Një Ditë Shqiptare në Uashington DC

Për të tretin vit rradhazi, Ambasada zhvilloi aktivitetin “Ditë Shqiptare në Uashington DC”, me një grup të përzgjedhur studentësh shqiptarë dhe shqiptaro-amerikanë që studiojnë në universitete të ndryshme në SHBA.
Ky aktivitet ka për qëllim ndërgjegjësimin e të rinjve shqiptaro-amerikanë dhe nxitjen e përfshirjes së tyre në rritjen e gjithë gamës së shkëmbimeve midis Shqipërisë dhe SHBA-ve. Programi 2-ditor u ofron studentëve njohjen me veprimtarinë diplomatike të Ambasadës së Shqipërisë në Uashington DC, mënyrën e bashkëveprimit me institucionet amerikane si dhe ofron disa mundësi dhe perspektiva të reja për angazhimin e studentëve.
Takimi tradicional i mirëseardhjes nga Ambasadorja Faber i njohu studentët me prioritetet e diplomacisë shqiptare në SHBA dhe u ndal veçanërisht në bashkëpunimin e ngushtë me diasporën. Prezantimi i studentëve pjesëmarrës në program shpalosi potencialin e këtij grupi, me studentë që kishin përfaqësuar Shqipërinë dhe tani shkollat ku studiojnë në olimpiada dhe sporte. Díter Bitri, Klajdi Sosoli, Deana Celaj, Ujeza BArdhi, Klavio Meca, Marea Spahiu, Neda Qosja, Arbana Grembi, BElma Fishta, Mishel Kisi, kanë arritur rezultate të larta gjatë studimeve, por dhe kanë punuar seriozisht për të ruajtur gjuhën shqipe. Disa prej tyre tashmë japin kontribut tek komunitetet shqiptare në shtetet ku ato jetojnë.
Dita e dytë filloi me vizitën në Pentagon, institucioni ku merren vendimet e rëndësishme në fushën e sigurisë dhe Mbrojtjes, ku studentët u pritën nga Drejtori që mbulon Shqipërinë Koloneli Lintzenich. Drejtori i Rajonit u shpjegoi studentëve rëndësinë e këtij institucioni emblemë në fushën e mbrojtjes duke i treguar atyre detaje që nga mënyra e ndërtimit të godinës dhe funksionet e saj. Kuriozitetet e punës së përditshme të një punonjësi në Pentagon e bëri vizitën akoma dhe më intriguese duke parë e prekur nga afër jetën e një ushtaraku apo civili që jeton në një qytet si Pentagoni, brenda një qyteti kaq të rëndësishëm si Uashingtoni. Koloneli Leintzenich u tregoi studentëve shqiptarë mbi bashkëpunimin e shkëlqyer të Shqipërisë dhe SHBA në fushën e mbrojtjes si dhe rolin e rëndësishëm të angazhimeve të vendit tonë në Aleancën e Atlatikut të Veriut.
Gjatë takimit në Departamentin Amerikan të Shtetit, Zv/Drejtori rajonal që mbulon Shqipërinë, Mike Konstantino, u foli studentëve mbi ecurinë e marrëdhënieve ndërmjet SHBA-Shqipëri bazuar në Dokumentin e Partneritetit Strategjik, konfirmoi marrëdhëniet e shkëlqyera ndërmjet dy vendeve tona dhe shpjegoi rendësinë e reformave të ndërmarra. Në një tjetër takim, po në DASH, takimi u zhvillua me përfaqësues të Byrosë së Edukimit dhe Kulturës, të cilët i njohën studentët me programet e shkëmbimit dhe bashkëpunimit në fushën e arsimit dhe potencialin e këtyre programeve. Biseda u ndal në Memorandumin e Bashkëpunimit për rritjen e numrit të bursave “Fulbright”, këtë herë mbështetje e qeverisë shqiptare për të rinjtë shqiptare që përzgjidhen dhe studiojnë me sistemin e Fulbright. Fituesit e Bursave Fulbright kanë mundësi për të studiuar në Universitetet më të mira amerikane, por ato kthehen dhe kontributin e tyre e japin në Shqipëri.
Vizita në Zyrat Qëndrore të FBI ishte një nga takimet mbresëlënëse, me informacione unike mbi funksionimin e Byrosë Kombëtare të Hetimit në SHBA. Znj. Barbara Peattie, Specialistja që mbulon Shqipërinë në FBI, pasi i njohu me aktivitetin e këtij institucioni u fokusua më tej në bashkëpunimin e ngushtë të agjensive ligjzbatuese amerikane me institucionet homologe shqiptare. Vizita në Muzeun e FBI-së dha mundësi të flitet në detaje mbi objektin e punës së FBI-së, të ilustruara këto me informacione dhe objekte reale.
Kongresi Amerikan është institucioni ku ballafaqohen legjislacioni dhe përfaqësuesit e vendit. Këtu takimi ishte rezervuar me Kongresmenin Robert Aderholt, bashkëkryetar i Grupit të Çështjeve shqiptare në Kongres dhe njëkohësisht një mik i vjetër i Shqipërisë. Studentët u njohën me mënyrën e funksionimit të Kongresit dhe me mënyrën si është e organizuar dita e punës së një kongresmeni, pjesëmarrja në komisione, komunikimi me zgjedhësit, raportet me publikun apo marrëdhëniet ndërkombëtare. Kongresmeni Aderholt e ka vizituar disa herë Shqipërinë ashtu si një numër i madh ligjvënësish amerikanë. Karriera e tij politike fillon në një vit të rëndësishëm për historinë e Kosovës në vitin 1997 dhe kongresmeni Aderholt pati mundësinë t’u tregojë studentëve mbi përpjekjet e Kongresit amerikan në mbështetje të Kosovës dhe padyshim rolin e vazhdueshëm mbështetës të Shqipërisë.
Më konkretisht, si funksionojnë Komisionet e Kongresit dhe çfarë impakti mund të kenë ato për marrëdhëniet e Kongresit me një vend të vogël si Shqipëria? Drejtori i Stafit të Kryetarit të Komisionit të Çështjeve të Jashtme të Kongresit Amerikan, Jason Steinbaum, një njohës shumë i mirë i Shqipërisë, Kosovës dhe gjithë rajonit, u foli studentëve për çështjet kryesore që janë aktualisht në agjendën e këtij Komisioni si dhe me procedurat se si operon Komisioni dhe mbi të gjitha me fokusin e politikës së jashtme të SHBA-ve dhe mbështetjen e vazhdueshme nga ajo Sallë e Komisionit për vendet partnere si Shqipëria. Kontributi thelbësor shumëvjeçar i Kongresmenit Eliot Engel në mbrojtje të çështjes shqiptare në Kongres, rezolutat e dala, vendimet e marra, janë shembulli më i mirë i kësaj mbështetje. Ishte nga bashkëbisedimet më interesante për studentet, të cilët në mënyrë të paimprovizuar u akomoduan në sallën e Komisionit të Jashtëm si ligjvënës të vërtetë, duke e bërë akoma dhe më komode bisedën.
Natyrshëm, vizita në studion e Zërit të Amerikës, kishte brenda emocionin dhe dëshirën për të mësuar se si funksionon media më e madhe amerikane për lajmet ndërkombëtare. Pas vizitës në studio ku çdo ditë flitet shqip, një nga ikonat e VoA, tashmë veteran i Zërit të Amerikës, Z. Elez Biberaj foli drejtëpërdrejtë me studentët. Biseda mbi historikun e këtij institucioni, si dhe rëndësinë e medias në zhvillimin dhe konsolidimin e shoqërive demokratike, natyrshëm u fokusua tek 76 vitet e transmetimeve radiofonike në gjuhën shqipe, tashmë prej 15 vitesh edhe atyre televizive dhe sot mjaft fuqishëm edhe në mediat sociale. Doke pozuar të gjithë sëbashku para flamurit shqiptar në zemër të VoA, Z. Biberaj tha: “We did what we did” tashëm ka ardhur koha që të kthehemi në Shqipëri”!.
Ky është dhe mesazhi i këtij aktiviteti, veçanërisht rinia e diaposrës Shqiptare në Shtetet e Bashkuara duhet t’i kthejë sa më shumë sytë nga Shqipëria.
Mirë u takofshim sërish në Ditë shqiptare në DC 2020

Adresa

Ambasada ne Uashington
2100 S Street, NW
Washington DC 20008

Tel / Fax

Tel.: +1-202-223 4942
Fax: +1-202-628 7342
Nr e emergjences: +1 347 241 4434
+ 1 202 758 9526;

E-MAIL

embassy.washington@mfa.gov.al

Orari zyrtar

E hënë- E premte
09:00 - 15:00