Zhvillohet në Nju Jork aktiviteti me temë: "Lufta kundër radikalizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm përmes edukimit"

Në kuadër të zhvillimit të punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork, Ministri i Punëve të Jashtme Ditmir Bushati mori pjesë në aktivitetin “Lufta kundër radikalizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm përmes edukimit”. Ky aktivitet u iniciua nga Shqipëria, në bashkëpunim me SHBA-në, Vatikanin, Jordaninë, Marokun dhe UNESCO-n.
Të pranishmit ndanë pikëpamje mbi ecurinë dhe koordinimin e përpjekjeve në luftën e përbashkët kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm, si dhe rolin e agjencive ligjzbatuese, edukimit, medias, komuniteteve fetare dhe masave të ndërmarra nga qeveritë respektive në këtë drejtim. 
Ministri Bushati i njohu të pranishmit me angazhimet dhe kontributin e vendit tonë në luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm, duke u ndalur në hapat shtesë që Shqipëria po ndërmerr për parandalimin e shkaqeve të radikalizmit, veçanërisht në futjen e kurrikulave për tolerancën fetare në tekstet shkollore dhe forcimin e rolit të institucioneve arsimore, si kontribues të kohezionit shoqëror.
Qeveria shqiptare i kushton një vëmendje të madhe rolit të arsimit në përballimin e fenomenit, duke i konsideruar shkollat jo vetëm si institucione arsimore, por edhe si katalizatorë të zhvillimit dhe kohezionit social. "Arsimi është ndoshta veprimi më i plotë dhe afatgjatë, ku qeveritë tona duhet të investojnë për të ndërtuar breza të ardhshëm të fortë dhe rezistentë në përballimin e kërcënimeve të tilla", u shpreh Ministri Bushati.
Duke u ndalur në sfidat dhe rezultatet e arritura në luftën kundër këtij fenomeni, Ministri Bushati nënvizoi se: "Shqipëria ka qenë e angazhuar në mënyrë të vendosur në përpjekjet globale për t'iu kundërvënë ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit, si brenda ashtu dhe jashtë vendit. Ne thuajse kemi zeruar numrin e luftëtarëve të huaj nga Shqipëria gjatë vitit të fundit. Edhe pse koalicioni global kundër të ashtuquajturit Shtet Islamik ka bërë përparime, Shqipëria, ashtu si pjesa tjetër e vendeve të rajonit, tani po përballet me sfidat që paraqesin të kthyerit nga zonat e luftimeve".
Të pranishmit shprehën rëndësinë e vijimit të bashkërendimit të përpjekjeve globale në luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm, si dhe hartimit e zbatimit të paketave të posaçme strategjike, sociale, politike, ligjore, edukative dhe ekonomike që kanë rezultuar të suksesshme në luftimin e fenomenit.

Adresa

Misioni i Përhershëm i Republikës së Shqipërisë në OKB
320 East 79th Street,
New York, N.Y. 10075

Tel / Fax

Tel. +1212 2492059
Fax. 1212 5352917

E-MAIL

mission.newyork@mfa.gov.al

Orari zyrtar

E hënë- E premte
09:00 - 17:00