Rekomandimi pozitiv për hapjen e negociatave

Në datën 9 nëntor 2016, Kryeministrit Edi Rama iu dorëzua nga ambasadorja e BE në Tiranë, Romana Vlahutin, Raporti i Progresit të Komisionit Europian për Shqipërinë. 
 
Më poshtë vijon deklarata e z. Ditmir Bushati, Ministër i Punëve të Jashtme.
 
 Rekomandimi i Komisionit Europian për çeljen e bisedimeve për anëtarësim është një lajm i shumëpritur dhe shënon një hap vendimtar për rrugëtimin europian të vendit.
 
Drita e gjelbër për fillimin e bisedimeve për anëtarësim me BE është frut i përpjekjeve e reformave të thella shtet-konsoliduese. Mund të themi qartazi se Shqipëria ka arritur këtë vit të njëjtin nivel vlerësimi që Komisioni jep për vendet që janë në tryezën e bisedimeve për anëtarësim, sidomos për sa i përket reformave në fushën e sundimit të së drejtës në ekonomi.
 
Nuk është surprizë aspak për ne vlerësimi, maksimal në raport me vendet e tjerat të rajonit, për politikën e jashtme në linjëzim të plotë me politikën e jashtme të përbashkët dhe të sigurisë së BE-së dhe as vlerësimi për rolin e pazëvendësueshëm të Shqipërisë për stabilitetin demokratik të rajonit.
 
Tashmë çdo gjë është e qartë. Vlerësimi është pozitiv për progresin e shënuar në të pesta prioritetet. Që nga 2013 kemi një trend të konsoliduar arritjesh dhe po largohemi gjithnjë e më shumë nga orvatjet e qeverisjeve të mëparshme që fillimisht vlerësoheshin për reformat e iniciuara e më pas gërryheshin për shkak të mos-zbatimit të tyre.
 
Opozitarët që predikonin kushte, hidhnin baltë pa pushim e i bënin thirrje parlamentarëve europianë për të bllokuar Shqipërinë në këtë proces, sot në fakt kanë bllokuar veç veten e tyre.
 
Natyrisht, rruga drejt tryezës së bisedimeve për anëtarësim kalon përmes zbatimit të reformës në drejtësi, e më posaçërisht, procesit të vettingut për gjyqtarët e prokurorët. Kësisoj, fraza mbi zbatimin e reformës në drejtësi që shoqëron rekomandimin e Komisionit Europian, duhet lexuar si nënvizim i faktit se puna jonë nuk përfundon me rekomandimin. Përkundrazi, rekomandimi vjen prej progresit të shënuar. Dhe progresi i njëtrajtshëm mund të arrihet vetëm përmes punës.
 
Shpresoj që, ky rekomandim plotësisht i merituar për Shqipërinë, t’i bëjë opozitarët më reflektiv për përgjegjësitë e përbashkëta, e të mos i vendos në pozicion edhe më qesharak. Opozitarë, që do të mbahen mend jo vetëm se baltën e Kuvendit të Shqipërisë e transferuan në Parlamentin Europian, por edhe sepse vendosën t’i kundërvihen brutalisht vullnetit të sovranit, duke kërkuar që Shqipërisë mos t’i jepej rekomandimi për çeljen e bisedimeve për anëtarësim në Bashkimin Europian.

Adresa

Ambasada Shqiptare
33 St. George\'s Drive,
London SW1V 4DG

Tel / Fax

Tel: +44(0) 20 7828 8897
Fax.+44 (0) 77 8562 8137
Emergency call:
+44 (0) 75 18662630

E-MAIL

embassy.london@mfa.gov.al
consular.london@mfa.gov.al

Orari zyrtar

E hënë- E premte
09:00 - 17:00
Shërbimi Konsullor:
E hënë, E mërkurë
09:00-14:00
Pasaportat: E marte, E Enjte 09:00-12:00