Debati i hapur në KS, Ministrja Xhaçka: Konfliktet, shkaku kryesor i pasigurisë ushqimore, të veprojmë për ndalimin e tyre

Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, mori pjesë në debatin e hapur në Këshillin e Sigurimit të OKB, mbi “Konfliktin e Sigurisë Ushqimore dhe Urinë”.
Ministrja Xhaçka u shpreh se konflikti mbetet shtytësi kryesor që çon drejt pasigurisë ushqimore, teksa nënvizoi se agresioni rus ndaj Ukrainës po e përkeqëson më tej këtë situatë.
“Ndërprerja e madhe e prodhimit, tregtisë dhe rritja e çmimeve globale të karburantit, ushqimit dhe energjisë si pasojë e luftës, po përkeqësojnë pabarazitë ekzistuese në rajonet e prekura, duke rrezikuar sigurinë ushqimore, përkeqësuar krizat ekzistuese humanitare dhe duke shtyrë më shumë njerëz në varfëri”, tha ministrja Xhaçka në fjalën e saj.
Sipas kryediplomates shqiptare, trajtimi i pasigurisë ushqimore në mbarë botën kërkon veprim urgjent dhe të koordinuar shumëpalësh, teksa theksoi se rezoluta e KS e cila bën thirrje për veprim shërben shumë mirë në këtë drejtim.
“Ne duhet të adresojmë shkaqet e krizave që i bëjnë sistemet ushqimore të cënueshme dhe të rrisim qëndrueshmërinë. Duhet të ketë një reagim të koordinuar multi-sektorial, në mënyrë që të zvogëlohet rreziku i një konflikti të ardhshëm. Veprimet përmes sistemit të OKB-së dhe institucioneve financiare ndërkombëtare, duhet të çojnë drejt investimeve në sisteme të qëndrueshme ushqimore dhe barazi gjinore. Gjithashtu, nevojitet raportim më i mirë dhe në kohë”, deklaroi ministrja Xhaçka.
Debati i hapur i cili u kryesua nga Sekretari i Shtetit Blinken, pasqyron rëndësinë e veçantë që SHBA-të i kushtojnë në vazhdimësi çështjes së sigurisë ushqimore, veçanërisht pas agresionit rus në Ukrainë. Edhe vitin e kaluar, SHBA-të organizuan një debat të hapur mbi të njëjtën tematikë.

Adresa

Ambasada Shqiptare
Ventúrska 277/16,
811 01 Bratislava

Slovak Republic

Tel / Fax

Tel: 004212 638 100 50
Emergency call:
00421 904 801 391

E-MAIL

embassy.bratislava@mfa.gov.al

Orari zyrtar

E hënë- E premte
09:00 - 17:00