Marrëdheniet dypalëshe

Marrëdhëniet e shkëlqyera politike shqiptaro-turke e kanë bazën e tyre në miqësinë tradicionale dhe bashkëjetesën qindra-vjeçare midis popujve e kombeve tona. Një nga faktorët kryesore që e ka forcuar këtë miqësi  është ekzistenca e një numri mjaft të madh qytetarësh turq me origjinë shqiptarë, të shpërndarë në pothuaj të gjithë Turqinë, të cilët kanë dhënë një kontribut të konsiderueshëm për shtetin turk dhe kombin turk duke gëzuar respektin dhe dashamirësinë e tyre.

Turqia ka qenë dhe mbetet një partner i rëndësishëm strategjik i Shqipërisë në rajon e më gjerë, prandaj forcimi, zgjerimi dhe thellimi i pandalshëm i marrëdhënieve të shkëlqyera me Turqinë mike e aleate në NATO, në kushtet e reja të angazhimeve të përbashkëta të sigurisë, paqes dhe të zhvillimit ekonomik,mbetet një nga prioritetet e rëndësishme të politikës së jashtme të institucioneve shqiptare.

Duke qenë një nga mbështetësit kryesorë për hyrjen në NATO të Shqipërisë, gjithashtu kontribues i rëndësishëm në modernizimin e ushtrisë dhe policisë shqiptare, një nga mbështetësit kryesorë për njohjet ndërkombëtare të Republikës së Kosovës e bëjnë Turqinë partnerin kryesor strategjik të Shqipërisë në rajon e më gjerë. Në këtë kuadër në ditët e sotme merr një rëndësi të veçantë bashkëpunimi midis institucioneve homologe të sigurisë dhe të zbatimit të ligjit.

Vlerësohen rezultatet shumë të mira të bashkëpunimit midis të dy vendeve dhe investitorëve private sidomos ne fushën e energjisë, mineraleve, ndërtimit te infrastrukturave, telekomunikacionit, etj, dhe shprehet vullneti për nxitje, zgjerim dhe thellim të mëtejshëm të këtij bashkëpunimi dhe shtim të investimeve turke në Shqipëri si një e mirë e përbashkët për të dy vendet..

Turqia është gjithashtu një nga partnerët më të rëndësishëm ekonomik e tregtar për Shqipërinë. Vitet e fundit, krahas zhvillimit të marrëdhënieve të shkëlqyera politike, kanë ardhur duke u intensifikuar edhe marrëdhëniet ekonomiko-tregtare. Për Shqipërinë mund të shërbejë si model zhvillimi përparimi i Turqisë në disa fusha si në turizëm, mjekësi, infrastrukturë, etj.

Midis dy vendeve ekziston një kuadër i plotë dhe i favorshëm ligjor që përfshin pothuaj të gjitha fushat dhe nivelet e bashkëpunimit, si në mbrojtje, shëndetësi, drejtësi, bujqësi, turizëm, financa, sistem bankar, sigurimet sociale, arsim, qeverisjen vendore, etj.

Adresa

Ambasada Shqiptare
Ebu Ziya Tevfik sok. No. 17,
Çankaya, Ankara

Tel / Fax

Tel. +90312 4416103
Fax.+ 90312 4416109
Nr. i emergjences : +90 549 561 19 85

E-MAIL

embassy.ankara@mfa.gov.al

Orari zyrtar

E hënë- E premte
09:00 - 17:00