Ministri Bushati në SHBA

Ministri Bushati në SHBA: bisedime në Senatin amerikan dhe në Dhomën e Përfaqësuesve
 
21 Mars 2017. Vizita e Ministrit Bushati në Washington D.C. nisi me një sërë takimesh në Senatin amerikan dhe në Dhomën e Përfaqësuesve. 
Në takimin me Senatorin Chris Murphy, anëtar i Komisionit të posaçëm për Europën, bashkëbiseduesit u ndalën veçanërisht mbi zhvillimet e fundit në rajon, rëndësinë e partneritetit strategjik Shqipëri-SHBA, ecurinë e bashkëpunimit në fushën e sigurisë, si dhe kursin e reformave në fushën e sundimit të së drejtës në vendin tonë.
Ministri Bushati evidentoi angazhimin dinamik dhe konstruktiv të Shqipërisë në rajon, kontributin tonë në luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm, si dhe ecurinë e reformave shtet-konsoliduese në Shqipëri, në kuadër të procesit të integrimit në BE. 
Duke analizuar faktorët aktualë të destabilizimit në rajonin tonë, Senatori Murphy shprehu vlerësimin e tij për kursin e reformave shtet-konsoliduese, bashkëpunimin Shqipëri-SHBA në kuadër të NATO-s, si dhe angazhimin tonë dinamik dhe parimor për më shumë siguri në rajon dhe në përballimin e sfidave të përbashkëta, siç është dhe lufta kundër ISIS.
Senatori Murphy ripërsëriti gjithashtu rolin e posaçëm të SHBA-së, si një aktor i pazëvendësueshëm për sigurinë dhe mirëqënien e Europës Jug-Lindore.
Në takimin me Kryetarin e Komisionit për Politikën e Jashme, Ed Royce, dhe Kongresmenin Eliot Engel, biseda u fokusua mbi rëndësinë e bashkëpunimit dypalësh në procesin e reformave në fushën e sundimit të së drejtës në vendin tonë, veçanërisht për sa i përket zbatimit të reformës në drejtësi.
Duke u ndalur mbi rëndësinë e reformës në drejtësi, palët biseduan mbi efektet e saj transformuese, jo vetëm në jetën e përditshme të qytetarëve, por edhe nga pikëpamja e sigurisë, apo ajo e sundimit të së drejtës në ekonomi. 
Teksa vlerësuan kursin e reformave në fushën e sundimit të së drejtës në Shqipëri, kongresmenët Royce dhe Engel shprehën gatishmërinë e Kongresit Amerikan për të mbështetur konsolidimin e mëtejshëm të tyre, si një fushë ku SHBA kanë investuar burime të mëdha njerëzore dhe financiare përgjatë tri dekadave të fundit.

Adresa

Ambasada Shqiptare
Diplomatic Quarter, Al Fazari Plaza, Unit No. G16
P.O.Box 94 004, Riyadh 11693

Tel / Fax

Tel. +966 11 281 6535
Fax. +966 11 281 6536

E-MAIL

embassy.riyadh@mfa.gov.al

Orari zyrtar

E hënë- E premte
09:00 - 17:00