Zhvillohet Forumi i Parë i Biznesit Shqipëri - Kosovë

Në datën 8 Prill 2017, në Londër, u mbajt Forumi i Parë Ekonomik mbi mundësitë dhe kushtet që Shqipëria dhe Kosova ofrojnë për diasporën shqiptare në Britaninë e Madhe të kryejë biznes dhe të investojë atje. Aktiviteti u realizua në bashkëorganizim me Ambasadën e Shqipërisë, Ambasadën e Kosovës, si dhe Rrjetin e Bizneseve Shqiptare në Britaninë e Madhe, në ambjentet e Ambasadës së Kosovës në Londër.
 
Ekspertët e ardhur nga Shqipëria dhe Kosova, konkretisht: z. Knidi Bashari – Këshilltar i Ministrit të Financave të Republikës së Shqipërisë, z. Kreshnik Thaçi – nga Agjencia për Investimet dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë, z. Bashkim Shala - Zëvendësdrejtor i Përgjithshëm i Administratës Tatimore të Kosovës, si dhe z. Bajram Rexha – Drejtor i Drejtorisë së Akcizës, Origjinës, Tarifë dhe Laborator të Doganave të Kosovës, informuan mbi oportunitetet, kushtet ligjore dhe ato fiskale që ofrojnë aktualisht Shqipëria dhe Kosova me qëllim tërheqjen e investimeve të huaja dhe bërjen biznes atje.
 
Në fjalën e hapjes së Forumit, të dy Ambasadorët z. Qirko dhe z. Greiçevci, si dhe  Koordinatori i Rrjetit të Bizneseve Shqiptare në Britaninë e Madhe z. Artan Llabjani, nënvizuan rëndësinë e këtij aktiviteti të përbashkët, i pari i këtij formati, në funksion të intensifikimit të marrëdhënieve dhe mbështetjen e vazhdueshme ndaj diasporës shqiptare. Ambasadori Qirko theksoi se ky forum zhvillohet në vijim të Samitit të Parë të Diasporës, mbajtur në Shqipëri, në nëntor të vitit të kaluar, për të konfirmuar angazhimin në shkëmbimin e informacioneve lidhur me mundësitë konkrete që diaspora shqiptare në Britaninë e Madhe ka për të investuar. 
 
Aktiviteti u ndoq me mjaft interes nga të pranishmit, kryesisht nga fusha e biznesit, profesionist dhe intelektualë shqiptarë, të cilët adresuan pyetje të shumta për përfaqësuesit e insitucioneve shqiptare. Gjithashtu, aktiviteti u moderua nga diplomatet e të dyja Ambasadave znj.Migena Baholli dhe znj.Elmaze Pireva.    

Adresa

Ambasada Shqiptare
33 St. George\'s Drive,
London SW1V 4DG

Tel / Fax

Tel: +44(0) 20 7828 8897
Fax.+44 (0) 77 8562 8137
Emergency call:
+44 (0) 75 18662630

E-MAIL

embassy.london@mfa.gov.al
consular.london@mfa.gov.al

Orari zyrtar

E hënë- E premte
09:00 - 17:00
Shërbimi Konsullor:
E hënë, E mërkurë
09:00-14:00
Pasaportat: E marte, E Enjte 09:00-12:00