
Ministri në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Gent Cakaj, në datën 6 korrik ka realizuar vizitë në Slloveni. Në takimin me Ministrin e Punëve të Jashtme të Sllovenisë Anže Logar, janë diskutuar temat e bashkëpunimit dypalësh, shtrirë në disa fusha, bashkëpunimi në kuadrin e nismave rajonale dhe të organizatave ndërkombëtare, etj. Ministri Cakaj ka shprehur mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme të Sllovenisë ndaj Shqipërisë në rrugëtimin e saj për integrim në BE, ka prezantuar arritjet në fushën e reformave e të përmbushjes së kushteve, duke veçuar se ende ka vend për përmirësim. Ndërkohë ministri Anže Logar ka pohuar se Sllovenia përherë ka qenë në mbështetje të Shqipërisë në rrugëtimin e saj evropian dhe synon që ta vazhdojë mbështetjen edhe në të ardhmen.