Ministri Panariti zhvillon vizitë pune në Uashington DC

Në datat 8-14 korrik 2016, Ministri i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujrave, z. Edmond Panariti, zhvilloi një vizitë pune në Uashington. Gjatë kësaj vizite, Ministri Panariti zhvilloi takime me Administratorin për për Shërbimet dhe Politikat e Jashtme në Departamentin e Bujqësisë, z. Phil Karsting, me Drejtorin Ekzekutiv për Shqipërinë, Italinë, Greqinë, në Bankën Botërore, z. Patrizio Pagano, me Drejtorin për Politikat Bujqësore në Departamentin e Shtetit, z. Eric Luftman dhe Drejtorin e Zyrës për Europën Qendrore, z. Thomas Yazdgerdi, si dhe me Kongresmenët David Rouzer dhe Aderholt.
 
Gjatë takimit me Administratorin Karsting, Ministri Panariti prezantoi strategjitë e ndërmarra nga Qeveria shqiptare për zhvillimin e sektorit bujqësor, duke vënë theksin tek ndërtimi i kapaciteteve të cilat u ofrojnë vlera të shtuara prodhimeve bujqësore si serat, magazinat frigoriferike, pikat grumbulluese dhe linjat përpunuese. Ai theksoi se, falë kësaj qasjeje të re, vëllimi i prodhimeve bujqësore, kryesisht fruta dhe perime, ka pasur rritje të qenësishme dhe shifra e eksporteve është në rritje me 30%, krahasuar me një vit më parë.
 
Në takimin me Drejtorin Pagano, Ministri Panariti, theksoi rëndësinë e mbështetjes së Bankës Botërore, nëpërmjet investimeve në konsolidimin e strukturave mbrojtëse, digave dhe përmirësimin e sistemit të vaditjes dhe kullimit. Ai nënvizoi se Banka Botërore duhet të luajë një rol vendimtar në unifikimin e praktikave doganore për sa i përket certifikatave fito-sanitare, për të lehtësuar tregtinë, në veçanti me vendet fqinje, për të evituar bllokimet e mallrave në pikat doganore.
 
Gjatë takimit me përfaqësuesit e Departamentit të Shtetit Ministri Panariti theksoi nevojën e mbështetjes amerikane për certifikimin e prodhimeve organike dhe eksportimin e tyre drejt tregut të SHBA. Në këtë kuadër, ai informoi të pranishmit mbi vijueshmërinë e procesit të certifikimit të prodhimeve organike, duke nënvizuar se aktualisht këtë status e kanë fituar rreth 200 firma. Gjithashtu, Ministri Panariti kërkoi mbështetjen për krijimin e bursës bujqësore, si rregullator i çmimeve dhe parandalues i spekulimeve.
 
Gjithashtu, Ministri Panariti kërkoi mbështetjen e ShBA me projekte të ndryshme që fokusohen në shkëmbimin e përvojave në fushën e bujqësisë dhe mundësitë e zhvillimit të zonave të pa favorizuara rurale në Shqipëri, popullsia e të cilave, për shkak të varfërisë, i drejtohet emigracionit ose bie pre e ideologjive ekstremiste.
 
Në takimet e zhvilluara me Kongresmenët Rouzer dhe Aderholt, Ministri Panariti theksoi nevojën e rritjes së eksporteve të bimëve aromatike dhe mjekësore në tregun amerikan, nëpërmjet ndërtimit të kapaciteteve përpunuese dhe ekstraktuese duke i dhënë prodhimeve tona bujqësore vlerë të shtuar. Gjithashtu, Ministri Panariti i informoi mbi potencialet e rritjes së industrisë së peshkut, kapacitetit të saj përpunues dhe mundësisë së rritjes së eksporteve drejt SHBA.
 
Kongresmenët Aderholt dhe Rouzer vlerësuan zhvillimet pozitive në sektorin e bujqësisë në Shqipëri, dhe duke vënë në dukje se bujqësia konsiderohet si një ndër sektorët parësorë për zhvillim e ekonomisë, premtuan mbështetje amerikane për realizimin e këtyre projekteve.
 
Gjatë kësaj vizite, Ministri Panariti zhvilloi edhe një takim me një grup ekspertësh shqiptarë, të cilët punojnë për Bankën Botërore. Ministri shprehu kënaqësi, që një numër mjaft i madh prej rreth 45 personash, janë të përfshirë në projektet e një prej institucioneve më të rëndësishme financiare në botë dhe u kërkoi që ata të angazhohen dhe të japin kontributin e tyre. Ekspertët shqiptarë shprehën gatishmërinë dhe vullnetin për të dhënë kontributin për institucionet shqiptare.

Adresa

Ambasada ne Uashington
2100 S Street, NW
Washington DC 20008

Tel / Fax

Tel.: +1-202-223 4942
Fax: +1-202-628 7342
Nr e emergjences: +1 347 241 4434
+ 1 202 758 9526;

E-MAIL

embassy.washington@mfa.gov.al

Orari zyrtar

E hënë- E premte
09:00 - 15:00