
Ambasadori Sami Shiba takon Guvernatorin e Rajonit të Medina, si dhe studentë shqiptarë në Universitetin në Medina.
Me ftesë të Ministrisë së Punëve të Jashtme saudite dhe Universitetit të Medines, Ambasadori Sami Shiba mori pjesë në ceremoninë hapëse të Festivalit Trashëgimia Kulturore e Popujve, e cila u zhvillua në Medina, 27 Shkurt 2019. Ambasadori Shiba, gjithashtu, u takua edhe me Guvernatorin e Rajonit të Medina, Princ Faisal bin Salman, dhe së bashku vizituan stendën me prezantimet përkatëse të pregatitura nga studentët e Kosovës. Festivali Trashëgimia Kulturore e Popujve është një aktivitet i përvitshëm, dhe ka si qëllim promovimin e kulturave të vendeve përkatëse të studentëve që studiojnë në Universitetin e Medina.
Ambasadori Sami Shiba, gjithashtu, pati një takim me studentë shqiptarë që studiojnë në Universitetin e Medina. Gjatë diskutimit me Ambasadorin, studentët shqiptarë, krahas vlerësimit të shërbimeve konsullore të ofruara nga Ambasada në Riad, ripërsëritën kërkesën e tyre mbi çështjen e njohjeve të diplomave të Universitetit në Medina, si dhe, me këtë rast, kërkuan mundësinë e ndërhyrjes pranë autoriteteve përgjegjëse të Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë në Tiranë. Gjithashtu, studentët shqiptarë, me qëllim shmangien e kostove shtesë të udhëtimit për në Shqipëri, shprehën kërkesën e tyre për mundësimin e ofrimit të shërbimit mbi aplikimim për pajisje e tyre me pasaporta, pranë mjediseve të Ambasadës Riad.