Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë viziton Uashingtonin

Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, z. Ilir Meta, zhvilloi një vizitë në Uashington DC në datat 9 - 17 maj 2016. Gjatë kësaj vizitë z. Meta zhvilloi disa takime me përfaqësues të qeverisë Amerikane, në Kongresin dhe Senatin Amerikan, si dhe zhvilloi një numër tryezash dhe aktivitetesh publike.

 
 
Z. Meta zhvilloi një takim në Departamentin e Shtetit, me Zevendësndihmës Sekretarin Hoyt Yee. Gjatë takimit Kryetari Meta bëri një paraqitje të zhvillimeve të fundit në Shqipëri, duke u ndalur tek përpjekjet për të aprovuar reformën në drejtësi dhe një numër ndryshimesh kushtetuese që duhen aprovuar në kuadër të reformës.  Z. Yee vlerësoi shume pozitivisht përpjekjet e z. Meta dhe partisë së tij për të përfunduar këtë proces. Ai gjithashtu falënderoi për përpjekjet e bëra për dekriminalizimin si dhe së fundmi për të krijuar Byronë e Hetimit.

 
 
Në takim me Zevendësndihmës Prokurorin e Përgjithshëm dhe Këshilltar në Departamentin e Drejtësisë për Marrëdhëniet Ndërkombëtarë, z. Bruce Swartz, ku morën pjesë dhe drejtuesi i programit për Shqipërinë të OPDAT dhe ICITAP, si dhe një numër përfaqësuesish të Departamentit të Drejtësisë dhe të Departamentit të Shtetit, z. Meta falënderoi Shtetet e Bashkuara për bashkëpunimin 25 vjeçar me shtetin shqiptar dhe veçanërisht për mbështetjen e pakursyer amerikane për reformat në vendin tonë.  Z. Swartz e falënderoi z. Meta për vizitën në Departamentin e Drejtësisë dhe vuri theksin tek bashkëpunimi shumë të mirë që ky Departament ka me Shqipërinë, duke theksuar se është bashkëpunimi më i mirë në krahasim me të gjithë vendet e rajonit.

 
 
Në takimin e zhvilluar në Këshillin e Sigurisë Kombëtare me Drejtoren për Ballkanin dhe Kaukazet, zj. Victoria Taylor, z. Meta pati gjithashtu mundësi të paraqiste zhvillimet e fundit në Shqipëri dhe përpjekjet për aprovimin e reformën në drejtësi. Z. Meta falënderoi për mbështetjen e fortë amerikane në këtë, Zj. Taylor  falënderoi Kryetarin Meta për mbështetjen e dhënë kësaj reforme dhe punën e mirë që po bën Shqipëria jo vetëm për t’i dhënë vendit një sistem të mirë drejtësie por edhe për t’i dhënë rajonit të Ballkanit Perëndimor një shembull të mirë në luftën kundër korrupsioni. Më tej biseda u përqendrua në zhvillimet në rajon, dhe sidomos në zhvillimet e fundit në Maqedoni.

 
 
Gjatë vizitës në Departamentin e Bujqësisë dhe Ushqimit, Kryetari Meta zhvilloi një takim me Administratorin e Shërbimit të Jashtëm Bujqësor, z. Philip C Karsting, dhe me funksionarë të tjerë të USDA, me të cilët bisedoi mbi rritjen e bashkëpunimit dhe shkëmbimeve në fushën e bujqësisë. Kryetari i Kuvendit  Ilir Meta vuri në dukje se bujqësia po njeh zhvillime pozitive në Shqipëri, dhe duke marrë në konsideratë shkëmbimet mes Shqipërisë dhe SHBA, autoritetet shqiptare vlerësojnë mbështetjen amerikane në funksion të rritjes së kapaciteteve prodhuese, eksportuese dhe përmirësimit të standardeve ushqimore të eksporteve shqiptare drejt SHBA. Z. Meta u shpreh se zhvillimi i sektorit të bujqësisë është një prioritet për qeverinë shqiptare, dhe në këtë drejtim çmoi mbështetjen e USDA dhe të agjencive të tjera amerikane.  Gjatë takimit u paraqitën potencialet e Shqipërisë në eksportet drejt Amerikës në disa produkte, sidomos në eksportin e bimëve mjekësore.

 
 
Gjatë vizitës së tij, Kryetari Meta zhvilloi disa takime në Kongresin dhe në Senatin Amerikan. Në të gjitha takimet, z. Meta pati mundësi të prezantonte zhvillimet e fundit në Shqipëri si dhe reformat e marra, në mënyrë të veçantë reformën në drejtësi. 

Adresa

Ambasada ne Uashington
2100 S Street, NW
Washington DC 20008

Tel / Fax

Tel.: +1-202-223 4942
Fax: +1-202-628 7342
Nr e emergjences: +1 347 241 4434
+ 1 202 758 9526;

E-MAIL

embassy.washington@mfa.gov.al

Orari zyrtar

E hënë- E premte
09:00 - 15:00