
Në mesazhin e Ambasadores Faber drejtuar Presidentit Obama theksohej shprehja e mirënjohjes për mbështetjen dhe kontributin e vazhdueshëm të ShBA në mbështetje të reformave integruese në vend, forcimit të institucioneve demokratike dhe organeve ligjzbatuese. Gjithashtu, në mesazh nënvizohej se nënshkrimi i Dokumentit të Partneritetit Strategjik është tregues i partneritetit të ngushtë midis dy vendeve dhe një hap i rëndësishëm drejt thellimit të mëtejshëm të bashkëpunimit në interes të dy vendeve tona.
Në përgjigje të këtij mesazhi, Presidenti Obama nënvizoi se “Shqipëria dhe ShBA kanë ruajtur angazhimin e përbashkët për të promovuar demokracinë, të drejtat e njeriut, paqen dhe prosperitetin. Shqipëria dhe ShBA kanë ngritur një aleancë të fortë”. Në mesazh vlerësohet kontributi i Shqipërisë si aleate e NATO-s për stabilitetin global, si dhe kontributi ynë si vend anëtar i Koalicionit Global Kundër ISIL.
Në mesazh, Presidenti Obama thekson angazhimin e ShBA për të mbështetur integrimin e plotë të Shqipërisë në BE, duke vënë në dukje vazhdimin e përkushtimit dhe punës së madhe të qeverisë për të zbatuar reformat e nevojshme për anëtarësimin në BE.