Ambasada feston Pavarësinë dhe Ditën Kombëtare të FA mes miqsh

Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Uashington DC zhvilloi një pritje me rastin e  104 vjetorit të Pavarësisë dhe Festës Kombëtare të Forcave të Armatosura.
Në pritje ishin të pranishëm, ndër të tjerë dhe z. Michael Carpenter, Zëvendës Ndihmës Sekretar i Mbrojtjes,  znj. Judy Reinke, Zëvendësdrejtoreshë e Përgjithshme e Shërbimit Tregtar të Jashtëm në Departamentin e Tregtisë, z. Jimmy Kolker, Ndimës Sekretari për Çështjet Globale në Departamentin e Shëndetësisë, z. Matthew Palmer, Drejtori i Zyrës për  për Evropën Lindore dhe Qendrore në Departamentin e Shtetit, z. Tom Ridge, ish Sekretar i Sigurisë Kombëtare, dhe një numër i madh Ambasadorësh të akredituar në SHBA.
Gjithashtu në këtë pritje morën pjesë dhe ish Ambasadorët e Shteteve të Bashkuara në Amerikë, z. John Withers, znj. Marisa Lino, znj. Marcie Ries dhe z. William Ryerson, si dhe përfaqësues të shquar të komunitetit shqiptaro amerikan nga DC-ja dhe jo vetëm.
Të pranishmit u përshëndetën nga Ambasadorja Faber, Zëvendës Ndihmës Sekretar i Mbrojtjes, z. Michael Carpenter, dhe nga Drejtori i Zyrës për Evropën Lindore dhe Qendrore në Departamentin e Shtetit, z. Matthew Palmer.
Në fjalën e saj përshëndetëse Ambasadorja Faber u ndal tek rëndësia që ka për shqiptarët data 28 nëntor, si dita që shënoi ndarjen përfundimtare të Shqipërisë nga okupimi dhe kthimi në familjen e madhe Evropiane të cilës ajo natyrisht i përket. Më tej ajo theksoi rolin jetik që ka luajtur SHBA në njohjen e pavarësisë së shtetit të sapoformuar shqiptar, në proceset demokratike dhe zhvillimore në Shqipëri pas rënies së sistemit komunist, në njohjen e pavarësisë së Kosovës, në respektimin e të drejtave të Shqiptarëve kudo që janë, etj. Ambasadorja nënvizoi se sot Shqipëria dhe SHBA janë partnerë strategjikë dhe punojnë në krah njëri – tjetrit për të promovuar vlerat thelbësore në të cilat të dy vendet besojnë, siç janë vlerat e demokracisë dhe respektimit të të drejtave të njeriut. Në përfundim ajo foli dhe për rolin e rëndësishëm që luan komuniteti shqiptaro-amerikan në përçimin e vlerave më të mira të kulturës shqiptare dhe mbrojtjes së të drejtave të shqiptarëve, si dhe për vlerën e shtuar që ato i sjellin vendit të tyre adoptiv, Shteteve të Bashkuara.
Në fjalën e tij përshëndetëse, z. Carpenter përshëndeti faktin se Shqipëria është një vend i vogël që mban një peshë e përgjegjësi të madhe në kuadër të sigurisë në botë. Ai theksoi se Shqipëria vazhdon të marrë pjesë aktive në operacionet paqeruajtëse në Afganistan dhe është kontribuuese e madhe në luftën kundër terrorizmit dhe në koalicionin kundër ISIS, në të cilin ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm, më shumë se çdo vend tjetër, krahasuar me kapacitet e saj.
Z. Carpenter vlerësoi gjithashtu rolin e Shqipërisë si një aktor aktiv dhe kontribuues të dialogut dhe bashkëpunimit në fushën e sigurisë rajonale, si dhe modernizimi dhe transformimi rrënjësor i Forcave të Armatosura me armatim bashkëkohor sipas  standardeve të NATO-s.
Ai falënderoi për nismën e marrë për të dhënë përvojë në ngritjen e qendrës së ekselencës për të trajtuar gjerësisht dhe thellësisht fenomenin e luftëtareve të huaj.
Z. Palmer, duke evokuar udhëtimin e tij të parë në Shqipëri, në vitin 1993, ku vendi sapo kishte nisur rrugën e ndryshimeve demokratike, nënvizoi transformimin e madh që ka ndodhur në Shqipëri. Shqipëria sot është partnere dhe aleate e denjë e Aleancës Atlantike, kandidate për t’u anëtarësuar në BE dhe uroj se së shpejti ajo do të arrijë të bëhet anëtare e unionit, u shpreh ai.

Adresa

Ambasada ne Uashington
2100 S Street, NW
Washington DC 20008

Tel / Fax

Tel.: +1-202-223 4942
Fax: +1-202-628 7342

E-MAIL

embassy.washington@mfa.gov.al

Orari zyrtar

E hënë- E premte
09:00 - 15:00