Ministri Bushati në Ministerialin e Amsterdamit

Ministeriali në Amsterdam: ndërveprim i përforcuar i BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor

Ministri i Punëve të Jashtme, z. Ditmir Bushati mori pjesë në takimin e Ministrave të Punëve të Jashtme të BE-së dhe të vendeve kandidate, i cili u zhvillua në Amsterdam.
Diskutimet u përqendruan mbi përballjen me krizën e refugjatëve, si dhe mbi efektet anësore të kësaj krize për BE-në dhe Ballkanin Perëndimor.

Në fjalën e tij gjatë takimit Ministri Bushati insistoi mbi efektet destabilizuese të krizës së refugjatëve mbi proceset zhvillimore dhe reformuese të rajonit. “Përmasat e krizës kanë krijuar pikëpyetje mbi aftësitë e vendeve të prekura për të mbajtur gjallë procesin e zgjerimit të BE-së duke u përballur njëkohësisht me pasojat e krizës”, u shpreh Ministri Bushati.

Në këtë kontekst, Shqipëria do të qëndrojë konsistente me angazhimet që ka marrë kundrejt partnerëve evropian që prej tetorit të vitit të kaluar. “Jemi shprehur qartazi se jemi të gatshëm të jemi pjese e zgjidhjes së kësaj krize, sigurisht në kuadër të kapaciteteve modeste që disponojmë dhe të një bashkëpunimi dhe mbështetjeje të përforcuar të BE-së”, tha Ministri Bushati.

Gjatë punimeve, pjesëmarrësit analizuan edhe skenarë të ndryshem të ecurisë së krizës së refugjatëve në muajt në vijim, si dhe vlerësuan risqet nga pikëpamja e sigurisë.

Risku që rrugët e përdorura nga refugjatët të kalojnë nga Shqipëria u cilësua si i ulët nga analiza ekzistuese, por Shqipëria do të vijojë të monitorojë situatën në bashkëpunim të ngushtë me vendet fqinje dhe agjencitë e specializuara të BE-së dhe OKB-së.

Ministri Bushati shpjegoi se “Shqipëria po bashkëpunon ngushtë me Italinë, jo vetëm në kuadër të operacioneve të policive kufitare por edhe në atë të monitorimit të trafikut detar në pellgun Adriatik, në mënyrë që të parandalojmë aktivitetet e grupeve që mund të kërkojnë të shfrytëzojnë tragjedinë e refugjatëve”.
“Kriza e refugjatëve ka nxjerrë në pah një ndërveprim të përforcuar të BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor. Ky moment duhet shfrytëzuar për të siguruar mbarëvajtjen e proceseve demokratizuese dhe shtet-ndërtuese në rajonin tonë”, u shpreh Ministri Bushati.

Në kuadër të punimeve të ministerialit, z. Bushati kreu gjithashtu bisedime me disa homologë, fokusi i të cilave ishte ecuria e reformave shtet-ndërtuese, në kuadër të pesë prioriteteve kyçe për çeljen e bisedimeve për anëtarësimin e Shqipërisë në BE.

Adresa

Ambasada Shqiptare
Diplomatic Quarter, Al Fazari Plaza, Unit No. G16
P.O.Box 94 004, Riyadh 11693

Tel / Fax

Tel. +966 11 281 6535
Fax. +966 11 281 6536

E-MAIL

embassy.riyadh@mfa.gov.al

Orari zyrtar

E hënë- E premte
09:00 - 17:00