Ministri Manjani zhvillon një vizitë pune në Britaninë e Madhe

Me ftesë të Ministres të Drejtësisë, znj. Elizabeth Truss, në datat 3-4 tetor 2016 ministri ynë i drejtësisë, z. Ylli Manjani, zhvilloi një vizitë pune në Britaninë e Madhe në kuadër të pjesëmarrjes në ceremoninë e përvitshme të “Hapjes së vitit ligjor në Angli dhe Uells”. Kjo ceremoni, e cila organizohet çdo vit, përbën një ngjarje të shënuar dhe e ka zanafillën e vet në mesjetë. Gjatë kësaj ceremonie gjyqtarët e rinj marrin udhëzime në fillim të mandatit ligjor. Rreth 700 persona ftohen të marrin pjesë në këtë ceremoni, ku përfshihen gjyqtarë, oficerë të lartë gjyqësore, këshilltarë të Mbretëreshës, ministra të qeverisë, avokatët, anëtarë të Gjykatës Evropiane, si dhe zyrtarë, gjyqtarë dhe avokatë nga e gjithë bota.
 
Z. Manjani në kuadër të kësaj vizite organizoi disa takime të rëndësishme bilaterale. Në takimin me Sir Oliver Heald, Ministër Shteti në Ministrinë e Drejtësisë, z. Manjani në përgjigje të interesimit të drejtpërdrejtë të palës britanike, informoi gjerësisht mbi kryerjen e reformës në drejtësi, mbi mbështetjen politike në vend ndaj kësaj reforme, si dhe mbi ecurinë e procesit të anëtarësimit të vendit tonë në BE. Lidhur me forcimin e bashkepunimit dhe dhënien e ndihmës prej palës britanike, Ministri Manjani inkurajoi forcimin e bashkëpunimit midis dy vendeve në kuadër të intensifikimit të vizitave të prokurorëve nga të dy vendet në fazat më të hershme të hetimeve, gjë që minimizon kostot financiare dhe maksimizon efikasitetin në trajtimin e çështjeve gjyqësore.
 
Një takim tjetër të rëndësishëm, z. Manjani zhvilloi me Drejtorin Krimeve të  Rënda dhe të Organizuar në Ministrinë e Brendshme britanike, z. Richard Riley. Gjatë takimit pala britanike e vuri theksin te nevoja për të luftuar në mënyrë të efektshme krimin e organizuar, korrupsionin dhe trafikimin. Z. Manjani informoi gjerësisht për punën në vend, arritjet dhe sfidat lidhur me luftën ndaj këtyre fenomeneve.
 
Sërish z. Manjani shprehu gatishmërinë për të bashkëpunuar gjerësisht me autoritet britanike në forcimin e luftës lundër krimeve të rënda dhe të organizuara, inkurajoi dhënien e mundësisë ndaj prokurorëve që të hetojnë në fazat sa më të hershme, si dhe forcimin e bashkëpunimit në kuadër të ngritjes së grupeve hetimore të përbashkëta.
 
Pala jonë kërkoi vlerësimin e mundësisë prej palës britanike për fillimin e procesit të lehtësimit të vizave, sidomos për një kategori të caktuar mbajtësish të pasaportave shqiptare, si psh. diplomatike, të shërbimit, studentëve, etj.
 
Në përfundim të vizitës, z. Manjani zhvilloi një vizitë në burgun Pentonville në afërsi të Londrës, ku u njoh me kushtet e vuajtjes së dënimit të disa prej shtetasve shqiptarë si dhe u diskutua mbi mundësinë e transferimit të dënimit në Shqipëri.
 
Të gjitha takimet konfirmuan ekzistencën e përkushtimit të të dy palëve për forcimin e bashkëpunimit në të ardhmen në fushat me interes të përbashkët.

Adresa

Ambasada Shqiptare
33 St. George\'s Drive,
London SW1V 4DG

Tel / Fax

Tel: +44(0) 20 7828 8897
Fax.+44 (0) 77 8562 8137
Emergency call:
+44 (0) 75 18662630

E-MAIL

embassy.london@mfa.gov.al
consular.london@mfa.gov.al

Orari zyrtar

E hënë- E premte
09:00 - 17:00
Shërbimi Konsullor:
E hënë, E mërkurë
09:00-14:00
Pasaportat: E marte, E Enjte 09:00-12:00