Ministri Bushati në Kazakistan: Nxisim bashkëpunimin ekonomiko-tregtar mes dy vendeve

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme Ditmir Bushati zhvilloi sot një vizitë zyrtare në Astana, Kazakistan. Gjatë kësaj vizite, e para e një ministri të jashtëm të Shqipërisë gjatë këtyre 25 viteve, Bushati u takua me Ministrin e Jashtëm të Republikës së Kazakistanit, Kairat Abdrakhmanov si dhe u prit në takim nga Kryetari i Senatit Kassym-Jomart Tokayev.
Në takimin me homologun kazak, Ministri Bushati e vuri theksin në rëndësinë e intensifikimit të marrëdhënieve ekonomiko-tregtare, përmes konkretizimit të lidhjeve në sektorë të ndryshëm të biznesit, në fushat me interes të përbashkët mes dy vendeve.
Ai e quajti premtues bashkëpunimin dypalësh për realizimin e projekteve në fushën e naftës dhe të gazit, infrastrukturës, turizmit, agro-bujqësisë dhe nënvizoi gjithashtu nevojën e nxitjes së kontakteve mes komuniteteve të biznesit të të dy vendeve, në mënyrë që të përfitohet sa më shumë nga të gjitha hapësirat e mundshme të bashkëpunimit. Gjatë takimit, Ministri Bushati falënderoi homologun për thellimin e bashkëpunimit shumëpalësh duke rikonfirmuar angazhimin e mëtejshëm në çështjet e sigurisë, luftën kundër terrorizmit, krimit të organizuar dhe sfidave e kërcënimeve të tjera transnacionale.
Në këtë kuadër, Ministri Bushati dhe homologu Abdrakhmanov diskutuan mbi bashkëpunimin në organizatat ndërkombëtare dhe forcimin e bashkëpunimit në planin shumëpalësh, përfshirë këtu dhe mbështetjen për kandidaturën e Shqipërisë për marrjen e Kryesisë së OSBE-së në 2020.
Ministri Bushati u ndal tek diaspora shqiptare e pranishme në kryeqytetin kazak Astana, për të cilët u shpreh se janë urë lidhëse dhe faktor për zhvillimin e biznesit dhe marrëdhënieve tregtare mes dy vendeve.
Nga ana e tij, Ministri Abdrakhmanov shprehu interesin e Kazakistanit për nxitjen e mëtejshme të marrëdhënieve të bashkëpunimit me Shqipërinë, sidomos në aspektin ekonomik dhe bashkarisht me Ministrin Bushati u dakordësuan për të finalizuar kuadrin ligjor, i cili do të lehtësojë bashkëpunimin në këtë drejtim. Gjatë kësaj vizite, Ministri Bushati shoqërohej edhe nga një grup biznesmenësh shqiptarë. Në fund të takimit nënshkruan edhe dy marrëveshje, Protokolli i Bashkëpunimit ndërmjet dy ministrive të Jashtme dhe Protokolli i Bashkëpunimit ndërmjet dy Dhomave të Tregëtisë.

Adresa

Ambasada Shqiptare
Ebu Ziya Tevfik sok. No. 17,
Çankaya, Ankara

Tel / Fax

Tel. +90312 4416103
Fax.+ 90312 4416109
Nr. i emergjences : +90 549 561 19 85

E-MAIL

embassy.ankara@mfa.gov.al

Orari zyrtar

E hënë- E premte
09:00 - 17:00