OKB: Takim i nivelit të lartë

Shqipëria, Jordania dhe Vatikani organizojnë takimin e nivelit të lartë “Harmonia Sociale për Zhvillim të Qëndrueshëm: Promovimi i mirëkuptimit dhe respektit në kohën e intolerancës”Në kuadër të Samitit të Zhvillimit të Qëndrueshëm në Nju Jork, Shqipëria mori iniciativën për organizimin e takimit të nivelit të lartë me temë “Harmonia Sociale për Zhvillim të Qëndrueshëm: Promovimi i mirëkuptimit dhe respektit në kohën e intolerancës”. Iniciativës së Shqipërisë iu bashkuan Jordania dhe Vatikani. Ky takim kishte në qendër të diskutimeve nevojën për një dialog të vërtetë dhe ndërveprim mes feve dhe kulturave, promovimin e diversitetit dhe harmonisë.Aktiviteti u moderua nga Ministri i Punëve te Jashtme, z. Ditmir Bushati, ndërsa folësit kryesorë ishin Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, Edi Rama, Zëvendës Kryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme i Mbretërisë së Jordanisë, Nasser Judeh, Kryeipeshkvi Paul R. Gallagher, Sekretar i Marrëdhënieve me Shtetet i Selisë së Shenjtë, Nassir Abdulaziz Al-Nasser, Përfaqësues i Lartë i Kombeve të Bashkuara për Aleancën e Qytetërimeve, Ndihmës Sekretari i Përgjithshëm Jean-Paul Laborde, Gina Casar dhe Helen Clark, Administratore e Programit të Zhvillimit të Kombeve të Bashkuara.Në fjalën e tij në panel, Kryeministri Rama evidentoi se Shqipëria është një model në bashkekzistencën paqësore dhe një vend i vëllazërisë fetare, por historia e Shqipërisë ka treguar se kemi ditur gjithnjë te ndërtojmë mbi të përbashkëtat dhe të respektojmë ndryshimet për sa i përket besimit fetar. Sot bota përballet me rrezikun terrorist të cilin duhet ta luftojmë së bashku por pa hequr dorë nga vlerat tona të shenjta.Gjatë fjalës së tij, Ministri i Punëve të Jashtme, z. Ditmir Bushati, theksoi se ky panel është dhe më i rëndësishëm për Shqipërinë sepse është në prag të 60 vjetorit të anëtarësimit të Shqipërisë në OKB dhe në 70 vjetorin e themelimit të organizatës. Në 60 vite të anëtarësisë së saj por kryesisht që pas viteve 1990 Shqipëria ka dëshmuar të jetë një anëtar i përgjegjshëm i organizatës duke kontribuar për paqen dhe sigurisë në botë. Tashmë si një vend anëtar i NATO-s dhe kandidat për në BE, ne jemi të angazhuar dhe të vendosur që të luajmë një rol më aktiv në përputhje dhe me prioritetet e objektivat e zhvillimit tonë kombëtar dhe progresit për në BE. Bota sot përballet me një sërë sfidash të karakterit të sigurisë, valëve migratore nga zonat në konflikt, dhunës ekstreme, intolerancës fetare dhe diskriminimit, ndaj promovimi i harmonisë është i një rëndësie parësore.Gjithashtu, Ministri Bushati nënvizoi se historia e Shqipërisë dëshmon se nuk ekzistojnë pengesa në zhvillimin e një dialogu dhe komunikimi; ajo demonstron qartë një bashkëjetesë në paqe dhe harmoni, në një atmosferë respekti dhe besimi reciprok.Ministri Bushati vlerësoi bujarinë e Jordanisë ne përballimin e krizës se shkaktuar nga vala e refugjatëve sirianë dhe rolin e veçantë të këtij vendi në promovimin e dialogut, mirëkuptimit dhe harmonisë mes besimeve fetare.Ministri evidentoi kontributin e veçantë te Papës Francesku II në promovimin e vlerave të bashkëjetesës dhe dialogut mes feve në të gjithë botën, si dhe u ndal në rëndësinë e vizitës së tij në Shqipëri si vendi i parë i ndalesës së tij në Evropë dhe si një vend model i bashkëkzistencës mes feve.Duke iu referuar Deklaratës së Schuman-it, Ministri përmbylli duke thënë se paqja në botë nuk mund të ruhet pa përpjekje kreative në përgjigje të rreziqeve që e kërcënojnë atë dhe i ftoi të pranishmit të vijojnë përpjekjet e përbashkëta dhe dialogun për promovimi i mirëkuptimit dhe respektit në kohën e intolerancës.

Adresa

Ambasada Shqiptare
Diplomatic Quarter, Al Fazari Plaza, Unit No. G16
P.O.Box 94 004, Riyadh 11693

Tel / Fax

Tel. +966 11 281 6535
Fax. +966 11 281 6536

E-MAIL

embassy.riyadh@mfa.gov.al

Orari zyrtar

E hënë- E premte
09:00 - 17:00