Cakaj pret Çavuşoğlu​ në Tiranë/ Nënshkruhen tre marrëveshje të rëndësishme

Ministri në Detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, priti sot në një takim Ministrin e Jashtëm turk, Mevlüt Çavuşoğlu​.
Takimi kishte në fokus diskutime në fusha me interes të përbashkët, si: avancimi i mëtejmë i marrëdhënieve ekonomike e tregtare mes dy vendeve, rëndësia e përmirësimit të cilësisë së bashkëpunimit rajonal dhe thellimi i ndërveprimit në organizata shumëpalëshe.
Që në nisje të fjalës së mbajtur në konferencën për shtyp, sa i përket takimit, Cakaj i shprehu mirënjohjen e tij absolute homologut turk, për mbështjetjen e pakursyer e solidaritetin e plotë që Qeveria turke ka dhënë për Shqipërinë, që prej orëve të para pas goditjes së tërmetit dhe në vazhdimësi.
“Marrëdhëniet e qëndrueshme mes dy vendeve tona janë të rrënjosura jo vetëm në lidhjet historike por edhe të mirë-vendosura në një rrafsh ndërveprimi intensiv dypalësh, bashkëpunimi konstruktiv në organizata ndërkombëtare e partneritet të qëndrueshëm në NATO.”- theksoi Cakaj në fjalën e tij.
Gjithashtu, Kryediplomati Cakaj shprehu vlerësim për mbështetjen e vazhdueshme të Turqisë për Republikën e Kosovës në kuadër të procesit të forcimit të pozicionit ndërkombëtar dhe anëtarësimit të organizatave shumëpalëshe.
Pas takimit, palët nënshkruan tre dokumenta shumë të rëndësishëm:
Së pari, Marrëveshjen për “Njohjen e ndërsjellë dhe shkëmbimin e Lejeve të drejtimit”, e cila do të lehtësojë lëvizjen dhe do të eleminojë barrierat administrative dhe burokratike për përdorimin e lejeve të drejtimit mes Shqipërisë dhe Turqisë.
Së dyti, Memorandumin e Mirëkuptimit ndërmjet Akademive Diplomatike për Shkëmbimin e Diplomatëve, që do të shërbejë në rritjen e kapaciteteve profesionale dhe shtimin e mundësive të këmbimit të përvojave mes dy vendeve.
Së treti, “Deklaratën e Përbashkët” ndërmjet dy ministrive që do të shërbejë për rritjen e përpjekjeve e bashkërendimin e qëndrimeve në kuadër të organizatave ndërkombëtare në luftën kundër krimit të organizuar, trafiqeve ilegale, dhunës ekstreme dhe terrorizmit.

Adresa

Ambasada Shqiptare
Ebu Ziya Tevfik sok. No. 17,
Çankaya, Ankara

Tel / Fax

Tel. +90312 4416103
Fax.+ 90312 4416109
Nr. i emergjences : +90 549 561 19 85

E-MAIL

embassy.ankara@mfa.gov.al

Orari zyrtar

E hënë- E premte
09:00 - 17:00