Turizmi shqiptar promovohet në Dhomën e Lordëve në Parlamentin britanik

Ambasada e RSh-së në Londër në bashkëpunim me Dhomën Britanike- Shqiptare të Tregtisë dhe Industrisë, si dhe nën kujdesin e Lord Alan Watson të Richmond, organizuan në datën 8 nëntor 2016, në Parlamentin britanik (Dhomën e Lordëve) një aktivitet kushtuar turizmit dhe mundësive që ky sektor ofron në Shqipëri. E ftuar në këtë takim ishte edhe Ministrja e Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Znj.Milva Ekonomi, si dhe operatorë turistikë nga Shqipëria dhe Mbretëria e Bashkuar.  
 
Gjithashtu, në aktivitet ishin të pranishëm edhe anëtarë nga të dy dhomat e  Parlamentit britanik: Lordi Harrison, Lord Bowness, Lord Maclennen, deputetët Znj.Madeleine Moon, Z.Wayne David, ish deputeti John Grogan dhe President Nderi i DHBSHTI, personalitete të larta britanike nga fusha e biznesit dhe turizmit, Agjensia shqiptare Kombëtare e Turizmit, 15 tur operatorë ndër më aktivët që veprojnë në tregun shqiptar, si dhe intelektualë shqiptar që jetojnë në BM.   
 
Në fjalën e hyrjes, Lordi Watson njohu të pranishmit me përshtypjet e tij nga vizitat në Shqipëri, si dhe duke iu drejtuar operatorëve turistikë britanikë i inkurajoi ata për bashkëpunim me kolegët e tyre shqiptarë, të pranishëm dhe në atë sallë.
 
Ambasadori Qirko, bëri një përshkrim të mundësive që Shqipëria ofron në zhvillimin e turizmit, duke evidentuar pozicionin gjeografik, atë klimatik, kulinarinë, legjislacionin e favorshëm për investimet e huaja, vendodhjen në kuadrin historik (në kryqëzimin e dy qytetërimeve romake dhe asaj greke), duke ftuar përfaqësuesit e kompanive britanike që të zbulojnë Shqipërinë në sezonin e ardhshëm turistik.      
 
Ndërsa, Ministrja Ekonomi prezantoi një sërë masash, të ndërmarra nga  institucioni që ajo drejton në funksion të përmirësimit të kushteve të zhvillimit të turizmit. Sipas statistikave, numri i turistëve të huaj si dhe interesi për zhvillimin e llojeve të ndryshme të turizmit, përveç atij detar, është rritur ndjeshëm nga viti në vit.
 
Në fjalën e mbylljes, Presidenti i Dhomës Britanike - Shqiptare të Tregtisë dhe Industrisë Z. Zenel Hoxha falenderoi pjesëmarrësit, si dhe shprehu dëshirën që ky aktivitet të mund të ndikojë në shtimin e efekteve pozitive për të ardhmen e industrisë së turizmit në vendin tonë.
 
Aktivitetin e mbështeti edhe deputetja Madeleine Moon, e cila është njëkohësisht edhe Kryetarja e Grupit britanik parlamentar të Miqësisë me Shqipërinë. Ajo foli për eksepriencën e saj të udhëtimeve në Shqipëri, si dhe mbresat e veçanta nga tradita e mikëpritjes shqiptare.
 
Më tej, mbrëmja vazhdoi me një koktej, ku të pranishmit shkëmbyen informacione dhe evidentuan mundësinë e bashkëpunimit me interes të ndërsjellë për sezonin e ardhshëm turistik. 

Adresa

Ambasada Shqiptare
33 St. George\'s Drive,
London SW1V 4DG

Tel / Fax

Tel: +44(0) 20 7828 8897
Fax.+44 (0) 77 8562 8137
Emergency call:
+44 (0) 75 18662630

E-MAIL

embassy.london@mfa.gov.al
consular.london@mfa.gov.al

Orari zyrtar

E hënë- E premte
09:00 - 17:00
Shërbimi Konsullor:
E hënë, E mërkurë
09:00-14:00
Pasaportat: E marte, E Enjte 09:00-12:00