Cakaj -Le Drian: Franca vlerëson reformat e ndërmarra nga Shqipëria të cilat mundësojnë avancimin e saj drejtë BE-së

Ministri në Detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj ka zhvilluar një takim me Ministrin e Punëve të Jashtme të Francës, Jean Yves Le Drian gjatë Ministerialit të Ministrave të Jashtëm të NATO-s.
Gjatë këtij takimi Ministri në Detyrë Cakaj e njohu Ministrin Le Drian me progresin e reformave në pesë prioritetet në Shqipëri dhe me pritshmëritë tona për marrjen e rekomandimit pozitiv nga Komisionit në maj dhe vendimit të Këshillit Evropian për hapjen e negociatave në qershor.
Ministri në Detyrë Cakaj shprehu vendosmërinë e autoriteteve tona për të vijuar me ritëm të shpejtë, ngritjen dhe konsolidimin e insititucioneve më të larta të drejtësisë, si dhe reformat e tjera të domosdoshme për shtetin e së drejtës.
Institucionet e reja të drejtësisë të ngritura rishtazi, tha Ministri në Detyrë Cakaj, kanë hapur rrugën tashmë për fillimin e procedurave të përzgjedhjes së kandidatëve për plotësimin e Gjykatës Kushtetuese, ngritjen e Strukturës së Posaçme Antikorrupsion dhe përzgjedhjen e Prokurorit të Përgjithshëm. Ai shprehu vendosmërinë e Qeverisë shqiptare për të vijuar me të gjitha reformat e nevojshme të cilat do të ndihmojnë vendin tonë në rrugën e negociatave me Bashkimin Evropian.
Nga ana e tij Ministri i Jashtëm francez Le Drian theksoi se reforma në fushën e drejtësisë është një ndërmarrje tepër pozitive ku Shqipëria ka bërë një avancim të kënaqshëm që do të ndikojë më së miri në krijimin e një strukture të pavarur e profesionale të Drejtësisë si dhe për avancimin e Shqipërisë në rrugën e hapjes së negociatave.
Ministri Francez vlerësoi gjithashtu masat e marra nga Shqipëria për zvogëlimin e numrit të azil kërkuesve shqiptarë në Francë, numër i cili është ulur në mënyrë të ndjeshme nga 2017 në 2018. Ai vlerësoi entuziazmin dhe seriozitetin e autoriteteve tona për të vijuar me të njëjtin ritëm, transformimin e sistemit të drejtësisë si dhe reformat e ndërmarra në kuadër të pesë prioriteteve të BE-së.
Gjithashtu në takim u diskutua edhe për përgatitjet e Shqipërisë në kuadër të kryesisë së OSBE për vitin 2020 dhe mundësive të bashkëpunimit mes dy vendeve tona. Në fund të takimit Ministrat folën edhe për situatën në Ballkanin Perëndimor, rolin e Shqipërisë atje dhe bashkëpunimin rajonal.

Adresa

Ambasada ne Uashington
2100 S Street, NW
Washington DC 20008

Tel / Fax

Tel.: +1-202-223 4942
Fax: +1-202-628 7342

E-MAIL

embassy.washington@mfa.gov.al

Orari zyrtar

E hënë- E premte
09:00 - 15:00