Përurohet në Romë një shesh me emrin e Heroit Arbëresh “Terenzio Tocci”. Shfaqet dokumentar kushtuar jetës së tij dhe bëmave në Shqipëri... Merr pjesë në manifestime Ambasada e Shqipërisë pranë Selisë së Shenjtë.

U përurua në Romë një shesh me një emër të ri, atë të Heroit Arbëresh “Terenzio Tocci”, i cili jetoi dhe veproi në Shqipëri në shekullin e kaluar deri në mbarimin e Luftës II Botërore.
Në rrethrrotullimin e zonës Mostacciano, pllaka e mermertë me emrin e tij ishte
e mbuluar me dy flamuj, atë Shqiptar dhe atë Italian.
Pasi u dëgjuan dy himnet kombëtare të Italisë dhe të Shqipërisë, nipi i Terenc Toçit, që mban po emrin e gjyshit të tij, falenderoi të pranishmit që kishin ardhur në ditën më të bukur të jetës së tij, bashkinë për vendimin e marrë, praninë e ambasadës së Shqipërisë pranë Selisë së Shenjtë.
Nga autoritet lokale foli presidentja e komisionit të marredhënieve me jashtë nga Komuna e Romës, zonja Valentina, e cila tha se përpjekjet e tyre më së fundi u kurorëzuan, ky shesh mori emrin “Terenc Toci, të shqiptaro-italianit që të bën për vete me bëmat e tij të guximshme në dobi të vendit dhe të njerëzve.
 
I Ngarkuari me Punë i Ambasadës së Shqipëri në Shtetin e Vatikanit, Visar Zhiti, u foli të pranishmëve për jetën e Terenc Toçit, vlerën e saj sot, si një urë miqësie dhe bashkëpunimi mes dy vendeve tona. Kultura katolike e arbëreshit tonë e bëri atë që të mos shikonte armiq në jetën e tij, por kundërshtarë me të cilët mund të bashkëpunonte. Lindi në Kalabri në 1880 në Shën Kozmo dhe është i vetmi arbëresh që kundëremigroi, erdhi t’i shërbejë çështjes kombëtare në dheun amë me penë dhe armë. Ngriti Flamurin kombëtar një vit para shpalljes së Pavarësisë, në Mirditën në 1911 ku kishte përgatitur kryengritjen kundër pushtimit otoman.                                                                                       
Sot në Fan të Mirditës është vendosur dhe busti i tij.  
Terenc Toçi mori pjesë në Kongresin e Triestes më 1913 dhe pastaj në Shqipërinë e pavarur gjatë kohës së mbretërisë punoi si prefekt në Korçë, deputet, ministër i ekonomisë. Gjatë pushtimit fashisto-nazist të vendit ishte në Këshillin e Lartë Korporativ, etj. Sipas tij, ai punonte me këdo në dobi te Shqipërisë dhe kur erdhën komunistët në pushtet, nuk iku nga Shqipëria, por priti të vazhdonte detyrat që mund t’i besoheshin. E pushkatuan në vitin 1945 me 16 të tjerë të dënuar me vdekje si kolaboracionistë. Historia duhet të pajtohet me veten, përfundoi Zhiti, dhe të bashkëpunojmë për paqen.
Më pas të pranishmit e shumtë, qytetarë shqiptarë dhe italianë, ndoqën dokumentarin kushtuar arbëreshit Terenc Toçi “Mirazhi Adriatik” të regjisorit Gilberto Martinelli, autor i shumë filmave mbi raportet historike dhe diplomatike të Italise me vendet e tjera. Jetën e Terenc Toçit ai trajtoi si të një njeriu të lirë me një fund paradoksal tragjik.  
I gjithë ky manifestim dha mesazheje të mirëkuptimit me historinë dhe të bashkëpunimit për të një ardhme më të mirë paqeje e prosperiteti për Shqipërinë Europiane. 

Postal Address

Embasy of Albania
Via ottaviano 43, Scala B,
interno 3, 00192 Roma, Italia

Tel / Fax

Tel: +39 06 39721599
Fax: +39 06 39038231

E-MAIL

embassy.vatican@mfa.gov.al

OPENING TIMES

Monday to Friday
09:00 - 17:00