Sesioni i 74-t i Asamblesë së Kombeve të Bashkuara.

U përmbyll me sukses Sesioni i 74-t të Asamblesë së Kombeve të Bashkuara.
Veç axhendës që parashikonte segmentin multilateral ku u diskutuan aktivisht sfidat dhe prioritetet e OKB-se, axhenda e Kryeministrit Rama dhe Minisitrit në Detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme përfshiu takime dypalëshe me përfaqesues të lartë të SHBA-ve, nënshkrim marreveshjesh dypalëshe, takime me Përfaqësues të vendeve të Amerikës Latine si edhe takime dhe aktivitete me përfaqësues të Diasporës.
Java filloi me disa aktivitete dedikuar tërësisht diasporës çka tregon më së miri rëndësinë e tejskajshme që ka diaspora shqiptare në SHBA dhe kudo në botë për Qeverinë Shqiptare. Vizita e parë u zhvillua në shkollën “Children of the eagle” në Nju Roshell, ku Ministri Cakaj përmbylli fushatën e MEPJ-së për shpërndarjen e librave në diasporë. Më tej, takimet me diasporën vijuan me takime dypalëshe me përfaqësuesit më të lartë të saj. Aktivitetet u kurorëzuan me pritjen me përfaqësuesit e komunitetit shqiptare ku u ndanë edhe çmimet “Ambasador i Kombit”, të akorduara gjatë Samitit të Dytë të Diasporës për disa personalite të komunitetit, për kontributin e tyre në fusha të ndryshme.
Takimet dypalëshe me palën amerikane zunë një vend të veçantë në axhendën e delegacionit shqiptar. Kryeministri Rama dhe Ministri Cakaj zhvilluan takime me znj. Marie Royce, Nd/Sekretare e Shtetit për Edukimin, z. Philip Reeker Nd/Sekretar i Shtetit në detyrë, z. Matthew Palmer, i Dërguari Special për Ballkanin Perëndimor, z. Jonathan Moore, Zv/Ndihmës Sekretari kryesor për Byronë e Organizatave Ndërkombëtare, si edhe takimi i Ministres Balluku me z. Frank Fannon Nd/Sekretar i Shtetit për Burimet e Energjisë.
Gjatë këtyre takimeve u rikonfirmuan marrëdhëniet e shkëlqyera ndërmjet dy vendeve dhe nxitja e bashkëpunimit të mëtejshëm në fushat me interes të përbashkët bazuar në Dokumentin e Partneritetit Strategjik, i cili tashmë është udhërrëfyesi i marredhenieve tona.
Kuadri dypalësh me SHBA kulmoi me nënshkrimin e Marrëveshjes në fushën e arsimit ndërmjet Nd/Sekretares së Shtetit për Edukimin znj. Marie Royce dhe Ministri Cakaj, i cili u konsiderua edhe si një gurë themeli i marrëdhënieve në këtë fushë. Marrëveshja parashikon një kontribut substantial të Qeverisë Shqiptare që nëpërmjet programit të shkëmbimit Fulbright të rrisë numrin e studentëve dhe të rinjve shqiptar për të studiuar në Universitetet më të mira amerikane të cilët do të sjellin këtë eksperiencë në Shqiperi.
Gjithashtu, java përmbajti takime të nivelit të lartë me vendet e Amerikës Latine, të cilat kishin si qëllim kryesor rritjen e bashkëpunimit në rrafshin dypalësh nëpërmjet nxitjes së bashkëpunimit ekonomik, lehtësimin e lëvizjes së lirë si edhe në atë shumëpalësh specifikisht në mbështetjen e kandidaturës së Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit 2022-2023, si edhe njohjen e Republikës së Kosovës per ato vende që nuk e kanë bërë ende. Në këtë kuadër u nënshkrua me Republikën Domenikane Memorandumi i Bashkëpunimit ndërmjet dy Ministrive te Jashtme, dokument i cili do të intensifikojë dhe nxisë marrëdhëniet ndërmjet dy institucioneve tona.
Java intensive e UNGA74 përfundoi me sukses duke nxjerrë në pah detyrat dhe axhendën për vitin e ardhshëm.

Adresa

Ambasada ne Uashington
2100 S Street, NW
Washington DC 20008

Tel / Fax

Tel.: +1-202-223 4942
Fax: +1-202-628 7342

E-MAIL

embassy.washington@mfa.gov.al

Orari zyrtar

E hënë- E premte
09:00 - 15:00