Takim me përfaqësues të komunitetit shqiptar në Los Anxhelos

Gjatë vizitës në Kaliforni, Ambasadorja Faber u mirëprit në një takim miqësor me përfaqësues të komunitetit shqiptar, biznesmenë dhe të rinj profesionistë në fusha të ndryshme në Los Anxhelos. Pjesëmarrësit diskutuan mbi mënyrën e organizimit të komunitetit në këtë zonë, si edhe projektet e tyre në këtë kuadër. Theksi u vu në rëndësinë e ruajtjes së traditave dhe vlerave tona kombatëre si edhe përçuarjen e tyre tek brezi i ri.
Ambasadorja Faber i bëri me dije bashkëkombasit tanë mbi nismat që Qeveria shqiptare ka ndërmarrë në kuadër të forcimit të marrëdhënies me diasporën shqiptare duke vënë në dukje prioritetin e Qeverisë për një marrëdhënie më të fortë me diasporën, duke përmendur edhe hapat konkretë për realizimin e saj, si ndërtimi i institucioneve të reja të Diasporës, shërbimin sa më të mirë ndaj qytetarëve si Shërbimet Konsullore Online (SHKO) që ka për qëllim minimizimin e kohës së marrjes së shërbimeve online të nevojshme.
Gjatë këtij takimi i cili u zhvillua në formën e një bashkëbisedimi Ambasadorja Faber pati kënaqësinë t’u përgjigjej një sërë pyetjesh të natyrës konsullore, të një kurioziteti dhe dëshire të pafund të secilit që ndodhej në atë sallë. Në fjalën e saj, Ambasadorja theksoi rëndësinë e Diasporës shqiptare si një faktor përcaktues në zhvillimin e kombit tone si edhe një nga historitë e mëdha të suksesit me një rol jetësor në shtetndërtimin e tij.
Vlen për t’u theksuar se nga komuniteti në Los Anxhelos u vlerësua kjo vizitë si më e veçanta dhe më e rralla ndër vite e një përfaqësuesi të shtetit shqiptar.
Gjatë kësaj vizite, Ambasadorja u takua dhe me disa bashkëatdhetarë nga San Diego, te cilët jetojnë atje prej shumë vitesh. Në bisedë ajo mundësoi njohjen dhe komunikimin e afërt me këtë grup të ardhur kryesisht nga Shqipëria gjatë dy dekadave të fundit. Ajo gjithashtu bëri një takim të ngushtë edhe me përfaqësues të komunitetit shqiptar në Palo Alto, profesionistë të sistemit financiar dhe ekspertë në fushën e IT- me të cilët u fol për një numër projektesh që mund të kenë potencial zhvillimi në Shqipëri.

Adresa

Ambasada ne Uashington
2100 S Street, NW
Washington DC 20008

Tel / Fax

Tel.: +1-202-223 4942
Fax: +1-202-628 7342

E-MAIL

embassy.washington@mfa.gov.al

Orari zyrtar

E hënë- E premte
09:00 - 15:00