Ministri Ditmir Bushati pret në takim Ministrin e Punëve të Jashtme të Italisë Angelino Alfano

Ministri i Punëve të Jashtme Ditmir Bushati priti më 14 mars në një takim Ministrin e Punëve të Jashtme të Republikës së Italisë Angelino Alfano, i cili po zhvillon një vizitë pune në Shqipëri.

Dy homologët biseduan mbi fuqizimin e mëtejshëm të Partneritetit Strategjik midis dy vendeve, procesin e integrimit europian të Shqipërisë dhe zhvillimet e fundit në rajon, me fokus të veçantë situatën e sigurisë.

Vizita e Ministrit Alfano zhvillohet edhe në kuadrin e marrjes nga Italia të Kryesisë së radhës së Procesit të Berlinit dhe përgatitjeve të Samitit të Triestes më 12 korrik. Dy bashkëbiseduesit ndanë mendimin se ky Samit duhet të shihet si një mekanizëm për arritjen e rezultateve të prekshme për qytetarët dhe si një instrument gjithëpërfshirës, në mbështetje të agjendës së integrimit europian të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Ritheksimi i perspektivës së anëtarësimit bëhet edhe më i domosdoshëm në kuadrin e sfidave të përbashkëta të sigurisë me të cilat po përballet hapësira euro-adriatike.

Më tej, Ministri Bushati falënderoi Italinë për mbështetjen e pakursyer në procesin e përafrimit të Shqipërisë me familjen evropiane dhe të zbatimit të reformave kyce, si rezultat i të cilave Shqipëria është më pranë hapjes së negociatave me BE-në.

“Reforma në Drejtësi, veçanërisht Vettingu, është elementi thelbësor jo thjesht për hapjen e bisedimeve për anëtarësim me BE-në, por hapi themelor për ringritjen e besimit të qytetarëve shqiptarë te institucionet e shtetit të së drejtës... Ne i kemi miratuar ndryshimet në Kushtetutë dhe paketën ligjore të reformës në unanimitet të plotë, si rrallëherë në politikën shqiptare. Dhe kjo reformë nuk ka kthim pas”, u shpreh Ministri Bushati.

Duke vlerësuar lart përpjekjet e qeverisë shqiptare në përmbushjen e reformave dhe forcimin e Shtetit të së Drejtës, Ministri Alfano garantoi se Italia do të vazhdojë të jetë një avokate e integrimit të vendit tonë në BE.

Lidhur me zhvillimet e fundit në rajon, dy Ministrat theksuan se fuqizimi i bashkëpunimit rajonal, kultura e dialogut dhe e gjithëpërfshirjes përbëjnë parakusht për thellimin e perspektivës së përbashkët europiane. Në këtë kontekst, Ministri Alfano vlerësoi maksimalisht lidershipin dhe angazhimin parimor të vendit tonë në rajon.

“Vendet e Ballkanit kanë rëndësi strategjike jo vetëm për Italinë, por për të gjithë Europën. Rreziku i destabilitetit në vendet e Ballkanit po rritet dhe kjo mund të vendosë në dyshim rezultatet e arritura deri tani. BE duhet të riafirmojë rolin e saj si partnere kryesore e rajonit dhe të dërgojë një mesazh të fortë dhe konkret bashkëpunimi në të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor. Italia e konsideron Shqipërinë si një aktor kyç në rajonin e Ballkanit, një aktor që vitet e fundit ka kontribuar për stabilitetin në rajon”, u shpreh Ministri Alfano.

Adresa

Via: Pasquale Villari, N.50,
70122 Bari, (BA)

Tel/ Fax

Nr. cel: 0039/0808976960

Nr. i emergjencës: 0039/ 3477824384

E-MAIL

consulate.bari@mfa.gov.al

Për komunikim me qytetarët: konsullore.bari@mfa.gov.al

OPENING TIMES

Monday to Friday
09:00 - 17:00