Samiti i Parisit

Samiti i Parisit: vijon me projekte konkrete procesi i integrimit të Ballkanit Perëndimor
 
Më 4 korrik 2016, Ministri i Punëve të Jashtme mori pjesë në Samitin e Parisit për Ballkanin Perëndimor, si etapa e radhës e Procesit të Berlinit, në vazhdën e samiteve të organizuara në Berlin (2014) dhe Vjenë (2015). 
Samiti u drejtua nga Presidenti francez François Hollande dhe morën pjesë Kancelarja gjermane Angela Merkel, Përfaqësuesja e Lartë e BEsë për Politikën e Jashtme dhe të Sigurisë Federica Mogherini, Kryeministrat, Ministrat e Punëve të Jashtme dhe Ministrat e Ekonomisë të vendeve të BE-së dhe rajonit të angazhuara në Procesin e Berlinit.
Samiti shprehu mbështetjen e BE-së për vijimin e procesit të integrimit të Ballkanit Perëndimor pavarësisht nga konteksti i krijuar si pasojë e referendumit britanik. Gjithashtu, palet konfirmuan angazhimin e përbashkët për të afruar më tej vendet e rajonit me Bashkimin Evropian, nëpërmjet projekteve konkrete në transport dhe energji, si dhe duke krijuar mundësi reale për të rinjtë e rajonit. 
Në fjalën e tij në sesionin e Ministrave të Punëve të Jashtme, Ministri Bushati theksoi se “konsensusi aktual për perspektivën evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor duhet të konsolidohet përmes historive të suksesit dhe rezultateve të prekshme”.
Gjatë punimeve të Samitit u miratuan tre projekte të reja të ndërlidhjes infrastrukturore, ndër të cilët projekti i paraqitur nga Shqipëria për rehabilitimin e Hekurudhës Tiranë-Durrës dhe ndërtimin e degëzimit për në Rinas, me një vlerë investimi 82 milionë Euro, nga të cilat granti i Bashkimit Evropian do të jetë 35 milionë Euro. 
Një tjetër rezultat i angazhimit të Shqipërisë në Procesin e Berlinit ishte dhe nënshkrimi i marrëveshjes për themelimin e Zyrës Rajonale të Bashkëpunimit Rinor, që do të ngrihet në Tiranë, për të financuar projekte që rrisin mobilitetin e të rinjve në rajon, mundësitë për kualifikime profesionale dhe shkëmbimet kulturore. Funksionimi i kësaj zyre do të mundësohet nga financimet e vendeve të rajonit dhe të Bashkimit Europian.
Gjatë dy viteve të fundit, agjenda e Procesit të Berlinit ka vijuar të zgjerohet me sukses. Pakti i ndërlidhjes, i cili nisi me fushat e energjisë dhe infrastrukturës, tani po shtrihet edhe tek lehtësimi i tregtisë dhe projektet për punësimin e të rinjve.
“Ky Proces ka formuar një ndërgjegje të vërtetë në rajon, që në fakt, dëshmon se vetë vendet e rajonit janë faktorët kryesorë të suksesit të tyre: kjo bindje qëndron në thelb të ngritjes së Zyrës Rajonale të Bashkëpunimit Rinor dhe angazhimit tonë për veprim kolektiv në fushat e tregtisë dhe transportit në Ballkanin Perëndimor”, u shpreh Ministri Bushati.

Adresa

Ambasada Shqiptare
Diplomatic Quarter, Al Fazari Plaza, Unit No. G16
P.O.Box 94 004, Riyadh 11693

Tel / Fax

Tel. +966 11 281 6535
Fax. +966 11 281 6536

E-MAIL

embassy.riyadh@mfa.gov.al

Orari zyrtar

E hënë- E premte
09:00 - 17:00