Ambasadorja Faber takim me Drejtuesit e Organizatës VATRA

Ambasadorja Floreta Faber vizitoi selinë e Federatës Pan Shqiptare VATRA dhe zhvilloi një bisedë të hapur me drejtuesit e kësaj organizate.
Ambasadorja uroi z. Elmi Berisha për detyrën e re si Kryetari i ri i VATRA-s dhe përvjetorin e 111-të të gazetës Dielli si edhe i uroi punime të mbara takimit të parë të konstituimit të organeve të reja drejtuese të organizatës.
Më tej, Ambasadorja Faber bëri një ekspoze të punës së Ambasadës gjatë viteve të fundit, vizitat, takimet dhe aktivitetet e shumta me komunitetin shqiptar, duke vënë në dukje shumë iniciativa të vetë komunitetit. Ajo vlerësoi rëndësinë dhe mbështetjen e diasporës në kontaktet me Kongresin Amerikan dhe u ndal në thellimin e marrëdhënieve dhe shkëmbimeve mes Shqipërisë dhe SHBA-ve që nga firmosja e Marrëveshjes së Partneritetit Strategjik deri në takimet bilaterale të zhvilluara gjatë këtij muaji në DC nga Kryeministri Rama. Në takim u theksua dhe puna intensive për rritjen e interesit ekonomik amerikan në Shqipëri si edhe u theksua rëndësia përfshirjes së të rinjve dhe grave në pjesën aktive të diasporës.
Kryetari i ri i VATRA-s z. Elmi Berisha, pasi falenderoi Ambasadoren për praninë në selinë e Vatrës premtoi një punë aktive me Organizatën gjatë dy viteve të drejtimit të tij. Ai së afërmi do të zhvillojë një takim të ngushtë në Ambasadën e Shqipërisë në DC për biseduar për një plan aktiviteti të përbashkët me Ambasadën.
Gjatë bisedës, disa anëtarë të organizatës kërkuan që shteti shqiptar të mundësojë axhenda të përbashkëta me qeverinë e Kosovës dhe u tregua interes mbi mundësinë e votimit të shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit, që prej zgjedhjeve të ardhshme nëpërmjet votimit elektronik ose me postë. Gjithashtu, VATRA kërkoi që të mund të ketë vëzhguesit e saj në zgjedhjet e ardhshme në Shqipëri, siç ishte mundësuar dhe në Kosovë. Gjithashtu, përfaqësuesit kërkuan që shteti shqiptar të këtë në konsideratë bashkëpunimin me Vatrën si organizata më e vjetër dhe me një kontribut të çmuar në mbështetje të shtetit shqiptar.

Adresa

Ambasada ne Uashington
2100 S Street, NW
Washington DC 20008

Tel / Fax

Tel.: +1-202-223 4942
Fax: +1-202-628 7342
Nr e emergjences: +1 347 241 4434
+ 1 202 758 9526;

E-MAIL

embassy.washington@mfa.gov.al

Orari zyrtar

E hënë- E premte
09:00 - 15:00