Fjala e Ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, në detyrë

Fjala e Zëvendësministrit në detyrën e drejtimit dhe përfaqësimit të Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj
 
I nderuar Kryeministër,
Zoti Ministër Bushati,
Të nderuar kolegë të Ministrisë,
Pas kalimit të valës së parë të zjarrit të pakursyer mbi mua, ndjehem disi më i lehtësuar sesa kur më është komunikuar detyra e lartë. Dhe kjo, mbi të gjitha për një shkak tepër të fortë, sepse të qenit drejtues i këtij institucioni kyç të shtetit shqiptar, me kompetenca të deleguara nga vetë zoti Edi Rama, nën vëzhgimin e tij pashmangshmërisht të afërt, është një start goxha i garantuar nën grykën e zjarrit të akuzave të pabaza dhe paragjykimeve pa faj.
Ndryshimi i Ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, ashtu sikurse edhe delegimi i kompetencave tek një zëvendësministër 28 vjeçar siç jam unë, edhe mosha e re është dukur faj, në vend që të duket burim energjie, frymëzimi dhe kreativiteti.
Nuk vë asesi në diskutim, sot dhe asnjëherë, masën e qëndrueshme të rezultateve dhe gamën e gjerë të sukseseve që kjo Ministri ka shënuar, tash e 5 vite.
Nën drejtimin e Ministrit Bushati dhe përgjatë qeverisjes së Kryeministrit Rama, trajta amorfe dhe përmbajtja pothuajse likuide e politikës së Jashtme të Shqipërisë është shndërruar në një platformë solide, me qasje dinamike dhe të mirë-strukturuar, mbështetur fuqishëm në parimet e dinjitetit kombëtar dhe besueshmërisë edhe ndërkombëtare.
Pavarësisht sfidave të mëdha dhe problemeve të pamohueshme që janë shfaqur pashmangshëm, Shqipëria sot pa asnjë dyshim, qëndron në kuotën më të lartë të përfaqësimit diplomatik dhe nivelin më të konsoliduar të veprimit politik të Jashtëm.
Vendi ynë është bërë bartës i një varg nismash rajonale që gjithsesi dëshmojnë për kredibilitetin e tij, më tepër se rajonal. Shqipëria qëndron më afër se kurrë sot, para vendimit historik për hapjen formale të negociatave, për t’u bërë pjesë e familjes politike evropiane.
Dhe po atdheu ynë Shqipëria, tashmë është në fazën e pakthyeshme të përgatitjeve përfundimtare, për të kurorëzuar suksesin më të madh në historinë e saj shumëpalëshe, kryesimin e OSBE-së për vitin që vjen.
Ky transferim autoriteti institucional nga zoti Bushati, të cilin e falënderoj nga zemra për kontributin e tij në këtë ministri, tek unë, nëpërmjet Kryeministrit Rama, të cilin, në fakt,  nuk di as si ta falënderoj për besimin e dhënë dhe kujdesin e treguar ndaj meje në çdo hap, nuk nënkupton asnjë ndryshim objektivash strategjikë dhe politikë të Qeverisë shqiptare, në kuadrin e politikës së saj të Jashtme.
Me energji të reja dhe qasje proaktive, ne do të vazhdojmë, pa asnjë diskutim të shtyjmë para, edhe me më shumë pasion e me më tepër vullnet, rrugën drejt integrimit rajonal, duke forcuar profilin e Shqipërisë, si një aktor aktiv dhe dinamik, me peshë të pamohueshme e subjekt qendror që dëgjohet me vëmendje nga të gjithë dhe trajtohet me respekt nga secili.
Ne do të mbetemi gjithsesi forcë e patjetërsueshme e paqes dhe stabilitetit, promovuese e fuqishme e frymës së pajtimit dhe bartëse e besueshme e ideve të zhvillimit, natyrisht përmes mjeteve të dialogut dhe bashkëpunimit me të gjithë fqinjët pa dallim.
Për më shumë, tani Shqipëria ka hyrë në një fazë të re, atë të intensifikimit të marrëdhënieve bilaterale me vendet e rajonit, duke siguruar zbatimin e marrëveshjeve të dyanshme, po ashtu duke gjeneruar tutje projekte të reja politike.
Ashtu sikurse dhe Kryeministri Rama ka nënvizuar më tepër se një herë tashmë, ne duam të rrisim më tej komunikimin, bashkëveprimin dhe ndërveprimin me faktorin shqiptar në veçanti. Në kohën që po vjen dhe brenda horizonteve që do të hapen, ne do të jemi më afër tyre si dhe ata përherë më afër nesh. Në të njëjtën kohë, ne mbesim të përkushtuar për t’i përmbushur të gjitha obligimet që vijnë nga angazhimet tona në rajon, me theks të veçantë duke rritur cilësinë dhe performancën tonë në kuadër të Procesit të Berlinit.
Po kjo vëmendje e shtuar në politikën rajonale, asesi nuk duhet të lexohet si një shenjë lëshimi në agjendën tonë Evropiane, përkundrazi, zhvillimi i Shqipërisë në rajon është sipas meje një kusht themelor për pozicionin tonë në agjendën evropiane dhe në raport me partnerët tanë ndërkombëtarë. Po ashtu, rruga e Shqipërisë, dhe kjo duhet thënë qartë, për në familjen Evropiane kalon nëpërmes vetë procesit të vet-konsolidimit në rajon. Procesi i anëtarësimit në Bashkimin Evropian është një proces  i pa kthyeshëm politik e kombëtar. Shqipëria duhet të jetë e angazhuar dhe mirë-organizuar për të realizuar këtë synim në kohë reale, sipas kalendarëve të paraqitur dhe sipas mundësive objektive. Pas muajsh të ardhshëm, do të jetë një periudhë pune pa orar që do të shpërbëjë çdo kufi midis natës dhe ditës dhe do të tresë çdo dallim midis qetësisë dhe veprimit.
Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, do të vazhdojë punën e saj intensive për një performancë sa më cilësore, në kuadër të procesit të screening dhe do të angazhohemi më tutje në nxitjen e përafrimit të legjislacionit vendor me atë Evropian. Do ta them zëshëm se një ndër objektivat qendrore të punës time në vijim, do të jetë pikërisht rritja e ndërveprimit me ministritë e tjera për të realizuar pa vonesë çdo kërkesë të paraqitur në konkluzionin e Këshillit të Qershorit të vitit 2018 dhe nga ana tjetër, gjithsesi do të vijojmë dialogun cilësor me vendet anëtare për ekspozim në dritë sa më të qartë të rezultateve tona të dukshme dhe reformave tona të pandalshme.
Për më shumë, periudhat vijuese kërkojnë një vëmendje të veçantë në dy objektiva kyçe të diplomacisë shqiptare: Kryesimi i suksesshëm i OSBE në vitin 2020 dhe angazhimi për të siguruar vendin tonë në Këshillin e Sigurimit të vitit 2022. Gjithsesi, krahas angazhimeve të pa kursyera për t’i lehtësuar këto qëllime madhore, Shqipëria do t’i kryejë të gjithë obligimet e saj në kuadër të NATO-s dhe të thellojë marrëdhëniet cilësore me të gjithë partnerët e saj në botë, me theks të veçantë, me SHBA.
Në mënyrë paralele, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme do të angazhohet fuqishëm për forcimin e mëtejshëm të pasaportës shqiptare, zhvillimin e diplomacisë ekonomike, thellimin e programeve me Diasporën si dhe gjithsesi, vijimin e përmirësimeve konsullore në vazhdën e disa shembujve tejet pozitivë të krijuar 5 vitet e fundit dhe që gjithsesi, mbesin të pa mjaftueshëm.
I nderuar Kryeministër dhe të dashur kolegë të Ministrisë.
Gjatë gjithë kësaj kohe, nën presionin për të mos folur asgjë kur pothuajse të gjithë flisnin për mua, i jam frikësuar tej mase triumfit të hallit brenda meje se ç’do të thonë të tjerët kur të flas, pavarësisht forcës time të zakonit për të thënë gjithnjë atë që mendoj.
Sidoqoftë, fjalët për mua tashmë kanë shkuar përtej meje, qoftë për të mirë apo për keq. Mbetem shpresë plotë që kujt i ka mbërritur në vesh fjala e keqe për mua, të mos jem dukur edhe aq i keq në paraqitjen time të pare. Dhe nuk thonë kot, më mirë syri sesa nami. Shpresoj se unë do të bëhem më i mire ndërkohë dhe gjithashtu uroj se kushdo që ka thënë fjalë të mirë për mua këto ditë dhe nuk e ka humbur besimin tek mua për asnjë çast, Kryeministri i Republikës së Shqipërisë në veçanti, të mos jetë i zhgënjyer nga paraqitja ime e pare. Dhe unë ju premtoj se do të jeni gjithnjë më i kënaqur me punën time në vijim.
Mjeshtri i vyer i shkronjave shqipe, poeti shqiptar nga qyteti i Gjakovës mes të tjerave, nëpërmjet një figure të rrallë letrare ka thënë diçka thelbësorë nga urtësia e përbotshme. Koha, thotë Podrimja, shpesh herë ecën mbi shpinën e breshkës dhe po gjatë këtyre ditëve, koha ka ecur ngadalë, por koha është shpesh herë më kokëfortë sesa e ngadaltë. Thënë kjo, unë do t’i shtyj me aq sa mundem të gjithë kufijtë e qenies sime për të bërë kohën dëshmitare, sepse kam qenë këtu pranë jush për të punuar me mendje dhe zemër. Shërbej me ndjenjën më të thellë të atdhedashurisë dhe qëndroj me dinjitet në lartësinë e besimit të çdo njeriu që i ka dhënë votën kësaj shumice qeverisëse, përderisa unë sot fola tejet sipërfaqësisht për punët që po vijnë dhe sfidat që na presin.
Mbetem me shpresë se punët që do të bëj, do të flasin përmbajtësisht për mua dhe skuadrën e mirë-stërvitur të Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme.
Ju faleminderit shumë.

Adresa

Ambasada Shqiptare
Diplomatic Quarter, Al Fazari Plaza, Unit No. G16
P.O.Box 94 004, Riyadh 11693

Tel / Fax

Tel. +966 11 281 6535
Fax. +966 11 281 6536

E-MAIL

embassy.riyadh@mfa.gov.al

Orari zyrtar

E hënë- E premte
09:00 - 17:00