saj, hapën në Kalkutë “shtëpinë e Nënës” dhe më 1960 shtëpinë e parë për të varfrit jashtë Kalkutës. Kjo u pasua nga hapja e shtëpive të tilla në qytete të tjera të Indisë dhe jashtë saj. Më 1965 “Urdhri i Bamirësisë” tërhoqi vëmendjen e Vatikanit, që e mori në varësi të drejtpërdrejtë. Me shërbimet e saj humanitare Nënë Tereza u bë gruaja më e admiruar në opinionin botëror dhe u nderua me shumë çmime e shpërblime të larta, si "Padma Shri" (Urdhri i Lotusit) nga Presidenti i Indisë (1962), Shpërblimi "Për Mirëkuptimin Ndërkombëtar" nga Kryeministri i Indisë Xh. Nehru (1972), "Çmimi i Parë për Përparim në Fe" nga qeveria britanike (1973) dhe Çmimi Nobel i Paqes (1979). Të gjitha përfitimet morale e materiale nga këto çmime dhe shpërblime i përdori në mbështetje të veprimit të saj humanitar në gjithë botën. "E di që jemi një pikë në oqeanin e mjerimit e të vuajtjes njerëzore, por nëse s'do të ishim ne, mjerimi dhe vuajtjet do të ishin edhe më të mëdha", shprehej ajo. Deri në v.1990 N.T. kishte hapur 456 qendra në më shumë se 100 vende të botës. N.T. mundi të vijë për herë të parë në Shqipëri më 15.08.1989, për të bërë homazhe në varret e nënës dhe motrës së saj të varrosura në Tiranë; vizitoi Shqipërinë edhe në dhjetor 1990, mars e qershor 1991, gusht 1992, prill 1993 (me Papa Gjon Palin II), shtator–tetor 1994 dhe qershor 1995. Misioni i saj në Shqipëri u hap më 1991; po këtë vit kërkoi dhe mori pasaportën shqiptare. Në v. 1996 u dekorua me Urdhrin "Nderi i Kombit". N.T. vdiq më 5 shtator 1997 dhe u varros në Kalkutë. Dy vjet më vonë, në korrik 1999, Papa Gjon Pali II dha leje të posaçme që N.T. të hynte në procedurën e shenjtërimit. Për këtë qëllim u krijua dhe një komision dioqezian. Një raport prej 35.000 faqesh për jetën e N.T., si pjesë e procesit të shenjtërimit të saj, u dërgua në Vatikan nga Kalkuta. Në tetor 2003 Papa Gjon Pali II organizoi një ceremoni të madhe në Vatikan për lumturimin e N.T. Me këtë rast Vatikani botoi një biografi të shkurtër të N.T., që fillon me një pohim të saj të v. 1995: "Me gjak jam shqiptare, me shtetësi jam indiane dhe me zemër i përkas Jezu Krishtit". Sot Urdhri i N.T. numëron mbi 4000 misionare dhe mbi 100 mijë vullnetare, që veprojnë në rreth 100 vende të botës. Më 4 shtator 2016 do të bëhet shenjtërimi i Nënë Terezës.

Data e emetimit: 04.09.2016 

Emisioni përbëhet nga 1 pullë 

Autor: Gentjan Gjikopulli

Vlera e pullës: 120 lekë

Tirazhi: 39000 pulla (120-lekëshe)

Përmasat e pullës: 31 x 43 mm

Kompozimi i tabakut: 9 pulla në tabak

Kompozimi i tabakut për shërbim postar: 28 pulla në tabak (120-lekëshe)

Karnete: 3000 copë

Çmimi i karnetës: 205 lekë

Zarfe të ditës së parë: 400 copë 

Çmimi i zarfit të ditës së parë me pullë: 370 lekë

Shtypur në Shqipëri nga Adel CO

Adresa

Via: Pasquale Villari, N.50,
70122 Bari, (BA)

Tel/ Fax

Nr. cel: 0039/0808976960

Nr. i emergjencës: 0039/ 3477824384

E-MAIL

consulate.bari@mfa.gov.al

Për komunikim me qytetarët: konsullore.bari@mfa.gov.al

OPENING TIMES

Monday to Friday
09:00 - 17:00