Kryemnistri Rama takon Presidentin Obama dhe Zëvendëspresidentin Biden

Delegacioni shqiptar i kryesuar nga Kryeministrit Edi Rama, në përbërje të të cilit ishte Ministri i Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati dhe Ministri i Punëve te Brendshme Saimir Tahiri, zhvilloi një takim me Presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës Barak Obama dhe me Zv/Presidentin e SHBA-së, Joe Biden. Këto takime vijnë në një moment kur vendet tona ndajnë një agjendë intensive të bashkëpunimit dinamik në planin dypalësh, rajonal dhe  ndërkombëtar: në kuadër të 25- vjetorit të rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve, në prag të 1-vjetorit të nënshkrimit të Deklaratës së Partneritetit Strategjik dhe në vijim të vizitës tejet të rëndësishme të Sekretarit të Shtetit John Kerry në Tiranë.
 
Rritja e bashkëpunimit në kuadër të partneritetit strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, rakordimi i bashkëveprimit për sfidat me të cilat përballet sot komuniteti ndërkombëtar, situata dhe perspektiva e rajonit të Ballkanit ishin disa nga çështjet e trajtuara gjatë takimeve.
 
“Shqipëria është një aleat i jashtëzakonshëm. Dëshiroj t’ju falenderoj për punën e bërë. Nën lidershipin tuaj, Shqipëria është tani një pikë referimi në Ballkan dhe një nga aktorët më të përgjegjshëm në rajon. Ne vlerësojmë rolin tuaj dhe ju mbështesim plotësisht,” – u shpreh Presidenti Obama.
 
Kryeministri Rama falënderoi Presidentin Obama për mbështetjen e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara për Shqipërinë dhe rajonin, duke e konsideruar Ballkanin e sotëm një histori suksesi të politikës së jashtme amerikane.
 
“Shqipëria është një vend pro amerikan, është një partner serioz në NATO dhe ajo që ne sot po bëjmë në Ballkan, duke çelur një faqe të re në historinë e bashkëpunimit në rajon, është edhe falë asaj çka SHBA-ja ka bërë për rajonin. Ballkani sot është një histori suksesi e politikës së jashtme të SHBA-së,” - nënvizoi Kryeministri Rama.
 
Kryeministri Rama e njohu Presidentin Obama dhe Zëvendëspresidentin Biden me reformat e ndërmarra nga qeveria shqiptare, duke u ndalur kryesisht në reformën në drejtësi. Ai gjithashtu prezantoi nismën për të hapur në Tiranë Qendrën Rajonale për Luftën kundër Ekstremizmit të Dhunshëm. 
 
Presidenti dhe Zv/Presidenti vlerësuan ecurinë e reformave të ndërmarra nga qeveria shqiptare dhe garantuan se SHBA-ja, si një partner dhe aleat i qëndrueshëm, do të vijojë të mbështesë përpjekjet e Shqipërisë për të përmbushur kriteret për t’u bërë pjesë e Bashkimit Evropian.
 
Bashkëbiseduesit ndanë mendimin se zhvillimi i mëtejshëm i partneritetit strategjik midis Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara do të luajë një rol kyç në rritjen e sigurisë së rajonit tonë e më gjerë.
 
Bashkëbiseduesit u ndalën dhe në zhvillimet e fundit në rajon, rëndësinë e angazhimit të SHBA-së dhe rolin e Shqipërisë si një aktor dinamik dhe konstruktiv në Ballkan. Palët ndanë  mendimin se forcimi i mëtejshëm i aleancës dhe partneritetit mes Shqipërisë dhe SHBA-së konsolidon perspektivën e paqes, stabilitetit dhe prosperitetit në rajonin e Ballkanit.

Adresa

Ambasada ne Uashington
2100 S Street, NW
Washington DC 20008

Tel / Fax

Tel.: +1-202-223 4942
Fax: +1-202-628 7342

E-MAIL

embassy.washington@mfa.gov.al

Orari zyrtar

E hënë- E premte
09:00 - 15:00