Ministri Klosi ndjek punimet e Forumit Botëror të Edukimit

Në kuadër të pjesëmarrjes në punimet e Forumit Botëror të Edukimit (Londër, 23-25 janar 2017), Ministri i i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, z. Blendi Klosi, mbajti një prezantim në panelin për Talentet e reja, si  dhe zhvilloi një vizitë në Kolegjin Barnet, ku u njoh nga afër me programet e edukimit/trajnimit që ofron ky Kolegj. Në këtë kolegj studiojnë disa të rinj shqiptar, me të cilët z. Klosi zhvilloi një bisedë të ngrohtë.
 
Gjithashtu, Ministri Klosi zhvilloi një takim bilateral me Ministrin britanik për Emigracion, z. Robert Goodwill. Gjatë këtij takimi z. Klosi informoi mbi zhvillimet më të fundit në vend lidhur me reformën e shërbimeve sociale, mbi reformën e pensioneve, si dhe për programet e trajnimit të të rinjve. Ministri Klosi vuri në dukje se qeveria shqiptare, duke dashur t’u vijë në ndihmë sa më shumë prej emigrantëve shqiptarë, të cilët punojnë dhe jetojnë në mënyrë të ligjshme në mjaft vende të botës, ka filluar të negociojë marrëveshje dypalëshe në fushën e pensioneve. Ai përmendi rastin e marrëveshjes me Austrinë, informoi ministrin britanik për problematikën e këtyre marrëveshjeve, si dhe kërkoi që një marrëveshje e tillë të arrihej edhe me palën britanike, pasi në MB jeton dhe punon një kontingjent i konsiderueshëm emigrantësh nga Shqipëria.
 
Z. Goodwill, pasi falënderoi z. Klosi për informacionin lidhur me zhvillimet në vendin tonë në fushën e mbrojtjes sociale, u shpreh se pala britanike e konsideron Shqipërinë një vend të sigurt dhe që po bën progres në drejtim të integrimit në BE. Ai ofroi bashkëpunimin e palës britanike në drejtim të mbrojtjes së familjeve të emigrantëve nga puna e detyruar, ose shfrytëzimi i emigrantëve për punë të rëndë ose të paligjshme, si dhe premtoi që do të përcillte pranë Departamentit për Punë dhe Pensione kërkesën për të shqyrtuar mundësinë e hartimit të një marrëveshjeje për pensionet.
 
Në fund të takimit z. Goodwill shprehu interesin për të vizituar vendin tonë, gjë që u mirëprit nga Ministri Klosi.

Adresa

Ambasada Shqiptare
33 St. George\'s Drive,
London SW1V 4DG

Tel / Fax

Tel: +44(0) 20 7828 8897
Fax.+44 (0) 77 8562 8137
Emergency call:
+44 (0) 75 18662630

E-MAIL

embassy.london@mfa.gov.al
consular.london@mfa.gov.al

Orari zyrtar

E hënë- E premte
09:00 - 17:00
Shërbimi Konsullor:
E hënë, E mërkurë
09:00-14:00
Pasaportat: E marte, E Enjte 09:00-12:00