Asistenca e mbrojtja e shtetasve në vështirësi
Në situata të vështira e fatkeqësi shtetasit shqiptarë dhe të afërmit e tyre mund t’i drejtohen kurdoherë MPJ, Drejtorisë Konsullore, dhe përfaqësive tona diplomatike e konsullore jashtë shtetit, për të marrë ndihmë e për t’u këshilluar. Shtetasit mund të kërkojnë ndihmën e përfaqësive tona edhe kur u shkelen të drejtat e tyre në shtetin e rezidencës. Asistenca dhe ndihma që mund të jepet varet nga hapësirat e lejuara nga aktet ndërkombëtare dhe marrëveshjet reciproke dhe rrethanat konkrete.
Detaje për asistencën në përgjithësi: Asistencë dhe ndihmë e përgjithshme
Katastrofat natyrore, situatat luftarake, terrorizmi dhe rrëmbimet
Katastrofat natyrore dhe situatat luftarake
Përfaqësitë tona veprojnë menjëherë për të kontaktuar shtetasit shqiptarë në zonat e prekura nga katastrofat natyrore dhe situatat luftarake jashtë shtetit. Të afërmit duhet të kontaktojnë menjëherë MPJ, Drejtorinë Konsullore, për të dhënë informacione të vlefshme për vendndodhjen e shtetasve.
Inkurajojmë të gjithë shtetasit tanë të regjistrohen pranë Përfaqësive tona që mbulojnë shtetet ku ata qëndrojnë ose të kenë përherë me vete informacion se si mund të kontaktojnë Përfaqësitë ose MPJ, Drejtorinë Konsullore.
Terrorizmi dhe rrëmbimet
Sulmet terroriste dhe rrëmbimet janë të mundshme. Shtetasit shqiptarë që udhëtojnë jashtë shtetit në zona të pasigurta duhet të mbajnë parasysh se mund të gjenden në situata të tilla. Para se të qarkullojnë në vende të huaja ata duhet të informohen për rrezikshmërinë e vendit të destinacionit.
Vdekjet, sëmundjet dhe aksidentet e rënda
Ndihma në rastet e vdekjeve
Përfaqësitë tona ndihmojnë familjen dhe të afërmit në raste vdekjesh. Ato këshillojnë, ndërmjetësojnë me autoritetet e vendit pritës për përgatitjen e dokumentacionit për kryerjen e veprimeve të varrimit ose riatdhesimin me trasnporte funerale.
Në rast se shtetasit e vdekur nuk kanë të afërm në vendin e qëndrimit, Përfaqësitë interesohen për të njoftuar e kontaktuar të familjarët në Shqipëri përmes MPJ.
Asistenca për të sëmurët ose të aksidentuarit rëndë
Përfaqësitë ndihmojnë të sëmurët ose të aksidentuarit rëndë. Nëse këta shtetas nuk kanë të afërm, përmes Ministrisë së Punëve të Jashtme njoftohen familjarët në Shqipëri.
Të ndaluarit, personat nën hetime dhe të burgosurit
Përfaqësitë tona interesohen dhe ndihmojnë shtetasit e ndaluar, nën hetime apo të burgosur. Ato ndërhyjnë tek autoritetet vendase për të mbrojtur të drejtat e shtetasve dhe për të garantuar të drejtën për hetime e gjykime të paanshme. Ndërhyjnë për të mos lejuar keqtrajtimin e të burgosurve dhe sigurimin e kushteve normale, në raport me standardet e vendit pritës, të mbajtjes në burg.
Me dëshirën e shtetasve Përfaqësitë rekomandojnë avokatë dhe përkthyes të njohur prej tyre. Njoftojnë përmes MPJ, Drejtorisë Konsullore, të afërmit dhe familjarëve. Por Përfaqësitë nuk mund të marrin përsipër përfaqësime në procese gjykimi si avokatë mbrojtës.
Shtetasit e ndaluar, të hetuar dhe të burgosurit mund të mos lejojnë njoftimin e Përfaqësisë tonë dhe kontaktimin e tyre. Në këto raste as familja e të afërmit nuk mund të ndihmohen nga Përfaqësitë tona për t’u lidhur e për t’u informuar për ta.
Për më shumë: Asistencë për shtetasit shqiptarë të ndaluar dhe arrestuar
Ndihma në rastet e humbjes së kontakteve
Kur humbin kontaktet me shtetasit jashtë vendit, të afërmit e tyre i drejtohen MPJ, Drejtorisë Konsullore, ose përfaqësive tona. Përpjekjet që do të bëhen për rivendosjen e kontakteve do të jenë të suksesshme në varësi të saktësisë së informacionit që do të ofrojnë të afërmit.
Të afërmit duhet të mbajnë parasysh se strukturat e Shërbimit Konsullor nuk kanë të drejtë të ndërhyjnë në privatësinë e shtetasve. Ato nuk kanë të drejtë të kërkojnë, pa dëshirën e shtetasve, lidhjen me të afërmit e tyre.
Për më shumë: Asistencë për shtetasit shqiptarë të humbur
Asistenca financiare për riatdhesimin
Shpenzimet për riatdhesimin e shtetasve nuk përballohen nga shteti. Janë vetë shtetasit ose të afërmit e tyre që duhet të bëjnë pagesat për udhëtim e kthimit dhe lëshimin e dokumenteve të nevojshme.
Legalizimi dhe apostilimi i dokumenteve
Të gjithë dokumentet e lëshuara nga administrata shqiptare e të destinuara për t’u përdorur jashtë shtetit duhet të jenë të legalizuara. Të legalizuara duhet të jenë edhe dokumentet e huaja që do të paraqiten në autoritetet tona.
Legalizimi i dokumenteve në përfaqësitë tona dhe në MPJ
Legalizimi është procedura e njohjes së rregullshmërisë së dokumentit të huaj. Për këtë diplomatët konsullorë konfirmojnë funksionarin përgjegjës dhe institucionin, përkatësisht duke vërtetuar nënshkrimin dhe vulën. Më parë autoriteti që lëshon dokumentin duhet të ketë njoftuar personat që kanë të drejtë të lëshojnë dokumente dhe depozituar nënshkrimet e tyre.
Autoritetet përgjegjëse për legalizimin e dokumenteve për secilin vend të huaj mund të gjenden në faqet zyrtare të ministrive të jashtme.
Legalizimi i dokumenteve shqiptare për përdorim jashtë shtetit dhe legalizimi i dokumenteve të huaja për tu paraqitur në autoritetet shqiptare rregullohet me VKM nr. 134, datë 07.03.2003.
Bashkëlidhur:
Lista e vendeve, për të cilat kërkohet legalizimi i dokumenteve: Lista e vendeve me legalizim
Apostilimi i dokumenteve
Shqipëria është anëtare e Konventës së Hagës “Për heqjen e detyrimit të legalizimit të dokumenteve zyrtare të huaja” të 5 tetorit 1961, që do të thotë se dokumentet shqiptare që do të përdoren në vendet anëtare të së njëjtës Konventë, si dhe anasjelltas, nuk do të legalizohen nga përfaqësitë diplomatike e konsullore. Për më shumë: http://www.hcch.net/index_en.php?act=text.display&tid=37
Në bazë të kësaj Konvente, dokumentet pajisen me një vulë Apostille nga autoriteti kompetent i vendit ku janë lëshuar dhe më pas mund të përdoren direkt në institucionin përkatës (Gjendje civile, gjykatë, institucion arsimor, etj.) të vendit pritës.
Autoritetet përgjegjëse për apostilimin e dokumenteve gjinden në adresën:
http://www.hcch.net/index_en.php?act=conventions.authorities&cid=41
Bashkëlidhur:
Lista e vendeve, për të cilat kërkohet apostilimi i dokumenteve: Lista e vendeve me apostilim
Vendet për të cilat nuk kërkohet legalizimi/apostilimi i dokumenteve
Me marrëveshje dypalëshe dokumentet për disa vende (Hungaria, Republika Çeke, Rumania, Rusia dhe Sllovakia) pranohen direkt pa pasur nevojë të legalizohen apo apostilohen.
Bashkëlidhur:
Lista e vendeve, dokumentet e të cilave pranohen pa u legalizuar apo apostiluar: Lista e vendeve drejtpërdrejt
Institucionet përgjegjëse
Në Shqipëri, autoriteti përgjegjës për legalizimin e apostilimin e dokumenteve është MPJ, Drejtoria Konsullore. Në vende të tjera mund të jetë Ministria e jashtme, Ministria e Drejtësisë, apo edhe struktura të ndryshme lokale.
Autoritetet përgjegjëse për legalizimin e dokumenteve për secilin vend të huaj mund të gjenden në faqet zyrtare të ministrive të jashtme.
Autoritetet përgjegjëse për apostilimin e dokumenteve gjinden në adresën:
http://www.hcch.net/index_en.php?act=conventions.authorities&cid=41
Paraqitja e dokumenteve për legalizim
Paraqitja e dokumenteve për legalizim jashtë shtetit bëhet direkt në përfaqësitë tona jashtë shtetit.
Paraqitja e dokumenteve për legalizim në Shqipëri bëhet përmes shërbimeve postare.
Për më shumë:
Lëvizja e lirë në vendet e hapësirës Schengen
Vendet në të cilat nuk ka nevojë për vizë
-
Vendet në të cilat shtetasit shqiptarë nuk kanë nevojë për vizë e që zbatojnë rregullat e hapësirës Schengen janë:
Austria, Belgjika, Bullgaria, Danimarka, Estonia, Finlanda, Franca, Greqia, Gjermania, Holanda, Islanda, Italia, Letonia, Lichtenshtejn, Lituania, Luksemburg, Malta, Norvegjia, Polonia, Portugalia, Qipro, Republika Çeke, Rumania, San Marino, Sllovakia, Sllovenia, Spanja, Suedia, Zvicra.
Afatet dhe motivet e qëndrimit pa vizë
-
Afatet e qëndrimit
Shtetasit shqiptarë mund të qëndrojnë në vendet si më sipër për 90 ditë brenda një periudhe 6 mujore. Numërimi i ditëve të qëndrimit fillon në momentin e hyrjes së parë. Nga data e hyrjes së parë llogaritet gjashtëmujori përgjatë shtetasit nuk mund të kalojnë afatqëndrimin prej 90 ditësh. Për hyrje dalje të shkurtra, afati i qëndrimit është shuma e ditëve për secilit udhëtim.
Nëse përgjatë një gjashtëmujori shtetasit nuk qëndrojnë 90 ditë të plota, ditët e mbetura nuk kalojnë e përllogariten si shtesë e afatqëndrimit të lejuar në gjashtëmujorin pasardhës.
Mosrespektimi i afatqëndrimit 90 ditor për gjashtëmuaj përbën shkelje të legjislacionit të vendeve të Schengen-it. Shtetasit që thyejnë këtë afat penalizohen me gjoba ose me ndalim të hyrjes në të gjithë hapësirën Schengen-it.
Motivet e qëndrimit
Motivi i vetëm i qëndrimit pa vizë në hapësirën e vendeve të Schengen-it është qëndrimi afatshkurtër për qëllime turizmi, kontakte pune, biznesi, aktivitete kulturore dhe vizita familjare. Shtetasit nuk kanë të drejtë të shfrytëzojnë qëndrimin pa vizë për qëllime punësimi, trajtime shëndetësore ose shkollim.
Për të qëndruar tej afatit 90 ditë për 6 muaj shtetasit janë të detyruar të kërkojnë vizë qëndrimi, ose e ashtuquajtur vizë e tipit D. Me këtë vizë garantohet marrja e lejes së qëndrimit për motive qëndrimi afatgjatë.
Dokumentacioni i nevojshëm
-
Kërkesë parësore është paraqitja e pasaportës së vlefshme biometrike. Në përputhje me motivin e udhëtimit shtetasi është i detyruar të justifikojë me dokumente mbështetëse, nëse kërkohen, motivin e udhëtimit dhe aftësinë e tij për të përballuar financiarisht udhëtimit. Autoritetet kufitare të huaja kanë të drejtë të refuzojnë hyrjen shtetasit, i cili nuk është në gjendje mjaftueshëm të justifikojë motivin e udhëtimit.
Hyrja në hapësirën Schengen u refuzohet personave, të cilët më parë janë dënuar nga njëri prej vendeve Schengen për mosrespektim të legjislacionit të qëndrimit.
Informimi për bllokimin në hapësirën Schengen
-
Si rregull nëse një shtetas është ndaluar të hyjë në hapësirën Schengen duhet të kërkojë informacion nga vendi që ka bërë bllokimin. Vetëm vetë shtetasi ka të drejtë të kërkojë këtë informacion. Për këtë ai duhet t’i drejtohet autoriteteve të vendit ose përfaqësisë diplomatike e konsullore të tij.
-
Tarifat konsullore
-
Tarifat për shërbimet konsullore rregullohen në mbështetje të nenit 11 në Ligjin nr. 9975, datë 28.7.2008 “Për taksat kombëtare” si dhe të Udhëzimit të Ministrit të Financave dhe Ministrit të Punëve të Jashtme nr. 37, dt. 31.12.2014, “Për përcaktimin e tarifës për shërbimet konsullore të Ministrisë së Punëve të Jashtme apo ambasadave tona jashtë vendit”.
-
I. Tarifat për lëshimin e dokumenteve të udhëtimit
-
1. Pasaportë biometrike
- Belgjikë: 170 €
- Greqi, Itali :130 €
- Mbretëria e Bashkuar: 144 GBP
- SHBA: 240 $
- Zvicër: 204 SFR
2. Letërnjoftim
- Belgjikë: 16 €
- Greqi, Itali :12 €
- Mbretëria e Bashkuar: 13 GBP
- SHBA: 18 $
- Zvicër: 18 SFR
3. Lejekalimi lëshuar nga përfaqësitë: 30 €
-
II. Tarifat për lëshimin, verifikimin dhe legalizimin e dokumenteve:
-
1. Certifikatë e çdo lloji lëshuar për shtetasit shqiptarë: 30 €
1a. Certifikatë e gjendjes civile lëshuar nga përfaqësitë (lëshohen vetëm në përfaqësitë në Itali): 20 €
2. Certifikatë e çdo lloji lëshuar për shtetasit e huaj: Reciprocitet
3. Vërtetim i çdo lloji lëshuar për shtetasit shqiptarë: 30 €
4. Vërtetim i çdo lloji lëshuar për shtetasit e huaj: Reciprocitet
5. Verifikimi i dokumentit për shtetasit shqiptarë: 10 €
6. Legalizimi i dokumentit për shtetasit shqiptarë: 15 €
7. Legalizimi i dokumentit për shtetasit e huaj: Reciprocitet
-
III. Tarifat për lëshimin e akteve noteriale dhe përkthimin e dokumenteve
-
1. Përpilimi i deklaratave, autorizimeve, testamenteve, garancive dhe prokurave të posaçme : 20 €/faqe
2. Vërtetimi i dublikatave dhe kopjeve: 10 €/faqe
3. Përkthimi i dokumenteve dhe certifikimi i përkthimit: 10 €/faqe
-
IV. Tarifat e vizave
-
Tarifat e vizave caktohen me VKM 513/13: Tarifat e vizave për të huajt;
V. Marrje dhe lënie shtetësie
-
1. Marrje shtetësie: 30 €
2. Lënie shtetësie: 30 €
Tarifa mund të arkëtohet edhe në dollarë ose në monedhën e vendit, duke pasur parasysh kursin e këmbimit në momentin e kryerjes së veprimeve. Pagesat për tarifat kryhen kurdoherë përmes transfertave bankare, me parapagim.
-
http://www.punetejashtme.gov.al/al/sherbime/sherbime-konsullore