Ministri Bushati në 50-vjetorin e UNDP-së

Ministri Bushati merr pjesë në takimin e nivelit të lartë në kuadër të 50-vjetorit të UNDP-së

Ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë Ditmir Bushati mori pjesë në takimin e nivelit të lartë që u zhvillua në Nju Jork, me rastin e 50- vjetorit të themelimit të Programit të Zhvillimit të Kombeve të Bashkuara (UNDP).

Në fokus të këtij aktiviteti ishin sfidat dhe arritjet e veprimtarisë së kësaj agjencie të Kombeve të Bashkuara në harkun kohor të një gjysmë shekulli, ku evidentohet kontributi i saj i rëndësishëm për një zhvillim të qëndrueshëm në Botë, si dhe politikat e saj për vënien në jetë të Agjendës së Zhvillimit deri në vitin 2030.

Ministri Bushati ishte i ftuar në sesionin e 3-të, ku u trajtua tema “Parandalimi i konflikteve të dhunshme, ngritja dhe forcimi i shoqërive paqësore”. Ne fjalën e tij, pasi vuri në dukje rëndësinë dhe aktivitetin tepër të dobishëm të UNDP-së në këto 50 vite, ai evidentoi rëndësinë e përshpejtimit të proceseve shtet-ndërtuese, forcimit të demokracisë, si dhe zhvillimin e qëndrueshëm si garanci në jetësimin e paqes në Botë. Ministri Bushati solli ne vëmendjen e të pranishmëve shembullin e zhvillimeve pozitive në rajonin e Ballkanit, ku falë proceseve integruese dhe intensifikimit të bashkëpunimit rajonal, janë hedhur hapa të rëndësishëm të shkëputjes nga e kaluara konfliktuale dhe e luftërave të përgjakshme.
Shqipëria ka intensifikuar më tej bashkëpunimin me UNDP-në, duke u përfshirë në programin pilot të kësaj agjencie, “Goal 16”, ku një prej dimensioneve të rëndësishëm të saj është paqja, drejtësia dhe institucionet e forta. Në këtë kuadër Ministri Bushati u shpreh se: “Ne jemi të vendosur për të arritur këto objektiva, sepse besojmë se nuk ka zhvillim, as qëndrueshmëri pa paqe dhe nuk ka drejtësi pa institucione të forta. Zhvillimi i qëndrueshëm për Shqipërinë do të thotë forcim i shtetit ligjor, forcim i vlerave demokratike dhe thellim i mëtejshëm i harmonisë tonë sociale”.

Gjithashtu, ai u ndal edhe mbi kontributin që Shqipëria po jep në rang ndërkombëtar në kuadër të luftës kundër dhunës ekstreme dhe për bashkëpunimin rinor rajonal e bashkë-ekzistencën kulturore, fetare e etnike.

Adresa

Ambasada Shqiptare
Diplomatic Quarter, Al Fazari Plaza, Unit No. G16
P.O.Box 94 004, Riyadh 11693

Tel / Fax

Tel. +966 11 281 6535
Fax. +966 11 281 6536

E-MAIL

embassy.riyadh@mfa.gov.al

Orari zyrtar

E hënë- E premte
09:00 - 17:00