Vizitë e Ministrit Bushati në Uashington DC

Gjatë vizitës së fundit në Uashington DC, në datat 19-20 prill 2017, Ministri Bushati zhvilloi takime me Zëvendës-Këshilltaren e Presidentit Trump për Sigurinë Kombëtare, K.T. McFarland,  me Nënsekretarin e Shtetit Thomas Shannon, si dhe me Nën-Sekretaren e Politikave të Mbrojtjes, Theresa Whelan.
Gjatë takimit me znj. McFarland palët biseduan mbi konsolidimin e partneritetit strategjik SHBA - Shqipëri, sidomos në fushat me interes afatgjatë për sigurinë dhe mirëqenien e të dyja vendeve. 
Pjesë e rëndësishme e diskutimeve ishin zhvillimet e fundit dhe sfidat e sigurisë në rajonin tonë, si dhe angazhimi parimor i Shqipërisë në këtë kontekst. McFarland u shpreh se “Shtetet e Bashkuara e mbështesin fuqimisht partneritetin strategjik me Shqipërinë”.
Në takimin me Zv. Sekretarin e Shtetit, Tom Shannon, bashkëbiseduesit trajtuan forcimin e bashkëpunimit midis dy vendeve në kuadër të partneritetit strategjik, si dhe rritjen e bashkëveprimit në përballjen e sfidave të përbashkëta siç është lufta kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm.
Bashkëbiseduesit u ndalën mbi zhvillimet e fundit në rajon, rolin konstruktiv të Shqipërisë në forcimin e bashkëpunimit rajonal, si dhe rëndësinë e kontributit të vendit tonë në përmirësimin e mjedisit të sigurisë në Evropën Jug-Lindore.
Teksa rikonfirmoi partneritetin e ngushtë midis dy vendeve, Zv. Sekretari Shanon nënvizoi “mbështetjen e fuqishme të Shteteve të Bashkuara për zbatimin e reformës në drejtësi si dhe angazhimin e përbashkët në mbrojtje të vlerave të demokracisë, shtetit të së drejtës dhe të drejtave të njeriut”. 
Palët ranë dakord se progresi i reformave shtet-konsoliduese dhe fryma e bashkëpunimit, në frymën e vlerave dhe perspektivës euro-atlantike, mbeten akset kryesorë të përforcimit të paqes dhe stabilitetit demokratik në rajonin tonë.
Në takimin me Nën-Sekretaren e Politikave të Mbrojtjes, Theresa whelan,biseda pati në fokus nevojën e forcimit të bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes, në përgjigje edhe të sfidave të sigurisë me të cilat po përballet hapësira euro-atlantike. Bashkëbiseduesit theksuan nevojën e një vëmendje të shtuar ndaj rajonit dhe të bashkërendimit të përpjekjeve për të forcuar stabilitetin demokratik dhe përmirësuar mjedisin e sigurisë.

Adresa

Ambasada ne Uashington
2100 S Street, NW
Washington DC 20008

Tel / Fax

Tel.: +1-202-223 4942
Fax: +1-202-628 7342

E-MAIL

embassy.washington@mfa.gov.al

Orari zyrtar

E hënë- E premte
09:00 - 15:00