Takim me anëtarë të rrjetit të Profesionistëve Shqiptarë në Britaninë e Madhe (UKAP)

Në datë 1 dhjetor 2016 Ambasada e Shqipërisë në Londër organizoi një takim me grupin organizator dhe aktivistët më të shquar të rrjetit të Profesionistëve Shqiptarë në Britaninë e Madhe (UKAP). Ky rrjet është themeluar rreth tre vite më parë dhe e zhvillon aktivitetin e tij mbi baza vullnetare. Gjatë aktivitetit të tij ky rrjet ka ndihmuar studentët shqiptarë në BM nga të gjitha trevat shqiptare të njihen dhe të ndihmojnë njëri tjetrin gjatë studimeve, por edhe më pas gjatë jetesës në BM.
 
Ky takim kishte si qëllim institucionalizimin e lidhjeve midis Ambasadës dhe UKAP, evidentimin e arritjeve të deritanishme të UKAP dhe të sfidave për të forcuar më tej këtë rrjet në të ardhmen, përfshi këtu dhe rolin e Ambasadës në këtë drejtim.
 
Duke u uruar “mirëseardhjen në shtëpinë e tyre” dhe shprehur vlerësimet e larta për kontributin e profesionistëve shqiptarë në BM, Ambasadori Qirko informoi të pranishmit shkurtimisht mbi zhvillimet politike në vend, mbi Samitin e Diasporës, mbi ceremonitë e kremtimit të festave të nëntorit të zhvilluara para pak ditës, problemet e komunitetit shqiptar në BM, pritshmëritë e Ambasadës për aktivitetin e UKAP, si dhe ofroi mbështetjen e ambasadës në këtë drejtim.  Ambasada do të jetë e gatshme për të ndihmuar UKAP në drejtim të institucionalizimit të tij dhe në zhvillimin e aktiviteteve në ambientet e ambasadës.
 
Ambasadori sugjeroi që UKAP të mos vepronte më mbi baza vullnetare, por të kthehej në një organizatë të mirëfilltë, duke u regjistruar ligjërisht pranë institucioneve përkatëse britanike, të miratonte një statut dhe të kishte përfaqësuesit e saj. Në këtë mënyrë, kjo organizatë do të kishte më shumë mundësi për të gjeneruar aktivitete të dobishme dhe përfituar fonde nga shteti britanik për të realizuar projekte më të mëdha në dobi jo vetëm të studentëve, por edhe mbarë komunitetit shqiptar në drejtim të ofrimit të konsulencës/shërbimeve sipas fushave të profesioneve të tyre.
 
Nga grupi organizator i UKAP, e morën fjalën zz. Edlira Tartale, Eduard Alia, Driton Bilali, Përparim Rama, Artan Llabjani, të cilët falënderuan ambasadën për këtë nismë, folën rreth aktivitetit të UKAP, sollën eksperiencat jetësore të tyre gjatë pjesëmarrjes në aktivitet e ndryshme të UKAP, si dhe lidhur me përpjekjet e deritanishme për ta bërë rrjetin më efektiv nga ana organizative dhe pjesëmarrjen në aktivitetet e tij  sa më të vlefshme. Të pranishmit, hodhën disa ide mbi mundësitë e fuqizimit të UKAP dhe institucionalizimit të strukturave, përfshi këtu zhvillimin e zgjedhjeve të përfaqësueseve të saj, krijimin e mundësive më të shumta për të komunikuar me përfaqësuesit e UKAP, apo anëtarët e tjerë, krijimin e një baze të dhënash të detajuar mbi anëtarët e UKAP, e cila mund të shërbejë për të identifikuar më mirë potencialet e bashkëpunimit, etj. Të gjitha idetë u diskutuan/komentuan gjerësisht mbi mundësinë e realizimit të tyre, si dhe sfidat/dobitë që mund të lindin prej tyre.
 
Takimi vijoi me shfaqjen e një videoje me pamje nga Shqipëria, si dhe u mbyll me një koktej të thjeshtë, ku të pranishmit vazhduan gjerësisht të diskutonin rreth mundësive të forcimit të UKAP në të ardhmen dhe shprehën falenderimet ndaj Ambasadës për ndihmën e saj.

Adresa

Ambasada Shqiptare
33 St. George\'s Drive,
London SW1V 4DG

Tel / Fax

Tel: +44(0) 20 7828 8897
Fax.+44 (0) 77 8562 8137
Emergency call:
+44 (0) 75 18662630

E-MAIL

embassy.london@mfa.gov.al
consular.london@mfa.gov.al

Orari zyrtar

E hënë- E premte
09:00 - 17:00
Shërbimi Konsullor:
E hënë, E mërkurë
09:00-14:00
Pasaportat: E marte, E Enjte 09:00-12:00