Marrëdheniet dypalëshe

Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Stokholm mbulon marrëdhëniet diplomatike me shtetet e poshtëshënuar:  

 

Mbretërinë e Suedisë

Republikën e Finlandës

Mbretërinë e Norvegjisë   

 

Republikën e Islandës

 

MARREDHENIET ME SUEDINE

Marrëdhëniet diplomatike midis Shqipërisë dhe Suedisë janë vendosur më 20 qershor 1969 dhe Ambasada jonë në Stokholm është hapur në prill te vitit 1972. Gjatë viteve shtatëdhjetë dhe tetëdhjetë marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve tona  kanë qenë të kufizuara. Vizita e parë e një ministri suedez të Punëve të Jashtme në Shqipëri është zhvilluar në maj 1991, kur Sten Andersson vizitoi vendin tone në cilësinë e Kryetarit të Komitetit te Ministrave të Këshillit të Evropes. Në vijim vendin tonë e kanë vizituar një numër i konsiderueshëm zyrtarësh të lartë suedezë si p.sh. zëvendëskryeministrja Lena Hjelm-Wallén (2000), ministret e Punëve të Jashtme Anna Lindh (1999) dhe Laila Freivalds (2006), etj. Në muajin shkurt 1998 është hapur në Tiranë Konsullata e Përgjithshme e Suedisë, ndërsa në dhjetor të vitit 2010 u hap Ambasada suedeze.

Marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve janëshumëtëmira dhevizitat e nivelit të lartë janë intensifikuar veçanërisht gjatë dy viteve të fundit, gjë që konfirmohet nga vizita e Kryeministrit Edi Rama ne Stokholm (nëntor 2014), vizitat e ndërsjella të Kryetarëve të Parlamenteve respektive Urban Ahlin (shkurt 2015) dhe Ilir Meta (shkurt 2016), e ministrit të Punëve të Jashtme Ditmir Bushati në Suedi (qershor 2015), vizita e ministres së Integrimit Evropian Klajda Gjosha në Stokholm (dhjetor 2015), vizita e Kryeministrit Rama në Suedi (maj 2016), etj. Pas vizitës së fundit Suedia vendosi ngritjen e nivelit të përfaqësimit të saj në Tiranë nga i Ngarkuar me Punë a.i. në Ambasador.      

Gjatë dy dekadave të fundit Suedia ka mbështetur në mënyrë të palëkundur procesin integrues-anëtarësues të vendit tonë në Bashkimin Evropian, fillimisht për përfundimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociiimit, më pas për marrjen e statusit të vendit kandidat dhe në vijim për arritjen e objektivit të anëtarësimit. Kjo mbështetje është dhënë dhe jepet jo vetëm në aspektin politik, por edhe nëpërmjet asistencës zhvillimore  për forcimin e kapaciteteve administrative dhe drejtime të tjera. Instrumenti kryesor për konkretizimin e ndihmës zhvillimore suedeze në vendin tonë është veprimtaria e Agjencisë Suedeze të Zhvillimit dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtar (SIDA), e cila bazohet në strategjinë e miratuar për periudhën 2014-2020. Kjo strategji parashikon financime vjetore në masën rreth 80 milionë korona suedeze (rreth 9 milionë euro). Ndihma zhvillimore suedeze në Shqipëri ka në fokus dy fusha kryesore: qeverisjen demokratike dhe të drejtat e njeriut si edhe burimet natyrore dhe mjedisin.

 

 

MARREDHENIET ME NORVEGJINE

Marrëdhëniet diplomatike midis Shqipërisë dhe Norvegjisë janë vendosur më 29 maj 1971. Gjatë viteve shtatëdhjetë dhe tetëdhjetë marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve tona kanë qenë të kufizuara. Në vitet 1990-të Norvegjia filloi financimin e disa projekteve, ndër të cilët më i rëndësishmi ishte ai per modernzimin e Telekomit shqiptar. Vizita e parë e një ministri norvegjez të Punëve të Jashtme në Shqipëri është zhvilluar në prill te vitit 1998, kur Knut Vollebæk  vizitoi vendin tonë për të diskutuar jo vetëm çështjet dypalëshe por edhe ato rajonale, veçanërisht Kosovën (atë periudhë Norvegjia bënte pjesë në Trojkën e OSBE-së). Në tetor të po atij viti vizitoi Norvegjinë MPJ shqiptar Paskal Milo, ndërsa në shkurt 2000 kryeministri Ilir Meta. Nëmars 2008 zhvilloi një vizitë në Tiranë Sekretarja e shtetit në MPJ-në norvegjeze znj. Elisabeth Walaas dhe në tetor të atij viti zhvilloi një vizitë zyrtare në Norvegji MPJ Lulzim Basha. Në maj të vitit 2009 vizitoi Tiranën presidenti i parlamentit norvegjez Thorbjørn Jagland dhe në nëntor të vitit 2011 kryeministri shqiptar Sali Berisha vizitoi Oslon. Kohët e fundit janë zhvilluar dy vizita të rëndësishme në nivel ministri të Punëve të Jashtme: në korrik 2015 Ditmir Bushati vizitoi Norvegjinë dhe në mars 2016 Børge Brende vizitoi Tiranën.

Gjatë periudhës 1999-2007 Norvegjia kishte një zyrë diplomatike në Tiranë, ndërsa aktualisht përfaqësohet nga Konsullja e Nderit zj. Marinela Jazoj. Mbulimi diplomatik i Shqiperise kryhet nëpërmjet Ambasadës norvegjeze në Prishtinë. Edhe vendi ynë nuk ka ambasadë rezidente në Oslo, prandaj Ambasada jonë në Stokholm mbulon edhe Norvegjinë.

Norvegjia mbështeti fuqimisht anëtarësimin e vendit tonë në NATO si edhe ka vlerësuar dhe vlerëson pozitivisht politikën tonë të jashtme, duke e konsideruar atë si faktor stabilizues në Rajonin e Ballkanit. Marrëdheniet shumë të mira në planin politik po shoqërohen edhe me forcimin e marrëdhënieve ekonomike: kompania norvegjeze Statkraft ka investuar deri tani 535 milionë euro në sektorin energjitik. Përveç sa sipër, qeveria norvegjeze vazhdon të mbështesë procesin e reformave në Shqipëri nëpërmjet  financimit të projekteve të zhvillimit, duke disbursuar çdo vit rreth 14 milionë korona ose 1, 5 milionë euro. Akualisht projekti më i rëndësishem është ai për mbështetjen e Autoritetit Shqiptar të Infrastrukturës Gjeohapësinore, i cili po zbatohet nga Autoriteti Kartografik Norvegjez (Kartverket).

 

 

MARREDHENIET ME FINLANDEN

Dy vendet nuk kanë përfaqësi diplomatike rezidente, por e kryejnë mbulimin diplomatik nëpërmjet Ambasadave në vendet fqinje: Shqipëria nga Stokholmi dhe Finlanda nga Athina. Konsujt e nderit të Shqipërisë në Finlandë janë  zj. Liliana Verdha në Helsinki (Konsulle e Përgjithshme Nderi) dhe z. Mikko Elo ne rajonin e Satakuntës. Konsulli i Nderit të Finlandës në vendin tonë është z. Bardhyl Minxhozi.

Në mars të vitit 2010 zhvilloi një vizitë në Helsinki zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme Ilir Meta. Në muajin janar 2014 vizitoi Tiranën një delegacion i MPJ finlandeze i kryesuar nga Drejtori i Përgjithshem për Evropën Z. Jukka Salovaara. Në qershor 2015 u zhvilluan në Helsinki konsultime politike dypalëshe në nivel Drejtor Drejtorie të MPJ. Në maj 2016 zhvilloi një vizitë në Finlandë ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë Blendi Klosi.

Marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve janë shumë të mira. Gjatë dy dekadave të fundit Finlanda ka mbështetur vazhdimisht procesin integrues-anëtarësues të vendit tonë në Bashkimin Evropian, fillimisht për përfundimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociiimit, më pas për marrjen e statusit të vendit kandidat dhe në vijim për arritjen e objektivit të anëtarësimit. Përveç mbështetjes politike, Helsinki kontribuon edhe në projekte të ndryshme zhvillimore si p.sh. në zbatimin e projektit të binjakëzimit për mbështetjen e zgjidhjes alternative të konflikteve në Shqipëri.

 

 

MARREDHENIET ME ISLANDEN

Si Shqipëria ashtu edhe Islanda nuk kanë përfaqësi diplomatike rezidente në Rejkjavik dhe Tiranë, por e kryejne mbulimin diplomatik nëpërmjet Ambasadave përkatëse në Stokholm. Konsulli i Nderit të Islandës në vendin tonë është z. Isuf Berberi. Marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve janë shumë të mira dhe Rejkjaviku mbështeti pa rezerva anëtarësimin e Shqipërisë në NATO.

Në gusht 2008 kryeministri islandez Geir Haarde zhvilloi një vizitë në Tiranë, në shkurt MPJ shqiptar Lulzim Basha vizitoi Rejkjavikun dhe në nëntor 2009 Kryetarja e Parlamentit islandez Ásta Ragnheiður Jóhannesdóttir vizitoi Shqipërinë. Në shtator te vitit 2014 u zhvillua në Nju Jork një takim ndërmjet MPJ Bushati dhe MPJ islandez Gunnar Bragi Sveinsson, gjatë të cilit u nënshkrua edhe marrëveshja për mënjanimin e taksimit të dyfishtë.

Adresa

Ambasada Shqiptare
Capllavägen 7, 181 32
LIDINGÖ, Stockholm

Tel / Fax

Tel. +46 8 7310920
Tel. emergjence
+46 73 57 42 350
Orari i pritjes se telefonatave: 10:00 – 14:00
Fax. +46 8 767 6557

E-MAIL

embassy.stockholm@mfa.gov.al (rekomandohet komunikimi me e-mail për çështje konsullore)

Orari zyrtar

E hënë- E enjte
09:00-17:00
E premte
09:00- 14:00