Ministri Steinmeier- vizitë në Tiranë

Gjermania në mbështetje të reformës në drejtësi
 
Më 14 Qershor 2016, Ministri i Punëve të Jashtme Ditmir Bushati priti në takim Ministrin e Punëve të Jashtme të Republikës Federale të Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier, i cili po zhvillon një vizitë në Tiranë. 
Palët rikonfirmuan marrëdhëniet e shkëlqyera që ekzistojnë midis Shqipërisë dhe Gjermanisë, si dhe vullnetin e përbashkët për t’i intensifikuar edhe më tepër ato në të gjitha fushat e bashkëpunimit. Dy Ministrat u ndalën në rëndësinë e miratimit të reformës në drejtësi, zhvillimet më të fundit në rajon, sfidat e sigurisë si dhe rrugëtimin evropian të Ballkanit Perëndimor. 
Ministri Steinmeier vlerësoi se Shqipëria është një partner i rëndësishëm për Gjermaninë, me një rol të posaçëm në rajon. Në këtë kontekst, dy ministrat evidentuan impaktin pozitiv të Procesit të Berlinit, i cili ka jetësuar një bashkëpunim të përfocuar në rajon. 
Ministri Bushati e njohu kolegun gjerman me zhvillimet më të fundit në vend, me vendosmërinë e qeverisë shqiptare për miratimin e reformës në drejtësi, si një reformë e një rëndësie parësore për forcimin e shtetit ligjor në vend dhe me impakt të drejtpërdrejtë në avancimin e Shqipërisë në procesin e integrimit evropian. 
“Reforma në drejtësi është shansi ynë për të kaluar pikën e moskthimit. Projekti që është në tavolinë synon pikërisht ndarjen përfundimtare me epokën e tranzicionit. Reforma në drejtësi nuk bëhet as për konfortin e partive, as për sigurinë e njërit ose tjetrit. Ajo synon ta sjellë sistemin e drejtësisë në lartësinë e kërkesave të qytetarëve shqiptarë, si gur themeli i të gjitha përpjekjeve tona për Shqipërinë Evropiane”, u shpreh Ministri Bushati.
Ministri Steinmeier shprehu mbështetjen e vazhdueshme të Gjermanisë për procesin e reformave që ka ndërmarrë Qeveria shqiptare në funksion të rrugëtimit evropian të vendit. Gjithashtu ai evidentoi nevojën për miratimin në Kuvend të reformës ne drejtësi, duke u shprehur se: “pa reformën në drejtësi, nuk mund të përshpejtohet procesi i integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian”.  
Ministri Bushati u ndal mbi cilësinë e kësaj reforme, me “një impakt të fuqishëm në  përforcim të sundimit të ligjit në ekonomi, në luftën kundër korrupsionit, në luftën kundër krimit të organizuar, dhe në luftën kundër terrorizmit dhe radikalizmit”. “Shqipëria i ka të qarta detyrat e saj, në mënyrë që të sigurojë mbeshtetjen e nevojshme për të kryer hapin e rradhës, atë të një rekomandimi pozitiv për çeljen e negociatave për anëtarësim në BE.”, theksoi Bushati. 
Ministri Steinmeier u ndal në mundësinë që ka Shqipëria që nëpërmjet kësaj reforme të mund të bëhet në rajon pararendëse e ristrukturimit të sektorit të drejtësisë në kuptimin e shtetit të së drejtës. 
Duke nënvizuar shpresën që reforma në drejtësi të miratohet, pa krijuar pengesa që do të kishin pasoja për rrugëtimin evropian të vendit, Ministri Steinmeier u shpreh se: “për reformat nuk merr vetem falenderime, sepse shpesh herë ka kritika të ashpra dhe ndoshta kostoja mund të reflektohet edhe në zgjedhje. Kam mësuar se në opozitë nuk mund të fitohet gjithmonë duke refuzuar. Ka situata në të cilat një Qeveri do të duhet të marrë risqet përkatëse për ta çuar vendin përpara, por e njëjta gjë vlen edhe për opozitën. Nuk duhet menduar për avantazhet afatshkurtra, por për ato afatgjata, në të mirën e vendit”.
Dy Ministrat vlerësuan rëndësinë e forcimit te mëtejshëm të bashkëpunimit shumëpalësh, bashkëpunimit rajonal, si dhe koordinimin e përpjekjeve të përbashkëta në përballjen me sfidat e sigurisë.
Në kuadër të kësaj vizite, në ambientet e Ministrisë se Punëve te Jashtme u ekspozuan materiale arkivore mbi marrëdhëniet diplomatike dypalëshe. 

Adresa

Ambasada Shqiptare
Diplomatic Quarter, Al Fazari Plaza, Unit No. G16
P.O.Box 94 004, Riyadh 11693

Tel / Fax

Tel. +966 11 281 6535
Fax. +966 11 281 6536

E-MAIL

embassy.riyadh@mfa.gov.al

Orari zyrtar

E hënë- E premte
09:00 - 17:00