Tiranë – Ministri Lleshaj pret Ministrin e Brendshëm të Turqisë, Soylu

Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj priti ministrin e Brendshëm të Republikës së Turqisë, z. Süleyman Soylu. Kjo vizitë zyrtare e ministrit turk, pasoi takimin që dy ministrat patën në Ankara disa muaj më parë. Bisedimet u fokusuan mbi mundësitë, për rritjen e bashkëpunimit në funksion të sigurisë publike.
Ministri Lleshaj i vlerësoi marrëdhëniet shumë të mira, duke theksuar se ky është një moment për t’u dhënë një shtysë të re atyre.
Ministri Soylu falënderoi z. Lleshaj për mikpritjen dhe bujarinë. Ai e cilësoi Shqipërinë si një vend mik dhe marrëdhëniet historike e rrënjësore si të shkëlqyera, me mundësi për t’i çuar përpara. Shqipëria është një nga vendet e rajonit, me të cilën Turqia bashkëpunon më së shumti, u shpreh z. Soylu, duke pohuar se ka disa bashkëpunime funksionale që uroi të jenë të vazhdueshme.
Gjatë takimit u trajtuan fushat ku do të ndalet e kërkohet të thellohet bashkëpunimi, mes dy ministrive të Brendshme e Policive përkatëse. Ky bashkëpunim synohet të thellohet mes dy Akademive të Sigurisë, në fushën e luftës kundër krimit ekonomik e financiar, trajnimi i personelit policor, pajisjet për Policinë e Shtetit, si dhe ekspertiza për sistemin e menaxhimit doganor shqiptar.
Ministri Lleshaj veçoi si prioritar bashkëpunimin për luftën kundër krimit ekonomik dhe financiar, trajnimet e efektivëve dhe pajisjet policore.
Dy ministrat e Brendshëm vizituan më pas, Repartin e Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë (FNSH) në Tiranë, ku pati një prezantim të shkurtër të punës dhe rezultateve të kësaj force, si dhe u panë nga afër ambientet e trajnimit dhe stërvitjes së tyre.

Adresa

Ambasada Shqiptare
Ebu Ziya Tevfik sok. No. 17,
Çankaya, Ankara

Tel / Fax

Tel. +90312 4416103
Fax.+ 90312 4416109
Nr. i emergjences : +90 549 561 19 85

E-MAIL

embassy.ankara@mfa.gov.al

Orari zyrtar

E hënë- E premte
09:00 - 17:00