Shërbimet konsullore të Ambasadës

Shërbime të Ambasadës

SHKO- SHËRBIMET KONSULLORE ONLINE

Shërbimet konsullore tashmë duhet t’i merrni nëpërmjet aplikimit online.

Lutemi informohuni në adresën: http://punetejashtme.gov.al/sherbimet-konsullore-online/ si dhe krijoni një llogari tuajën personale në platformën https://e-albania.al/

PAGESAT PËR SHËRBIMET KONSULLORE

Të gjitha pagesat për veprimet konsullore kryhen në GBP (për tarifat e afishuara në euro, sipas kursit ditor të Metro bank) në llogarinë bankare të ambasadës:

METRO Bank
Ac. Name: Embassy of the Republic of Albania
Ac. No. 13010749
Sort code: 23-05-80

Nga jashtë Britanisë së Madhe

Ac. Name: Embassy of the Republic of Albania
IBAN: GB21MYMB23058013010749
BIC: MYMBGB2L
Currency: GBP

PASAPORTA BIOMETRIKE DHE LETERNJOFTIMI

Për një shërbim sa më të shpejtë dhe korrekt për dokumentat biometrik dhe çdo shërbim tjetër konsullor, lutemi na kontaktoni paraprakisht në adresën: consular.london@mfa.gov.al

Aplikimet për pasaporta biometrike pranë Ambasadës së Shqipërisë në Londër, kryhen çdo të Martë dhe të Enjtë, nga ora 09.00 deri në 14.00, përveç ditëve të festave zyrtare.

Dokumentat që nevojiten për aplikim:

Aplikim për herë të parë:

- Pasaporta e vjetër
- Çertifikata personale ose familjare
- Dokument qëndrimi në shtetin përkatës
- Prova e pagesës

Personat që aplikojnë për herë të parë duhet të bëjnë domosdoshmërisht edhe Letërnjoftimin (Kartën e Identitetit). Letërnjoftimi (Karta e Identitetit) lëshohet për të gjithë personat të cilët në ditën e aplikimit kanë mbushur moshën 16 vjeç.

Riaplikim bëhet në rastet kur shtetasit kanë qenë njëherë të pajisur me dokumenta biometrike (pasaportë dhe letërnjoftim). Paraqitja e dokumentacionit varet nga arsyeja:

Në rast humbje të dokumentave, personi duhet të aplikojë online në adresën https://e-albania.al/eAlbaniaServices/UseService.aspx?service_code=9765 (duhet te regjistroheni ne e-albania.al). Vetdeklarimi i humbjes se dokumeneteve biometrike kryhet nga Konsulli ne Ambasade ne diten qe ju ka lene takim per pasaporte. Vetdeklarimi i humbjes se dokumenteve kushton 30 euro (28 pound).

Zëvendësim i dokumentave për arsye të tjera (ndryshim gjeneralitetesh, dëmtim fizik i dokumentit, etj.), personi duhet të ketë me vete dokumentin e dëmtuar.

Tarifat konsullore për dokumentat biometrik: Pasaporta: 144 GBP dhe Letërnjoftimi: 13 GBP

Për pajisjen me pasaportë të shtetasve nën 16 vjeç duhen këto dokumenta:

• Çertifikatë lindjeje e tre muajve të fundit
• Çertifikatë familjare e tre muajve të fundit
• Mjet identifikimi nga të dy prindërit
• Firmosja e një deklarate nga të dy prindërit që janë dakort me pajisjen e fëmijës së tyre me pasaportë. Kjo deklaratë bëhet në
Ambasadë dhe firmosët nga të dy prindërit në momentin e paraqitjes së tyre.
• Dy fotografi
• Në mungesë të njërit prej prindërive në momentin e aplikimit duhet të sillet një prokurë origjinale e lëshuar nga prindi në mungesë,
i cili deklaron se është dakord me pajisjen e fëmijës së tij me pasaportë dhe që autorizon prindin tjetër për kryerjen e kësaj
procedure.
• Fatura e tarifës konsullore, për deklaratën e mësipërme, prej 20 Euro
• Fatura prej 144 £, tarifa për pasaportën.

Kujtesë! Për t’u pajisur me pasaportë femija duhet të jetë i regjistruar paraprakisht në regjistrin e Gjendjes Civile në Shqipëri.

Nëse keni nevojë për më tepër informacion, konsultoni faqen e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës së Shqipërisë: http://punetejashtme.gov.al/info-per-qytetaret-shqiptare/

LEJE KALIMI

Shërbimi konsullor i Ambasadës së Shqipërisë në Londër lëshon leje lalimi për shtetasit shqiptarë të cilët banojnë ose gjenden përkohësisht në territorin e Britanisë së Madhe dhe Irlandës së Veriut ose në Republikën e Irlandës dhe që nuk janë të pajisur me pasaportë, ose kur iu ka skaduar afati i saj.

Leja e kalimit është e vlefshme vetëm për t'u kthyer në Shqipëri dhe jo për të udhëtuar në vende të tjera. Vlefshmëria e saj maksimale është 6 muaj. Për të marrë një leje kalimi personi i interesuar duhet të paraqesë pranë shërbimit konsullor të Ambasadës një dokument identifikimi, dy fotografi identiteti, si dhe të plotësoj formularin me të dhëna mbi gjatësinë, ngjyrën e syve dhe vendbanimin në Shqipëri.

Për lëshimin e lejes së kalimit për personat në moshë të mitur, dokumentet e mësipërme duhet të jenë të shoqëruara edhe me një deklaratë të nënshkruar nga të dy prindërit, (ose, në rast divorci apo raste të tjera, nga prindi që ka në ngarkim fëmijën), ku ata të shprehen dakord për lëshimin e lejes së kalimit për fëmijën e tyre.

Tarifa konsullore për leje kalimi është 30 Euro

Për më tepër informacion, konsultoni faqen e Ministrisë së Punëve të Jashtme, të Republikës së Shqipërisë:
http://punetejashtme.gov.al/info-per-qytetaret-shqiptare/

PROKURAT DHE DEKLARATAT NOTERIALE

Shërbimi konsullor i Ambasadës harton vetëm prokura të thjeshta, ato që kanë të bëjnë me tërheqje dokumentesh dhe tërheqje pensioni. Për hartimin e prokurës personi i interesuar duhet të paraqitet fizikisht pranë shërbimit konsullor të Ambasadës, si dhe të ketë me vete një dokument identifikimi dhe numrin e pasaportës ose të letërnjoftimit të personit që do të autorizojë me anë të prokurës.

Shërbimi konsullor i Ambasadës harton gjithashtu deklarata të ndryshme noteriale, sipas rastit. Për më tepër kontaktoni në adresën: consular.london@mfa.gov.al

Tarifa konsullore: 20 Euro

Lëshohen këto subjekte Prokurash konsullore për:

• Tërheqje dokumentesh të gjendjes civile në Shqipëri
• Shpallje martese
• Tërheqje pashaporte
• Tërheqje diplomash dhe dokumenta shkollorë
• Tërheqje dëshmie penaliteti
• Tërheqje të dokumentave të tjera pranë autoriteteve private dhe publike
• Ndjekjen e veprimeve administrative dhe regjistrimin e akteve të gjendjes civile
• Denoncimin e humbjes së dokumenteve
• Proçedura legalizimi pranë ALUIZN-it ose të ngjajshme
• Tërheqjen e dëmshpërblimit të të përndjekurve
• Tërheqje pensioni
• Leje për udhëtim të fëmijëve minorenë
• Tërheqje kredie familjare (nëse nuk kufizohet nga institucioni bankar)
• Përdorim të përkohshëm automjeti
• Kryerjen e formaliteteve për qiradhënie të objekteve të banimit
• Prokura përfaqësimi në proçese administrative dhe gjyqësore për çështje divorci dhe njohje të vendimeve të një gjykate të huaj
• Revokime të akteve noteriale, të cilat janë kryer më parë në ambasadë

Vini re! Shërbimi për veprimet noteriale është vetëm për shtetasit shqiptarë. Për të gjitha prokurat e tjera, personi i interesuar duhet të drejtohet pranë një noteri britanik. Prokura duhet të jetë e legalizuar me vulë Apostille: https://www.gov.uk/get-document-legalised
Për më tepër informacion, klikoni në linkun si më poshtë të Ministrisë së Punëve të Jashtme, të Republikës së Shqipërisë.
http://punetejashtme.gov.al/info-per-qytetaret-shqiptare/

LEGALIZIMI I DOKUMENTAVE

Të gjithë dokumentet e lëshuara nga administrata shqiptare të destinuara për t’u përdorur jashtë shtetit, duhet të jenë të legalizuara. Të legalizuara duhet të jenë edhe dokumentet e huaja (britanike apo irlandeze) që do të paraqiten pranë autoriteteve shqiptare. Pas aderimit të Republikës së Shqipërisë në Konventën e Hagës, më 9 maj 2004, legalizimi i dokumenteve zyrtare bëhet konform kësaj konvente. Kështu, Shërbimi konsullor i Ambasadës nuk kryen më legalizimin e dokumenteve.

Për legalizimin e dokumentave britanik lutemi ndiqni: https://www.gov.uk/get-document-legalised

Legalizimi i dokumentave shqiptar bëhet në Ministrinë e Punëve të Jashtme. Për më tepër informacion: http://punetejashtme.gov.al/info-per-qytetaret-shqiptare/

AKTET E GJENDJES CIVILE

Përfaqësitë tona diplomatike kryejnë disa funksione të një zyre të gjendjes civile bazuar në Ligjin 10129/09 “Për Gjendjen Civile”. Këto funksione kanë të bëjnë me regjistrimin e akteve të gjendjes civile ose ndryshimin e përbërësve në Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile. Përfaqësitë diplomatike dhe konsullore i kryejnë shërbimet e tyre me aktet e gjendjes civile në bashkëpunim me Ministrinë e Punëve të Brendshme, Drejtorinë e Përgjithshme të Gjendjes Civile.

Aktet e përgatitura të gjendjes civile, në bazë të të cilave do të kryhen ndryshimet në Regjistrin Kombëtar, përcillen përmes Ministrisë së Punëve të Jashtme, Drejtorisë Konsullore, për në Ministirnë e Punëve të Brendëshme, Drejtorinë e Përgjithshme të Gjendjes Civile. Ndryshimet kryhen nga zyrat përkatëse të gjendjes civile në qarkun ku shtetasi ka vendbanimin e përhershëm.

Për më shumë rreth:

1. Regjistrimi i fëmijëve
2. Regjistrimi i martesave
3. Regjistrimi i vdekjeve
4. Lidhje martese me shtetas shqiptarë
5. Lidhje martese me shtetas të huaj

Klikoni në linkun si më poshtë: http://punetejashtme.gov.al/info-per-qytetaret-shqiptare/

DOKUMENTAT E NEVOJSHME PER MARTESE

Shtetasi shqiptar duhet të pajiset me lejen e martesës dhe çertifikatën e lindjes së bashkëshortes së ardhshme të legalizuar me vulë Apostille nga shteti përkatës dhe të përkthyera në gjuhën shqipe për rastin kur martesa do të lidhet me një shtetase të huaj. Këto dokumenta do t’i paraqesë në Zyrën e Gjendjes Civile, ku ai figuron i regjistruar, për të bërë shpalljen e martesës. Shpallja e martesës bëhet nga vet shtetasi i interesuar ose nga një person tjetër i autorizuar me prokurë, e cila hartohet në ambasadë ose pranë një avokati britanik.

Dokumentacioni që kërkohet:

• Kur të dy shtetasit janë shqiptarë:

1. Çertifikatë lindje dhe çertifikatë për lidhje martese duhet të jenë të legalizuara nga prefekturat dhe të kenë vlefshmërinë në kohë deri në 3 muaj nga data e lëshimit të tyre.
2. Pasaportë ose Kartë Identiteti.

• Kur një nga bashkëshortët është shqiptar:

Për shtetasin shqiptar: kërkohen dokumentet si në paragrafin e mësipërmë

Për shtetasin e huaj:

1. Leja e martesës nga vendi i origjinës.
2. Çertifikatë lindje
të legalizuara me Vulë Apostille përkatësisht.
3. Pasaportë.

Tarifa kosnullore për matertesë është 20 Euro

Për më shumë: http://punetejashtme.gov.al/info-per-qytetaret-shqiptare/

RREGJISTRIMI I AKTEVE NE GJENDJEN CIVILE NE SHQIPERI

Me qëllim që një akt lindje, martese, apo vdekje i një shtetasi shqiptar me banim në Britanë e Madhe dhe Irlandën e Veriut, dhe në Republikën e Irlandës, të regjistrohet në gjendjen civile shqiptare, duhet të mbaje vulën Apostile (të jetë i legalizuar).

PERKTHIMII AKTEVE TE GJENDJES CIVILE

Për nevoja të ndryshme administrative, shtetasve shqiptarë me banim në Britani u kërkohen edhe përkthime të akteve të gjendjes civile, si çertifikata personale, martese, vdekjeje, apo familjare. Shërbimi konsullor i Ambasadës mund ta kryejë këtë shërbim por, duke qenë se nuk ka një zyrë përkthimi të posaçme për t'iu kushtuar me kohë të plotë përkthimeve të këtij lloji, sugjeron që ky shërbim të kryhet pranë një përkthyesi të çertifikuar nga shteti anglez. Kjo vlen edhe për të gjitha llojet e tjera të dokumenteve, si diploma, lista notash, vërtetime të ndryshme, dëshmi, etj.

Tarifa konsullore është 10 Euro/faqe),

VERTETIME

Sipas kërkesës së shtetasve shqiptarë apo të administratës vendase, shërbimi konsullor i Ambasadës mund të lëshojë vërtetime të natyrave të ndryshme, gjithmonë duke u bazuar në dokumente zyrtare të vlefshme.

Tarifa konsullore është 30 Euro.

VDEKJET

Në raste vdekjesh, familjarët ose të afërmit e një shtetasi që ka ndrruar jetë në Britani, vënë në dijeni për ngjarjen Ambasadën e Republikës së Shqipërisë në Londër dhe, deri në momentin e transportimit të trupit për në atdhe, mbajnë lidhje të vazhdueshme me këtë ambasadë.

Për kryerjen e procedurave për kthimin e trupit në Shqipëri, duhet të kontaktohet në çdo rast një agjenci funerale e cila kryen procedurat e nevojshme, përfshirë edhe nxjerrjen e dokumenteve të nevojshme pranë administratës vendase, si dhe kontakton me Ambasadën e Republikës së Shqipërisë në Londër për përfundimin e tyre deri në nisjen e trupit për në Shqipëri.

Kur nuk ka të afërm ose një person tjetër kontakti ose ka vështirësi komunikimi me Ambasadën, familjarët vënënë dijeni zyrën e marrëdhënieve me publikun në Drejtorinë Konsullore në Ministrinë e Punëve të Jashtme në Shqipëri. Dokumenti “akt i vdekjes” duhet patjetër të legalizohet me anë të vulës Apostille, sepse kjo bën të mundur çrregjistrimin e emrit të shtetasit të vdekur nga regjistri i gjendjes civile në Shqipëri.

Shënim: Shteti shqiptar merr përsipër me mjetet e tij financiare, transportin e shtetasve të vdekur vetëm në këto raste:
- Për persona që janë dërguar me shërbim ose mjekim shëndetësor nga shteti.
- Për punonjësit e përfaqësive diplomatike.

VIZA

Regjimi i vizave për të huajt përcaktohet në bazë të Ligjit, 108/13, “për të huajt”, dhe VKM, 513/13, “për trajtimin e të huajve”, i ndryshuar. Hyjnë pa vizë në Shqipëri:

a) Të huajt që kanë një vizë të vlefshme Schengen, me shumë kalime, e cila është përdorur më parë në një nga vendet e zonës Schengen, ose që kanë një leje të vlefshme qëndrimi në një nga vendet e zonës Schengen.

b) Të huajt që kanë një vizë të vlefshme të SHBA ose të Mbretërisë së Bashkuar, me shumë kalime, e cila është përdorur më parë në një nga këto vende, ose kanë leje të vlefshme qëndrimi në SHBA ose në Mbretërinë e Bashkuar.

c) Të huajt nga Arabia Saudite, Bahrejni, Bjellorusia, Gjeorgjia, Katari, Omani dhe Rusia, mund të hyjnë në Shqipëri pa viza afatshkurtër (tipi C) për motive turizmi në periudhën 1 qershor – 1 nëntor 2016.

d) Viza D e qëndrimit është e nevojshme për të huajt që do të qëndrojnë në Shqipëri më shumë se 90 ditë gjatë një periudhe gjashtëmujore (90/180 ditë) dhe që do të kërkojnë pranë organeve të migracionit leje qëndrimi.
e) Bashkëlidhur gjeni tabelën me regjimin e specifikuar të vizave për secilin vend të huaj: http://www.punetejashtme.gov.al/files/userfiles/Regjimi_i_vizave_per_te_...
f) Të huajt nga vende që nuk janë përfshirë në tabelë kanë nevojë për vizë para se të udhëtojnë në Shqipëri dhe aplikimet mund t’i paraqesin në përfaqësinë më të afërt nga vendi i tyre i origjinës ose rezidencës.

Për çdo informacion që ka të bëjë me vizat, lutemi të adresoheni në faqen ëeb të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Shqipërisë:
http://punetejashtme.gov.al/info-per-qytetaret-shqiptare/

Kontakte:

Adresa postare:

Embassy of Albania
33 St.George's Drive
London
SW1V 4DG

Tel: +44(0) 20 7828 8897
Fax.+44 (0) 77 8562 8137
E-mail: consular.london@mfa.gov.al

Emergency call: +44 (0) 75 18662630
Ky numër duhet të përdoret vetëm në rast urgjence. Abuzimi me këtë numër ju ngarkon me përgjegjësi ligjore.

Oraret e shërbimit konsullor:

Për aplikime pasaportash dhe karta identiteti, e Martë dhe e Enjte 09.00 - 13.00

Për çdo shërbim tjetër, e Hënë dhe e Mërkurë, 09.00 - 14.00

Diten e Premte nuk kryehen sherbime konsullore me publikun, me perjashtim te rasteve te emergjences.

Telefonatat për informacione rreth shërbimit konsullor, e Hënë - e Premte 09.00 - 14.00

Shërbimi konsullor është i mbyllur në ditët e festave zyrtare dhe të fundjavës, me përjashtim të rasteve te emergjences.

Adresa

Ambasada Shqiptare
33 St. George\'s Drive,
London SW1V 4DG

Tel / Fax

Tel: +44(0) 20 7828 8897
Fax.+44 (0) 77 8562 8137
Emergency call:
+44 (0) 75 18662630

E-MAIL

embassy.london@mfa.gov.al
consular.london@mfa.gov.al

Orari zyrtar

E hënë- E premte
09:00 - 17:00
Shërbimi Konsullor:
E hënë, E mërkurë
09:00-14:00
Pasaportat: E marte, E Enjte 09:00-12:00